Në gjyq 8 komisionerët e PD-së në Dajç
Prokuroria e Lezhës, mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq me cilësinë e të pandehurve tetë Anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit me Nr.0699 të fshati Dragushë në Komunën Dajç të rrethit Lezhë, për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyës të kryer në bashkëpunim, pasi kishin shpall fitues kandidatin e Partisë Demokratike me vota të vjedhura. Kjo akuzë, sipas kërkesës për gjykim që Shekulli ka siguruar një kopje dhe është përpiluar nga prokurori Ervin Beqiri, të pandehurit: Lulzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpall fitues si kryetar të komunës Dajç kandidatin e koalicionit Aleanca për Qytetarin z.Gjergj Doçi.
Shpallja e fituesit në këtë qendër votimi, sipas prokurorisë, është bërë duke falsifikuar firmat e votuesve dhe mbushur kutit me vota të falsifikuara pro kandidatit të PD-së. Sipas akteve të procedimit të prokurorisë, në këtë qeder votimi ndodheshin 264 votues, ku në total nuk kishin votuar 36 persona. Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezulton se 264 votuesve, të cilët rezultonin se kishin votuar sipas listës përfundimtare, 62 persona rezultonin zyrtarisht se ndodheshin jashtë shtetit ditën e zgjedhjeve, më 8 Maj 2011-thuhet nga prokuroria. Gjithashtu, nga lista përfundimtare e zgjedhësve të kësaj qendre votimi, rezultonte se prej shtetasve që kishin votuar 55 prej tyre kanë votuar duke përdorur si mjet identifikimi pasaportat e vjetra, ku 11 prej tyre ishin të falsifikuara.
Gjatë zgjedhjeve në këtë qendër votimi rezulton se 209 votues kanë përdorur si mjet identifikimi karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 31 numra kartash identiteti/pasaportash biometrike të shënuara në listën përfundimtare të zgjedhësve të kësaj qendre nuk i përkisnin numrave të kartave të identitetit/pasaportave biometrike të cilat kishin në përdorim votuesit e kësaj zone-thuhet nga prokuroria. Gjithashtu, nga akt-ekspertimi i nënshkrimeve të fletëve të votimit, rezultoi se 109 nënshkrime votuesish janë firmosur nga të njëjtat persona. Po nga ky akt ekspertimi rezulton se 43 nënshkrime votuesish janë shkruar ose mund të jenë shkruar nga anëtarët e komisionit të qendrës së votimit, ku disa prej tyre kanë votuar edhe për të gjithë familjarët e tyre-thuhet në dosjen, që tashmë ka përfunduar në Gjykatë.
