Siguria në Detin e Zi, Zelensky kërkon mbledhjen e Këshillit NATO-Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO- s, Jens Stoltenberg që të thërrasë një takim të Këshillit NATO-Ukrainë për të diskutuar sigurinë në Detin e Zi dhe, në veçanti, funksionimin e një korridori për eksportin e grurit ukrainas.
Në mesazhin e zakonshëm të mbrëmjes, Zelensky deklaroi se gjatë bisedës së tyre telefonike i ka kërkuar Stoltenberg-ut që të mbledhë Këshillin, i cili u krijua gjatë samitit të Aleancës Veri-Atlantike në Vilnius.
Megjithatë, presidenti ukrainas nuk tregoi nëse NATO e ka pranuar propozimin e tij. “Në bashkëpunimin tonë, ne kaluam në një nivel të ri, më të avancuar, në Këshillin NATO-Ukrainë, dhe ky mekanizëm mund të ketë efekt. I sugjerova Jens që Këshilli të mblidhej pa vonesë për t’u konsultuar për krizën. Takimi do të zhvillohet në ditët në vijim. Ne mund ta kapërcejmë krizën e sigurisë në Detin e Zi”, tha ai.
Ndërkohë në 24 orët e fundit nga një sulm rus në portin histrik të Odessa-s humbi jetën një person, ndërsa u plagosën 6 të tjerë, mes tyre edhe katër fëmijë.
Nga sulmi u dëmtua edhe një katedrale ortodokse, për të cilën Zelenski tha se ushtria ukrainase do të hakmerrej .
“Raketa mbi qytete paqësore, ndërtesa banimi, kisha. Do të ketë patjetër hakmarrje kundër terroristëve rusë për Odesën. Ata do ta ndjejnë këtë ndëshkim”, tha Zelensky.
Gazetar Artur Mata
/RTSH/