E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pushkatuarit pa gjyq, shtyhet data për dorëzimin e dosjeve

13/03/2012  Kalon në Komisionin e Ekonomisë projektligji për ish-të përndjekurit politikë të regjimit

U miratua dje në Komisionin e Ekonomisë ndryshimet në projekligjin për të dëmshbërblyer ish-të dënuarit politikë gjatë periudhës së diktaturës komuniste, i cili prej gjashtë muajsh qëndrontë në sekretarinë e Kuvendit. Ndërmjet të tjerave, në ndryshimet që iu bënë ligjit të dorëzuar nga qeveria është dhe shtyrja e afatit të dorëzimit të dosjeve nga të afërmit e të pushkatuarve pa gjyq të regjimit. Në ligjin e mëparshëm, ky afat shënonte datën 1 prill të këtij viti, ndërsa me ndryshimet e djeshme data e dorëzimit të dokumenteve shtyhet deri më 30 qershor.

Opozita

Por duket se opozita nuk ka qenë dakord me projektligjin e dërguar nga qeveria, në dy pika. E para, sepse nuk shoqërohej me faturë financiare, si dhe në lidhje me moshën e personave që duhet ta përfitojnë menjëherë këtë dëmshpërblim. Një tjetër kundërshtim që patën antarët e PS-së ishte mugesa e të dhënave shifrore për koston që ka ky projektligj. Opozita me anë të deputetit Erjon Braçe kërkoi që mosha për përfitimin e dëmshpërblimt me dy këste të ulej në 75 vjeç, dhe të paguhej me një këst të vetëm. Por propozimi i Braçes është kundërshtuar nga përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Gazmend Bardhi, i cili u shpreh se ulja e moshës do rriste numrin e përfituesve dhe rrezikon të lërë pa këstin e dytë persona të tjerë të listës së ish-të përndjekurve. Ndërsa për deputetin tjetër Arben Malaj, dëmshpërblim duhet t’i jepet vetëm atyre personave, të cilët e kanë vuajtur drejtpërdrejtë burgun komunist, deklratë e cila ka sjellë dhe reagimin e kreut të komisionit Edmond Spaho. “Kjo kundërshti vjen nga disa persona që e dimë mirë se si u sollën me këtë klasë personash, përgjatë kohës kur ishin në pushtet. Në rast se ju do e kishit filluar në atë kohë dëmshpërblimin, sot dhe ne do e kishim të lehtë për ta përmbushur këtë detyrim, që është i të gjithë shoqërisë shqiptare”, tha Spaho.

Projektligji

Në projektligjin e hartuar nga qeveria, ajo çka është më e rëndësishme është ndryshimi i fillimit të dënimeve nga diktatura komuniste. Në ligjin ekzistues, ajo shënon datën 30 nëntor të vitit 1944, ndërsa në ligjin e ri kjo datë ndryshohet me rreth 35 ditë. Pra, data e fillimit të diktaturës është 25 tetori i vitit 1944. Ky ndryshim është bërë me argumentin se përkon me datën e krijimit të qeverisë ilegale të Beratit, periudhë përgjatë së cilës janë kryer shumë ekzekutime pa gjyq, kryesisht mes radhëve të elitës dhe nacionalistëve. Dëmshpërblim do të marrin edhe ata individë që janë dënuar nga komunizmi me akuzën e ‘terrorizmit’. Kjo pasi nga analiza e këtyre veprave penale rezulton se ato janë vepra penale me natyrë politike dhe për pasojë duhen të përfshihen në kategorinë e të përndjekurve politikë. Ky ndryshim do të mundësojë që ata individë që kanë marrë përgjigje negative nga Ministria e Drejtësisë për dëmshpërblim të riparaqesin dokumentacionin për të përfituar dëmshpërblimin që nuk kanë marrë. Kjo pasi në ligjin e mëpërparshëm nuk ishte përcaktuar ‘terrorizmi’ si dënim politik. Gjithashtu dëmshëpërblim do të marrin edhe fëmijët e të përndjekurve që janë dhënë në birësim.

30 qeshor 2012

Ky është afati i fundit që kanë të përndjekurit politikë dhe familjet e tyre për të dorëzuar dokumentacionin në Ministrinë e Drejtësisë për të përfituar dëmshpërblimin e dënimit të bërë gjatë perudhës së diktaturës komuniste.

1.5 miliardë lëkë

Është fondi i alokuar nga Ministria e Financave për të dëmshpërblyer ish-të përndjekurit politikë që janë mbi moshën 85 vjeç. Ky fond do të mundësojë që këta individ të mund të marrin me dy këste të gjithë dëmshpërblimin për dënimin e bërë.

Debatët gjatë Komisionit të Ekonomisë

Erion Braçe: U deshën disa shpulla deputetëve që ky ligj të merrte jehonë. Mimi Kodheli: Këtej nuk ka as një anëtar të Partisë Komuniste, andej nga ju nuk e di Edmond Spaho: Turp duhet të kenë ato që kishin mundësinë për ta bërë këtë projektligj dhe nuk e bënë.

Flamur Noka: Lot krokodili janë këto. Ju dëgjova, tani dëgjoni ju. Duhet ë kishit bërë një deklaratë publike për të kërkuar falje për këto krime.

Mimi Kodheli: Bëj ligjin e lustracionit dhe pastaj flasim. Flamuar Noka: Ju nuk i dënuat kriminelët e komunizmit sepse keni brenda jush inkuizitorët dhe pjellat e tyre. Ju zgjodhët rrugën tuaj. Erion Braçe: Në rast se duam të diskutojmë këtë ligj, duhet të diskutojmë shifrat. Katër faqe relacion, nuk ka as një të dhënë.

Edmond Spaho: Do të bësh politikë me argumente banal? Erion Braçe: Kujdes me atë gjuhën sepse e ke shumë problem. Flamur Noka: Pyet kryetarin tuaj. Në familjen time janë pesë të ekzekutuar dhe një ndër firmëtarët e dënimit është babai i kryetarit tuaj. Pyet kryetarin tënd. Lediana Alilolli: Shqipëria është një vend i varfër, ndaj nuk mund të dëmshpërblej të gjithë njëkohësisht.

Gazeta “Metropol”, e para që ngre shqetësimin për vonesën e ligjit

Megjithëse ndryshimet në ligjin për ish-të përndjekurit e regjimit komunist i janë propozuar Kuvendit që në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, ende nga ana e këtij institucioni nuk kanë hyrë për diskutim. Për më shumë se gjashtë muaj Byroja e Kuvendit dhe Komisioni i Ligjeve nuk e kanë parë të udhës ta fusnin në kalendarin e diskutimeve dhe më pas në votim. Këtë shqetësim e ngriti më së pari gazeta “Metropol” më datë 6.32012 në shkrimin me titull “Të përdnjekurit jashtë kalendarit të Kuvendit”. Ligji në fjalë zgjeron skemën e atyre personave që përfitojnë dëmshpërblimin, sidomos kur bëhet fjalë për dënimin e të pushkatuarve pa gjyq. Në një nen të tij flitet dhe për zhvendosjen e datës për këta persona me rreth 35 ditë. Më parë përfitonin dëmshpërblim të afërmit e viktimave të regjimit që ishin pushkatuar më datën 30 nëntor 1944, ndërsa me ndryshimet e bëra përfitojnë të gjithë ata që u janë pushkatuar të afërmit pas tetorit 1944. Ligji i mëparshëm linte jashtë skemës së dëmshpërblimit jo pak, por mbi 3000 persona të vrarë pa gjyq pas hyrjes së komunistëve nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›