Ekspertët: Falja fiskale të shtyhet në vjeshtë
Falja fiskale nuk duhet të nisë nga aplikimi para vjeshtës, për shkak të kushteve në të cilat ndodhet vendi nga zgjedhjet vendore. Ekspertët e ekonomisë mendojnë se periudha postzgjedhore do të konsumojë edhe më shumë energji nga administrata dhe grupet e interesit, duke e bërë kështu të pafavorshëm ambientin për implementimin e amnistisë fiskale. Artan Gjergji, drejtor i Fondacionit për Liri Ekonomike, ekspert i fushës, tha dje për MAPO-n se zbatimi i mëvonshëm i amnistisë diktohet nga kushtet në të cilat ndodhet vendi aktualisht. Gjergji e lidh shtyrjen e procesit të shumëpritur nga individët dhe biznesi me zgjedhjet lokale, të cilat ende janë në proces. Sipas tij, situata zgjedhorë ndikon në shumë aspekte në aplikimin e amnistisë. Së pari, se administrata, ajo vendore dhe qendrore, janë tashmë me vëmendje të përqendruar te zgjedhjet. Sipas afateve të parashikuara në ligjin për amnistinë, tashmë duhet të kishte nisur aplikimi i saj. Por Ministria e Financave ka konfirmuar, sakaq, se i ka gati të gjitha udhëzimet për nisjen e procesit pas botimit të ligjit në Fletoren Zyrtare, mirëpo pa përfunduar procesi i numërimit të votave udhëzimet nuk do të shpërndahen në institucionet përkatëse. Ndërsa Gjergji thotë se, edhe pas përfundimit të numërimit të votave, konsumimi i amnistisë nuk do të rezultojë shumë eficent në një periudhë të tensionuar që shoqëron procesin post zgjedhor si zakonisht në vendin tonë, që, sipas tij, këtë radhë do të jetë i gjatë. Sipas tij, nisur nga zhvillimet, në Tiranë, do të ketë kontestime që çojnë pasigurinë në nivele të tjera. Gjithashtu, kjo periudhë përkon edhe me sezonin veror, ku administrata dhe të interesuarit për amnistinë nuk do të jenë në pozicionet e tyre normale, çka do të bënte aplikimin e amnistisë më të vaket. Gjergji shpjegon se shtyrja për në vjeshtë e afateve të aplikimit të faljes fiskale do të kishte një eficencë më të lartë, si grupet e interesit, po edhe për buxhetin e shtetit. Në fakt të njëjtin mendim me Gjergjin ndajnë edhe ekspertë të tjerë të ekonomisë, sipas të cilëve në asnjë rast përzierja e amnistisë me një proces zgjedhor nuk do të kishte eficencë. Në fakt në Ministrisë së Financave pohojnë se të gjitha udhëzimet plotësuese janë gati dhe ligji do të fuqizohet menjëherë pas 2 javëve. Në këtë pikë bizneset dhe qytetarët i ndajnë vetëm pak ditë nga përfitimet që ata do të kenë nga ligji i faljes dhe i legalizimit. Ashtu siç është deklaruar, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët që do të deklarojnë të ardhurat e tyre, pasuritë e tyre si dhe do të përfitojnë nga falja e të gjitha detyrimeve të papaguara, si lokale ashtu dhe nacionale. Gjithashtu, do të jenë përfitues bizneset e vegjël dhe të mëdhenj, të cilëve do t’u falen detyrimet si dhe do të kenë mundësi të legalizojnë asetet e tyre. Ligji i publikuar dje në Fletoren Zyrtare parashikon faljen e detyrimeve të prapambetura, gjobave dhe kamatëvonesave deri në periudhën 31 dhjetor 2010, për biznesin e vogël. Gjithashtu, në ligjin në fjalë parashikohet të falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe gjobat e kamatëvonesat e papaguara deri më 31 dhjetor 2010 për të vetëpunësuarit.