E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria ajrore, BE vendos në 15 majin për Shqipërinë

Komisioni Evropian i ka kërkuar Shqipërisë që të përmirësojë urgjentisht sigurinë ajrore në të kundërtën vendi mund të përballet me masa ekstreme. Afati i fundit është data 15 maj e këtij viti.  Në një deklaratë zyrtare të publikuar një ditë më parë Komisioni vëren se autoritetet shqiptare duhet të rrisin kapacitetet për të monitoruar sigurinë ajrore në kompanitë

vendase të cilat ato vetë kanë licencuar. Kjo deklaratë e Komisionit vjen pas një raporti të bërë nga Agjencia Evropiane e Sigurisë Ajrore, e cila i ka raportuar komisionit se Shqipëria nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara në sigurinë ajrore. Komisioni paralajmëron se do të mbikëqyrë nga afër procesin në këtë fushë. Praktikisht Komisioni e ka vënë Shqipërinë përpara një testi të vështirë, ku i kërkon që të përmirësojë rrënjësisht sigurinë brenda një afati shumë të shkurtër kohor. Ndërkohë burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil bëjnë të ditur se brenda datës 15 maj komisioni do të marrë edhe vendimin përkatës për këtë ccështje dhe nëse Shqipëria nuk do të arrijë të përmbushë dot kriteret atëherë vendi rrezikon që të futet në listën e zezë ajrore të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë që fluturimet e kompanive ajrore shqiptare nuk do të lejohen më të shkelin hapësirën e Bashkimit Evropian. Megjithatë drejtues të lartë të aviacionit Civil janë shprehur optimistë se janë të gjitha mundësitë që kushtet e vëna nga BE- të përmbushen përpara afatit të vendimit në datën 15 maj. Aktualisht Shqipëria ka dy operatore fluturimesh ajrore vendas, të cilat kryejnë fluturime në një sërë destinacionesh të BE-së.

Last Updated on E Merkure, 31 Mars 2010 20:43

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›