E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pergatitjet e Tiranes Sanchez me skeme te re ofensive

Tirana përgatitet për sezonin e ri, në të cilin kërkon të lërë pas problemet dhe luhatjet e kampionatit të kaluar. Tekniku spanjoll, Rubio Sanchez, po punon mbi të gjitha për të formuar një grup, duke parë se shumë prej titullarëve bardheblu do të luajnë për herë të parë bashkë.

Tekniku, pas provës pozitive në Europa Ligë, pavarësisht eleminimit kundër Spartak Trnava, në turin e dytë, synon të modifikojë ofensivën kryeqytetase, i kondicionuar edhe nga lojtarët që ka në organikë. Shkodrani Bekim Bala dhe Etogo kanë ngjashmëri në mënyrën e lojës, kështu që Sanchez ka ideuar një sulm me dy gjysmëpunta pas shpinës së afrikanit. Edhe në seancat e fundit stërvitore, tekniku ka provuar shpesh idenë e tij të re, që sic duket i shkon për shtat edhe Balës, që ndeshjen e fundit europiane e ka nisur nga pankina, i mbyllur nga Etogo.

Në fakt, për tu vendosur është edhe pozicioni në fushë i Al Ajmi, që mund të luajë si gjysmëpunta e dytë, por në një tjetër variant,mund të luajë si qendror,për ti dhënë kualitet mesfushës së Tiranës. E ndërkohë, klubi po punon për të firmosur kontratat me futbollistët që do të veshin fanellën bardheblu për sezonin e ri.
Bardheblutë kanë konkluduar procedurat me 8 futbollistë, përfshirë edhe Karabecin, që ka firmosur kontratën trevjeçare, ndërsa Dushku, Pisha, Ahmataj, Pashaj, Muça, Sina dhe Dabulla kanë rënë dakord me drejtuesit bardheblu, por ende nuk kanë nënshkruar.

Në fakt, kryeqytetasit kanë një organikë të fryrë dhe nga skuadra priten edhe largime, por vetëm Rubio Sanchez do të vendosë për kontigjentin e lojtarëve, që do të mbajë në dispozicion.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›