Kapet ekstazia që do shitej te Blloku
TIRANE- Policia bllokon sasinë më të madhe të lëndës narkotike ekstazi (drogë sintetike) të kapur ndonjë herë në kryeqytet. Vlera e saj sipas burimeve i afrohet shifrës së 20 mijë eurove, ndërsa nga hetimi i kryer nga agjentët dhe oficerët e antidrogës, kjo sasi lënde narkotike ishte destinuar për tu shitur në pub-et e kryeqytetit gjatë fundjavave dhe sidomos në lokalet e zonës së bllokut. Ekstazi njihet si lloj lënde narkotike e njohur si drogë sintetike e cila renditet nga më të shtrenjtat në vend dhe nga më të kërkuarat duke e bërë atë më të shtrenjtën në fushën e lëndëve psikotrope.
Aldi Gjane 23 vjeç dhe Erando Qatipi 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, u arrestuan mbrëmjen e të hënës në kryeqytet në afërsi të rrugës Artan Lenja, pranë godinave të inxhinierisë së Ndërtimit, pasi u kapën me një sasi prej 150 kokrrash ekstazi, e njohur nga përdoruesit dhe specialistët si drogë sintetike. Në momentin e arrestimit, këtyre shtetasve iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 145 kokrra të dyshuara lëndë narkotike Ekstazy, me stemën ROLEX,-kështu informoi policia e kryeqytetit në deklaratën e saj zyrtare dje pasdite.
Pas kontrollit të kryer të banesave të tyre, blutë gjetën dhe sekuestruan edhe 5 kokra të tjera të dyshuara si lëndë narkotike ekstazi, e cila iu bashkua sasisë tjetër të bllokuar. Po kështu, oficerët e Antidrogës bllokuan edhe 22.2 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë e pastër, e cila ishte e ndarë në 25 porcione dhe e futur në qese të vogla farmacie. Veç saj hetuesit gjetën edhe 28.4 gram lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva, e ndarë në 13 porcione.
Kjo sasi lënde narkotike sipas burimeve të policisë ishte përgatitur për tu shitur në kryeqytet gjatë fundjavës. Hetuesit thonë se një porcion i drogës sintetike ekstrazi, shitet në masën 150 mijë lekë copa. Ndërkaq kokaina e bllokuar sipas hetuesve mendohet se kap shifrën e rreth 2 milionë lekëve të vjetra.
