MASH: Mësuesit që kanë kryer masterin, të vetëkualifikuar
Arsimtarët që kanë kryer master nuk do të paraqiten në provimin e testimit të 29 marsit për rritje page, sipas rregullores e ndryshuar së fundi, sepse ato e fitojnë kualifikimin automatikisht. "Të gjithë ata mësues që kanë plotësuar vjetërsinë sipas tre shkallëve të kualifikimit deri më 31 dhjetor 2008 dhe kanë kryer master, e fitojnë menjëherë kualifikimin.
Në total, në Drejtorinë Arsimore të Tiranës janë paraqitur rreth 270 arsimtarë që do ti nënshtrohen provimit për rritje page", thanë burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas rregullores, data e caktuar për të dhënë provimin, është 29 marsi. Tashmë programet e testimit sipas lëndëve janë shpërndarë në drejtoritë e shkollave dhe secili mësues mund ti gjejë ato pranë drejtorisë së shkollës së tij. Gjatë kësaj periudhe mësuesit që do të hyjnë në këtë proces do të pajisen me një vlerësim të brendshëm të realizuar nga drejtoria e shkollës dhe një vlerësim të jashtëm nga sektori i inspektimit në Drejtorinë Arsimore Rajonale. Testi i mësuesve do të jetë i specifikuar sipas profilit të tij. Pyetjet e testit do të kenë shumë ndryshime për një mësues të letërsisë, gjeografisë, matematikës, apo mësues të një lënde tjetër. MASH deklaron se provimeve të kualifikimit do tu nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët deri më datë 31 dhjetor 2008, plotësojnë vjetërsinë nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit, nga 10 deri në 19 vjet, për të dytën dhe 20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit. Provimi i kualifikimit nuk ka vetëm qëllime titujsh, por do të shoqërohet edhe me stimulime financiare. Për kategorinë e tretë shtesa e pagës është 10 për qind, për të dytën 10 për qind dhe për të parën 20 për qind. Mësuesi që nuk merr pjesë në provim, ka mundësi të hyjë vitin tjetër. Procesi i testimit me shkrim për efekt atestimi, i nisur dy vite më parë, ka si synim ngritjen profesionale të mësuesve sipas devizës së MASH: "gjithçka për nxënësin, duke bërë çmos për mësuesin". Deri dje kualifikimi i mësuesve është bërë në bazë të një udhëzimi të lëshuar 16 vjet më parë dhe kishte degraduar në një avancim automatik në karrierë dhe në pagë, pa u lidhur fare me aftësitë individuale të secilit mësues. Mënyra se si organizoheshin testimet e kualifikimit në Drejtoritë Arsimore Rajonale, ishte formale dhe gjithmonë 100% e atyre që hynin në provim, rezultonin fitues.