E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani i kërkon bankave kreditim për bizneset eksportuese

Ditën e djeshme guvernatori Fullani u ka bërë thirrje bankave për të kredituar bizneset. Fullani kërkoi nga bankat të tregoheshin më të kujdesshme ndaj kompanive eksportuese duke i ndihmuar në aktivitetin  e tyre me kredi. Vlerësojeni më me kujdes rolin dhe potencialet e këtij biznesi, qëndrojini afër me këshilla dhe konsulentë financiare, rishikoni politikat tuaja të vendosjes së komisioneve për këtë biznes dhe  jepini përparësi financimit më të madh të tij, - ka apeluar Guvernatori. Në kuadër të ndërtimit të një dialogu të vazhdueshëm partneriteti midis  komunitetit bankar dhe atij të biznesit, ditën e djeshme Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim me përfaqësues të  kompanive eksportuese dhe të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Guvernatori Fullani fillimisht ka diskutuar me të pranishmit rreth zhvillimeve më të fundit në ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Zhvillimet makroekonomike të viteve të fundit dhe tendencat e përgjithshme të shfaqura në tregues të nivelit të jetesës tregojnë se ekonomia shqiptare arriti të dilte nga faza e tranzicionit për të hyrë në grupin e vendeve në zhvillim. Megjithatë, aktualisht ekonomia shqiptare po ndikohet nga zhvillimet e raundit të dytë që kanë prekur ekonomitë të zhvilluara të botës. Në praninë e përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Guvernatori Fullani ka kërkuar më shumë mbështetje për industrinë eksportuese, e cila ka dhënë një kontribut konkret në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjithashtu evidentoi domosdoshmërinë e shkëmbimit të informacionit midis Bankës së Shqipërisë dhe vetë bizneseve. Për këtë qëllim, ai i bën apel  komunitetit të biznesit që të bashkëpunojë me Bankën e Shqipërisë, për të ofruar informacion të vlefshëm në lidhje me aktivitetin e tyre ekonomik dhe pritshmërinë e tyre në të ardhmen. Analizat dhe studimet që përpilohen mbi bazën e këtij informacioni, siç janë vrojtimet  e biznesit, janë të vlefshme jo vetëm për Bankën e Shqipërisë në procesin e saj të vendimmarrjes së politikës monetare, por njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë biznesin për hartimin e planit të tyre të zhvillimit në biznes. Duke pasur parasysh rëndësinë qe përfaqëson ky sektor për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, shoqata shqiptare e bankave në emër të sistemit bankar shprehu predispozitën e këtij të fundit, për të krijuar mundësitë e nevojshme për një mbështetje më të madh për ketë sektor strategjik.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›