Siguracioni i makinave, çmimet pezull në pritje të rregulloreve të reja
Është ende e paqartë se si ligji i ri për liberalizimin e tregut të siguracioneve do të implementohet pas hyrjes së tij në fuqi, ndërkohë që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ende nuk ka përgatitur rregulloren se si do të funksionojë mënyra e pagesës së taksave dhe sanksionet përkatëse për moszbatim të rregullores. Ndryshimet në ligjin “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit” u miratuan dje nen për nen, vetëm me votat e maxhorancës në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Disa prej deputetëve të maxhorancës, edhe pse e mbështetën si projektligj, kërkuan që t’i lihej një periudhë kohore prej një muaji Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të përgatitur manualin dhe aktet nënligjore të ligjit të ndryshuar. Nga ana e tij, deputeti demokrat Florion Mima u shpreh se ky ligj duhet të vinte më shpejt në kuvend, pasi duhet t’i jepet fund një herë e përgjithmonë turpit që vazhdon prej kohësh në këtë treg. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Linda Rusmajli, argumentoi se duhet të miratohet sa më parë ky projektligj, pasi nuk ka të bëjë me një rregull, thjesht përshtat ligjin me praktikën, nuk ka kuptim të vihet një afat kohor për AMF pas hyrjes së ligjit, pasi do të ishte një muaj vakum ligjor. Ndërkohë që ndryshimet në ligj u miratuan në formën e paraqitur nga Ministria e Financave. Nga ana tjetër, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i kontaktuar nga gazeta “MAPO”, është shprehur se ndryshimet e bëra në ligj janë nismë e Ministrisë së Financave dhe nuk janë në dijeni. Sipas AMF-së, në momentin që financat do t’i prezantojnë zyrtarisht ligjin dhe do t’i kërkojnë përgatitjen e manualit, do të niset nga puna. Ndërkohë që të dy institucionet duhej të punonin paralelisht, nga njëra anë financat për ndryshimet në ligj dhe AMF për aktet nënligjore dhe manualin e rregullave dhe sanksioneve përkatëse. Por tani nuk dihet se si pas hyrjes në fuqi të ligjit, se si ai do të implementohet ndërkohë që nuk është përcaktuar se në ç’mënyrë do të funksionojë praktikisht një kompani siguracionesh në përcaktimin e primeve të sigurimit të makinave. Sipas ndryshimeve në ligj, që u miratuan dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, zotëruesit e automjeteve duke nisur nga muaji shtator i këtij viti do t’i nënshtrohen një skeme të re pagese për siguracioni të makinave. Tabela e çmimeve nuk do të jetë më e unifikuar dhe e përcaktuar nga Ministria e Financave, por do të jenë vetë kompanitë, të cilat do të vendosin në mënyrë të pavarur tarifat e primit të sigurimit sipas kushteve të tregut, por më parë do të duhet të njoftojnë zyrtarisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Në këtë mënyrë, Ministria e Financave ka vendosur të ligjërojë informalitetin e evidentuar në tregun e sigurimeve, duke tentuar të liberalizojë këtë treg. Ndryshimet e bëra në këtë projektligj, diktojnë Autoritetin Mbikëqyrës Financiar të miratojë rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e provigjioneve teknike. Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi ka njoftuar zyrtarisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Megjithëse, tarifat do të liberalizohen, ndryshimet në ligj parashikojnë që shoqëritë e sigurimit të krijojnë rezervat teknike (provigjonet) jo më pak se niveli i rezervave teknike të përcaktuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti gëzon sipas ndryshimeve të bëra në ligj, të drejtën e miratimit të rregullave për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e rezervave teknike. Autoriteti diktohet nga ligji, që nëqoftëse konstaton se kushtet e përgjithshme të sigurimit nuk janë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, miraton vendime, të cilat trajtojnë mënyrën sipas së cilës shoqëria e sigurimit duhet t’i përputhë ato. Gjithashtu, ligji parashikon si rezultat të liberalizimit, ndryshime edhe në sanksionet që do të vendosen në këto raste.
Siguracionet e makinave, ja si paguhen tani
Aktualisht të gjithë zotëruesit e një mjeti motorik, pavarësisht kategorisë, paguajnë siguracionin T.P.L të makinës së tyre, sipas fuqisë së motorit të tyre dhe sipas një tabele unike të përcaktuar nga Ministria e Financave. Për shembull, një shtetas shqiptar që zotëron një autoveturë me fuqi motorike r mbi 1500 kubikë për të lëvizur në territorin Shqiptar paguan për të prerë këtë siguracion 5400 lekë, ndërsa për një autoveturë me një motor deri në 1600 kubikë 8000 lekë. Por, nga një vëzhgim që bëri ditën e djeshme gazeta “MAPO”, në agjencitë e sigurimit të makinave, rezultoi sipas zërit të agjentëve se në këtë treg ka abuzime si nga agjentët, po ashtu edhe nga klientët që posedojnë një mjet motorik. Sipas tyre, arsyeja është fitimi në lekë dhe thithja e klientelës nga ana e agjentëve duke ulur çmimet. “Ne luajmë me uljen e çmimeve të policave të sigurimit. Ne paguhemi me komision dhe komisioni ynë del nga pagesa e Primit, që është paga neto e siguracionit”, - u shpreh një nga agjentët e siguracionit të automjeteve. Sipas tyre, abuzime të tilla vihen re çdo ditë në procesin e prerjes së policave të sigurimit. “Por nga ana tjetër, mungon edhe kultura e sigurimit në tregun shqiptar. Edhe pse tregu ynë është më i liri në rajon përsa i përket sigurimit të makinave, klientët tanë kërkojnë ulje. Madje ata abuzojnë me veten duke kërkuar për shembull të sigurojnë një kamion për një autoveturë me motor 1600 kubikë. Dhe në rast aksidenti, ata nuk përfitojnë asnjë dëmshpërblim, pasi fatura që posedon klienti me faturat e agjencisë së sigurimit nuk korrespondojnë. Ka pasur mjaft raste të tilla”, - u shpreh një tjetër agjentë sigurimi makinash. Sipas tij, abuzimet mund të vihen re vetëm në rast aksidentesh. Agjentët theksuan se abuzimet nga ana e klientëve vijnë nga mungesa e kulturës dhe jetëgjatësia e vogël e këtij tregu në Shqipëri. Për këtë, Ministria e Financave ka vendosur të liberalizojë tregun e sigurimeve.