E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sidni Hoxha paraqitje te mire ne kampionatin boteror te notit ne Kine

Pavarësisht kushteve që të bëjnë krejtësisht pesimist, pavarësisht gjithçkaje, noti shqiptar e ka një personazh që të paktën na bën të ndihemi mirë. Ky është Sidni Hoxha, sportisti 21-vjeçar i skuadrës Tirana Delfina Sport, i cili arriti të dilte në vendin e 39-të në botë mes 121 garuesve në garën e 50 metrave stil i lirë në kampionatin botëror të notit në Shangai të Kinës.

Hoxha dha kohën 23”18, një kohë që është rekordi i ri shqiptar në këtë garë dhe duke qenë vetëm 30 të qindat larg kualifikimit për në Lojrat Olimpike Londër 2012.

Medaljen e artë në 50 metra stil i lirë e fitoi kampioni i botës në fuqi dhe njëkohësisht edhe rekordmeni botëror, braziliani, Sesar Sielo, me kohën 21”52, duke mbetur 61 të qindat larg rekordit të tij dhe 44 të qindat larg rekordit të kampionatit. Në vend të dytë doli italiani Luka Doto me kohën 21”90, ndërsa i treti mbërriti francezi Alen Bernar me kohën 21”92.

Notari shqiptar mori pjesë edhe në garën e 100 metrave stil i lirë duke dhënë kohën 51”51, e duke zënë vendin e 48-të ndër 105 pjesëmarrës. Koha e tij është 58 të qindat larg kohës kualifikuese për në Lojrat Olimpike Londër 2012.

Shpresohet shumë që Hoxha, notar pa bursë olimpike për shkak të problemeve të tij me Federatën Shqiptare të Notit, të mundë të kualifikohet me rezultat dhe jo me ftesë për në aktivitetin më të madh të sportit në botë, Lojrat Olimpike që do të zhvillohen këtë etë herë në Londër vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›