Siguracionet, shoferët e këqij do të paguajnë më shumë
Tregu i sigurimit të makinave si edhe përcaktimi i masës së tyre pritet të pësojnë një ndryshim themelor. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është duke punuar me Bankën Botërore për të aplikuar në Shqipëri një format tjetër të përcaktimit të çmimit të policave të sigurimit të makinave. Aktualisht, çmimi i tyre përcaktohet nga vetë kompanitë dhe është standard duke u bazuar kryesisht në fuqinë motorike të automjetit kurse së shpejti, sasia e parave që do të paguajë çdo shofer do të përcaktohet nga një serë treguesish, siç janë lloji i makinës, mosha e drejtuesit të automjetit si edhe kohëzgjatja e marrjes së patentës, numri i aksidenteve që ka kryer ai, vendi se ku do të përdoret makina, etj.
Në këtë mënyrë, pritet që çmimi i policave të sigurimit të mos jetë standard por të variojë nga shoferi në shofer sipas të dhënave të tij. Një format të tillë e përdorin një serë vendesh të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Italinë. Çmimi që do ti vendoset siguracioneve të makinave do të jetë shumë i detajuar. Po flasim për këtë pasi, TPL-ja përbën një pjesë të mirë të tregut. Do të ketë të gjithë komponentët e riskut, që nga zona gjeografike, mosha e të siguruarit, fuqia i motorit, historiku i dëmeve. Në këtë mënyrë, çmimi do të jetë ai i duhuri,- tha kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkeleda Shehi. Ndryshimet e pritshme në mënyrën e përllogaritjes së çmimit të siguracioneve u dhanë nga Shehi gjatë raportimit në Kuvend për veprimtarinë vjetore të AMF-së.
Për të gjithë treguesit e mësipërm, AMF në bashkëpunim me Bankën Botërore do të përcaktojnë nga një koeficient, i cili më pas do të vendoset në funksion të përllogariotjes së çmimit final të policës së sigurimit të detyrueshëm për automjetet. Kështu përshembull, një shofer i cili ka një të kaluar të pasur me aksidente do të ketë një koeficient më të lartë krahasuar me një tjetër shofer i cili nuk ka kryer apo ka kryer më pak aksidente për faj të tij gjatë periudhës që ka qenë në drejtim të automjetit të tij. Për sa i përket periudhës së drejtimit të automjetit, një shofer i ri presupozohet që ka më shumë shanse për të shkaktuar aksidente në raport me një shofer të vjetër, i cili ka më shumë vite në drejtimin e makinës. Në këto kushte, pritet që koeficienti i shoferit të ri të jetë më i lartë krahasuar me shoferin e vjetër dhe për pasojë ai do të paguajë më shumë për sigurimin.
Fuqia motorike e makinës por edhe marka ndërkohë është një tjetër tregues, i cili nuk do të lihet mënjanë në përllogaritjen e çmimit të policës së sigurimit. Vlera e makinave varion nga fuqia motorike por edhe nga marka, për pasojë çmimi i policës së sigurimit të detyrueshëm për të nuk ka sesi të jetë e njëjtë edhe pse mund të shënojnë në dokumente të njëjtë tregues për sa i përket motorit.
Kryetarja e AMF-së theksoi se mënyra e re e përllogaritjes së cmimeve do të përmirësojë edhe raportin e dëmeve që paguajnë shoqëritë e sigurimeve, i cili ka qenë problematik gjatë viteve të fundit ku të aksidentuarve iu është dashur të sorollaten deri në marrjen e dëmshpërblimit.
