E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot nis shpërndarja e Bonove për ish të përndjekurit, ulet përqindja e tyre në treg

Ja procedurat dhe afatet që do të ndiqen në procesin e rishpërndarjes së bonove dhe letrave me vlerë

Sot nis shpërndarja e bonove të ish-të përndjekurve, por vlera e tyre në treg ka pësuar rënie. Vendimi i qeverisë për legalizimin e dertimeve pa leje deri në masën 70 për qind me bono privatizimi rriti vlerën e tyre në treg 20-22 për qind. Ndërsa me nisjen e rishpërndarjes së bonove nga ministria e Financave vlerë e tyre ka pësuar një rënie nga 18- 16 për qind. Procedura

do të zgjasë 6 muaj, deri në fund të shtatorit të këtij viti. Rialokimi do të kryhet nga bankat e nivelit të dytë. Burime zyrtarë nga Ministria e Financave bënë të ditur dje se rishpërndarja e bonove të privatizimit dhe e letrave me vlerë të të përndjekurve të investuara në fondet e investuara të krijuara në përputhje me ligjin për fondet e investimeve. Ndërkohë që bonot që do të mbeten pa u shpërndarë do të asgjësohen nga Ministria e Financave në bazë të një akti normativ, i cili pritet të hartohet menjëherë pas skadimit të afateve për rishpërndarjen e tyre.

Projekti
Projekt udhëzimi Për procedurat dhe afatet e rishpërndarjes së bonove të investuara në fondet e Investimeve të krijuara në përputhje me ligjin nr. 7979 datë 26. 07. 1995 Për Fondet e Investimeve, është akti nënligjor i hartuar në zbatim të pikës 4 të nenit 137 të ligjit nr 10198 datë 10.12. 2009 Për sipërmarrjet e investimeve kolektive. Sipas kësaj dispozite Ministria e Financave me hyrjen në fuqi të ligjit, është autorizuar të rregullojë me udhëzimin e procedurave dhe afatet e rishpërndarjes së bonove të privatizimit të investuara në fondet e investimit. Projekti përcakton që rishpërndarja e bonove të privatizimit dhe e letrave me vlerë të të përndjekurve të investuara në fondet e investuara të krijuara në përputhje me ligjin për fondet e investimeve, do të kryhet pranë bankave të nivelit të dytë që kanë shërbyer si banka depozitore të fondit përkatës. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e financave mësohet se afati i rishpërndarjes do të fillojë në datën 1 prill të këtij viti dhe do të vijë deri në datën 30 shtator të po këtij viti. Ndërsa në lidhje me tarifat e rishpërndarjes do të jenë bankat e nivelit të dytë ato që do të përcaktojnë komisionet në bazë të tarifave që aplikojnë bankat për këtë proces.


Urdhri
Urdhri që pritet të zbatohet së shpejti nga Ministria e Financave parashikon që çdo individ i interesuar duhet të tërheqë bonot e investuara sipas legjislacionit në fuqi pranë bankës përkatëse. Autoriteti i përgjegjës për përcaktimin e dokumenteve identifikuese dhe dokumentacionit të nevojshëm, është vetë banka. Kthimi i bonove do të bëhet në vlerën e investuar. Bankat depozitare duhet të paraqesin raportin me shkrim pranë Ministrisë së Financave në lidhje me sasinë e rishpërndarë të bonove si dhe sasia e mbetur pa shpërndarë, Procedurat e asgjësimit të bonove të mbetura do të rregullohet me një akt të veçantë në përputhje me legjislacionin e fushës. Në rast se individi që ka investuar fondin e investimit rezulton i vdekur kthimi i bonove të depozituara do të bëhet në përputhje me Kodin civil që rregullojnë trashëgiminë. Rreth  64 miliardë lekë bono privatizimi të cilat qëndrojnë të ngrira, do të kthehen në duart e investitorëve. Këto para i përkasin fondit Anglo-Adriatika, që u mblodhi letrat me vlerë shqiptarëve në vitet '95-97. Me ligjin e ri, që ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend pritet të marrin jetë këto letra me vlerë. Njëkohësisht me miratimin e projektligjit të vlerësimit të letrave me vlerë të ish-të përndjekurve politikë, rreth 12.5 miliardë lekë letra me vlerë pritet të gjallërohen. Ekziston një projekt i vjetër i cili pretendonte të vlerësonte bonot e privatizimit në masën e 20-përqindëshit të vlerës së tyre, të cilat do të konvertoheshin në aksionet tek kompaninë publike, të privatizuar tashmë. Po t'i referohemi ligjit, rezulton se në nenin 12, ligji 8306 dt. 14.03.1998 Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë, caktohet se pjesëmarrja e letrave me vlerë për privatizim, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë, përcaktohen në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk do të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të llogaritur.

Bien interesat për bonot e thesarit
Bien përsëri normat e interesit të Bonove të Thesarit. Në ankandin e zhvilluar ditën e martë, norma e interesit të Bonove me afat maturimi 12 mujor ra në 8.52%, nga 8.56% që ishte në ankandin e mëparshëm. Edhe ankandi i fundit konfirmoi kështu tendencën e pandërprerë rënëse të interesave të Bonove të Thesarit, tendencë e nisur qysh në fillim të muajit nëntor. Në pesë muajt e fundit, normat e interesit për Bonot 12 mujore kanë rënë me afërsisht një pikë përqindjeje. E njëjta tendencë po shfaqet edhe në Bonot me afate më të shkurtra maturimi. Ditën e martë u zhvillua edhe ankandi i radhës për emetimin e Bonove me maturim 3 mujor, që rezultoi me një normë mesatare të ponderuar prej 6.04%, nga 6.13% që ishin në ankandin paraardhës. Interesat e Bonove të Thesarit kanë ndjekur në një masë të madhe uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në fund të muajit tetor, por edhe përmirësimin e ndjeshëm dhe gradual të gjendjes së likuiditetit të bankave. Ulja e interesit të Bonove ul koston e huasë për kredimarrësit në lekë dhe përbën një hallkë të rëndësishme të lirimit të kushteve monetare në tregje. 

Letrat me vlerë, rishpërndahet vetëm Anglo-Adriatika
Ministria e Financave do të rishpërndajë bonot e privatizimit për 47 mijë familje që i kanë investuar në kompaninë Anglo-Adriatika. Sipas Ministrisë së Financave do të shpërndahen vetëm bonot që janë tek Anglo-Adriatika, pasi, bonot e tjera janë ende në përdorim nga qytetarët. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet Anglo-Adriatika, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare. Ekspertët shprehen se bonot ndodhen të depozituara në një bankë private në Tiranë dhe se sapo ligji të hyjë në fuqi, për një periudhë që pritet të zgjasë rreth 3 muaj, qytetarët do të kenë të drejtën të rimarrin mbrapsht bonot e tyre. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste, ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione.

Ornela Manjani

Last Updated on E Merkure, 31 Mars 2010 20:51

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›