E Diel, 1 Nëntor 2026

Padi ndaj qeverisë, kompensoi të njëjtën pronë me çmime të ndryshme



Thimi Samarxhiu

TIRANË – Qeveria ka përdorur dy standarde për kompensimin e pronave të prekura nga ndërtimi i aksit rrugor Levan-Vlorë. Për disa është miratuar kompensimi me 1600 lekë për m2, ndërsa për disa të tjerë kjo shifër është ulur në 550.8 lekë/m2. Kjo gjë i ka detyruar 7 banorët e fshatit Cerkovinë në komunën Novoselë, Bekim Metaj, Farudin Metaj, Zydi Metaj, Lirim Metaj, Shezasi Meçaj, Selman Meçaj dhe Astrit Meçaj që t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës me një padi ndaj Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit/Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

Kërkesë-padia
Në kërkesë-padinë e depozituar pak ditë më parë pranë Gjykatës së Tiranës, 7 paditësit kërkojnë prej kësaj gjykate ta detyrojë Këshillin e Ministrave që t’i kompensojë dhe ata me vlerën e përcaktuar që në vitin 2007. Më poshtë është teksti i plotë i kërkesë-padisë.
”Në ndërtimin e segmentit të rrugës Levan-Vlorë, Ministria e Transporteve, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ka shpallur kërkesën për shpronësim publik duke përcaktuar: 1) vlerën e kompensimit për m2; 2) listën e personave që preken nga ndërtimi i rrugës: 3) shumën totale për secilën pronë sipas listës emërore. Në listën emërore bashkëlidhur kërkesës për Shpronësim Publik Nr. 6761/1, datë 17.12.2007, në fshatin Cerkovinë, në kolonën ku i korrespondon pasurisë së shpronësuar 7 paditësve, është për shënimi (i paidentifikuar). Duke qenë se për efekte burokratike në ZRPP Vlorë, paditësit nuk janë pajisur me certifikatat e pronësisë respektive gjatë vitit 2008 dhe nuk kanë përfituar ende nga zënia e tokave të tyre nga segmenti i rrugës Levan-Vlorë sipas vlerës për m2 për fshatin Cerkovinë, që ka qenë 1600 lekë/m2, sipas kërkesës për Shpronësim Publik të datës 17.12.2007. Pas shumë kërkesash përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve për përmbushjen e detyrimeve të njohura prej tyre, na është zvarritur pagesa e kompensimit, ndërkohë që të gjithë të shpronësuarit e tjerë kishin marrë vlerën e lekëve të premtuar me vlerë 1600 lekë/m2.
Në shkurt të vitit 2010 na u komunikua se për pasuritë e shpronësuara për interes publik për rrugën Levan-Vlorë, Këshilli i Ministrave ka nxjerrë Vendimin Nr.1284, datë 23.12.2009, duke shpallur një vlerësim të ri të pronave të prekura nga ndërtimi i rrugës, duke parashikuar kompensimin në vlerë 550.8 lekë/m2 për pronat e shpronësuara paditësve.
Për sa më sipër, paditësit nuk mund të trajtohen ndryshe nga personat e tjerë, të cilëve u është njohur kompensimi për pronat e shpronësuara me vlerën 1600 lekë/m2 dhe paditësve t’u shpronësohet pasuria me vlerën 550.8 lekë/m2, pasi bie ndesh me parimin kushtetues të trajtimit të barabartë të shtetasve nga organet shtetërore. Në fund, ne paditësit i kërkojmë kësaj gjykate që të pranojë padinë tonë dhe t’i detyrojë të paditurit të njohin kompensimin e pasurive që na janë shpronësuar me vlerën fillestare të përcaktuar për m2”.

Paditësit

Bekim Metaj
Farudin Metaj
Zydi Metaj
Lirim Metaj
Shezasi Meçaj
Selam Meçaj
Astrit Meçaj

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›