E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, fermerët nisin të plotësojnë vitet e punës

05/08/2010 Hjirokastër

Rritet numri i fermerëve në rrethin e Gjirokastrës që përfshihen në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Duke parë përfitimet e mëdha që ofron kjo skemë shumë fermerë të këtij rrethi po derdhin kontributet si të vetëpunësuar në bujqësi. Sipas Astrit Çelibashit, përgjegjës i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër, thotë se nga 514 të planifikuar në vitin 2005, sivjet janë siguruar në jug të vendit 1400 fermerë, ose 200 për qind. “Të ardhurat financiare nga skema e të vetëpunësuarve në sektorin e bujqësisë janë pozitive, sidomos gjatë viteve të fundit”, deklaron Çelibashi. “Nga një vit më parë të ardhurat nga kjo skemë janë rritur në 70 për qind. Nga 7.885 mijë lekë në vitin 2005, në 6 mujorin e parë të këtij vitit janë realizuar 31.504 mijë lekë”, shprehet ai. Sipas tij, rritja e pensionit të fshatit, si dhe ulja e pagesës së sigurimeve ka joshur fermerët. Çelibashi mendon se ndikim në rritjen e numrit të të vetësiguruarve vullnetarisht në skemën e sigurimit ka dhënë edhe sigurimi shëndetësor, pasi fermeri që paguan vullnetarisht sigurime shoqërore përfiton automatikisht shërbimit shëndetësor. Çelibashi shpreson se të ardhurat nga sigurimi vullnetar pritet të rriten gjatë këtij muaji pas ardhjes së një numri të madh emigrantësh për pushime në vendlindje. Pjesë e kësaj skeme është edhe fermeri nga Lunxhëria e Gjirokastrës, E.Shehu, 57 vjeç, babai i pesë fëmijëve të rritur, është një nga të pakët fermerë i cili ka paguar vullnetarisht sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ai thotë se qysh nga viti 1993 ka përfituar tokë nga ligji 7501, është vetëpunësuar në bujqësi dhe për pesë vjet do të përfitojë një pension të kënaqshëm. “Kam vuajtur në rini, por dua të rehatohem në pleqëri”, thotë me humor Shehu, ndërsa shton se vitet e punës nuk mund të hidhen poshtë. Shehu tregon se paguan çdo vit rreth 40 mijë lekë të reja dhe i regjistron në librezën e sigurimit. “Bujqësia është sektor i vështirë dhe fatkeqësisht nuk ekzistojnë kontrata pune”, pohon ai. Ai ka në pronësi rreth 10 hektarë tokë, ndërkohë që Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për Qarkun e Gjirokastrës e ka subvencionuar nga viti 2005 -2008. Aktualisht skema e të vetë punësuarve në sektorin e bujqësisë është shumë e favorshme, pasi ata paguajnë vetëm 15 për qind të shumë, pasi pjesën e tjetër e subvencionon buxheti i shtetit, ndërkohë që të gjithë këta persona kur të plotësojnë moshën do të përfitojnë pension pleqërisë në të njëjtën masë me ata të qytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›