E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: “Zëvendësimi ishte i planifikuar”



Kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, udhëhoqi për 45 minutat e parë ekipin e tij në fitoren 2-1 kundër Ajaksit të Amsterdamit, në takimin e vlefshëm për një të tetat e finaleve të Kupës UEFA.
Megjithëse bëri një paraqitje solide në pjesën e parë, me ndërhyrje shumë të rëndësishme në bllokimin e lojës së holandezëve të Marko van Bastenit, Cana u zëvendësua në pjesën e dytë, duke krijuar edhe dyshime në këtë rast.
Në fakt, tre golat e takimit u realizuan në pjesën e parë, ndërkohë që Ajaksi mbeti me dhjetë lojtarë në fund të këtij fraksioni.
Është vetë Loriku që shuan çdo dyshim. “Unë dola, duke pasur parasysh edhe ndeshjen e së dielës (kundër Paris Sën Zhermenit). Unë nuk isha më i nevojshëm për ekipin, për më tepër që isha pak i lodhur, pasi të luash çdo tri ditë pas një dëmtimi, kjo është e dukshme. Gjithçka e bëmë për të qenë në kondicionin më të mirë për të dielën. Ekipi nuk kishte nevojë për mua për të bërë diferencën”, - tha Cana gjatë një deklarimi për faqen zyrtare të klubit.
Të dielën, Marseja do të luajë kundër Paris Sën Zhermenit, një ish-skuadër e Lorikut. Cana pohoi gjatë një interviste për mediat franceze se mezi e priste këtë ndeshje: “Na duhet një fitore. Është një ndeshje që mezi pres ta luaj personalisht. Më jep gjithmonë kënaqësi të madhe të luaj atje. “Parc des Princes” është një nga fushat më të bukura për të luajtur në Francë”.

Trajneri: “Më duhet ‘koka’ e Kapllanit”

Edmond Kapllani do të luajë nga minuta e parë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të Karlsruhes, ajo kundër Arminia Bielefeldit, në supersfidën e mbijetesës në Bundesligën 1 gjermane. Sulmuesi shqiptar (15 ndeshje këtë sezon/asnjë gol) do të jetë partneri në sulm i Sebastian Frajs (shtatë gola këtë sezon).
“Ne kemi nevojë që në një situatë apo një tjetër të kemi një lojtar me cilësi të mira në gjuajtjet me kokë”, - tha trajneri i Karlsruhes, Edmund Beker, për agjencinë e lajmeve gjermane, DPA.
Sipas saj, sulmuesi shqiptar ia jep këtë garanci trajnerit në ndeshjen në shtëpi kundër Arminia Bielefeldit. Karlsruhe është skuadra që ka shënuar më pak gola, vetëm 18 në 23 ndeshje.
Mesazhi përpara duelit për mbijetesë me Arminia Bielefeldin është i qartë: “Die Elf” (11-shi) i Edmund Bekerit duhet të fitojë. Përndryshe, lamtumirë Bundesliga 1.
Sipas revistës gjermane “Kicker”, trajneri i Karlsruhes ka vendosur të ndryshojë taktikë e të luajë me dy sulmues. Njëri vend i përket Sebastian Frajs (shtatë gola), ndërsa në luftën për vendin e dytë Edmond Kapllani ka fituar duelin me Mahir Saglik.
Në ndeshjen e fazës së parë, Karlsruhe fitoi 2-1 në transfertë me Arminia Bielefeldin (golat nga Porcelo e Frajs), ndërkohë që Kapllani luajti si zëvendësues nga minuta e 80-të në vend të australianit Xhoshua Kenedi (edhe ky pa gol gjatë këtij sezoni).

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›