Sigurimet, çfarë do të falet nga ISSH
Instituti i Sigurimeve Shoqërore detajon se çfarë do të falet nga ky institucion në kuadër të amnistisë fiskale të shpallur nga qeveria, e cila do të lehtësojë disi xhepat e disa kategorive që nuk i kanë paguar në kohë kontributet e sigurimeve shoqërore, gjobat si dhe kamatëvonesat. Specialistë të kontributeve në ISSh sqarojnë se tashmë gjithçka është gati dhe se priten vetëm udhëzimet nga Ministria e Financave, për të zbatuar në praktikë faljen e kontributeve, kamatëvonesave dhe gjobave. Ndërkaq, ata shpjegojnë paraprakisht se çfarë do të falet nga ISSH-ja, pasi jo të gjitha kategoritë përfituese do të përfitojnë në kushte të barabarta, për shkak të specifikave që ato kanë. Kështu, sipas specialistëve të ISSh-së, për të vetëpunësuarit do të falen vetëm detyrimet e vitit 2009-2010 dhe jo kamatëvonesat, me kusht që ata të likuidojnë pagesën e kontributeve për vitin 2011. Ndërkohë që kjo periudhë 2-vjeçare sigurimesh që do të falet nuk do të njihet si vjetërsi pune për efekt pensioni, por ajo thjesht nuk do t’u kërkohet të vetëpunësuarve nga Tatimet, nëse ata do të kërkojnë të derdhin pagesa kontributesh për vitet e tjera. Ndërsa për të punësuarit e tjerë që punojnë në kompani dhe subjekte të ndryshme, do t’u falen tërësisht vetëm gjobat dhe kamatëvonesat deri në fund të vitit 2010, por jo detyrimet për të paguar pagesat e pashlyera, sepse në mjaft raste ndodh që në këto vende të jenë punësuar edhe njerëz të tjerë, ndërkohë që kanë ngelur të pasiguruar ata të mëparshmit. Sipas specialistëve të kontributeve, kjo amnisti ka më shumë rëndësi për fermerë, sepse janë e vetmja kategori që u falen kamatëvonesat, gjobat dhe detyrimet që nga viti 1993 deri në vitin 2008. Në këto kushte, fermerët futen në kushte sigurimi dhe arrijnë të përfitojnë deri në 50% të pensionit të qytetit. “Për fermerët, apo ndryshe të vetëpunësuarit në bujqësi, falen kontributet nga dita kur kanë hyrë në skemë deri më 2008. Për vitin 2008 dhe deri më tani ata mund të derdhin dhe shumën e plotë të kontributeve brenda dhjetorit të këtij viti. Dhe sikur të mos jenë derdhur kontribute asnjë vit, po të derdhin për këto 17 vite e gjysmë, ata fitojnë gjysmën e pensionit të qytetit, duke qenë se tani është hequr me ligj pensioni i fshatit, po ka vetëm pension pleqërie”, - shpjegojnë specialistët. Aktualisht, ISSh po pret një udhëzim nga Ministria e Financave, në mënyrë që fermerët të nisin procedurat. Aplikimi për faljen e kontributeve dhe pagimin për dy vitet e tjera do të vazhdojë deri më 30 dhjetor të këtij viti. Në momentin që do të vijnë udhëzimet nga Ministria e Financave, ISSh do të nisë një fushatë të fortë publicitare, për të treguar procedurat e aplikimit dhe kushtet e përfitimit. Po ashtu edhe inspektorët e Sigurimeve Shoqërore do të jenë të gatshëm të japin shpjegimet e nevojshme për procedurat. Vitin e kaluar u mendua se do të ishte falja e fundit për fermerët, pasi kjo është bërë gati çdo vit me ligj të veçantë, por kësaj kategorie po u jepet dhe një herë shansi.