E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e punëtorëve te KURUM, sindikata paralajmëron grevë urie

05/08/2010 Ndërhyrja e policisë për grevë të paligjshme, priten forcat speciale

Ka shkuar në 400 numri i grevistëve të kompanisë “Kurum”, të cilët në ditën e dytë kanë bllokuar edhe qarkullimin e mjeteve të transportit të firmës. Gjatë paradites punëtorët kanë pasur edhe një përballje me policinë, pasi nuk kanë lejuar lëvizjen e mjeteve të transportit të firmës. Në ditën e dytë të grevës pa afat janë bashkuar edhe punëtorët e petëzimit, duke e çuar në 400 numrin e grevistëve e duke paralajmëruar grevën e urisë. Ndërkohë “Kurum” nëpërmjet një deklarate drejtuar punëtorëve e ka cilësuar grevën të paligjshme, madje i ka kërcënuar punëtorët në bazë të Kodit të Punës me largim nga puna.

Qëndrimi

“Federata Sindikale e Industrisë, e përfaqësuar nga Tafë Koleci, ka ndërprerë punën, duke bllokuar hyrjet dhe daljet në kompani në kundërshtim të hapur me ligjin. Njoftohen të gjithë punëmarrësit e shoqërisë Kurum-sh.a se greva e drejtuar dhe e organizuar nga kjo federatë është e paligjshme, për shkak se zhvillohet në kundërshtim me nenin 197/3 të Kodit të Punës e kushtet e ligjshmërisë së grevës. Për sa më sipër, u bëjmë thirrje punëmarrësve të ndërpresin menjëherë këtë grevë dhe të ulen në bisedime, pasi në të kundërt shoqëria është e detyruar të zbatojë masat e përcaktuara në nenin 197/9 të Kodit të Punës, ku përcaktohet ndërprerja e kontratës së punës me punëmarrësin grevist, në rast se ai nuk kthehet në punë brenda tri ditëve nga greva e paligjshme dhe të dëmshpërblimit për dëmin që i është shkaktuar kompanisë. Kërkesa për dëmshpërblim mund të drejtohet edhe kundër sindikatës që organizon grevën.”

Punëtorët

“Kemi 8 muaj që vazhdojmë negociatat me kompaninë. Kemi grumbulluar 361 firma të punëtorëve me noter si anëtarë të Konfederatës Sindikale të Industrisë pas shkrirjes së sindikatës së vjetër. Kemi bërë një grevë njëorëshe më 24.05.2010, duke u bazuar në nenet 197, /1/2/3 të Kodit të Punës, duke arritur te greva pa afat. Kemi ndjekur të gjitha procedurat, nga lajmërimi i kompanisë Kurum, Ministrinë e Punës, të Ekonomisë, Ministrinë e Brendshme dhe vetë kryeministrin. Kemi lajmëruar për fillimin e grevës Ministrinë e Brendshme. Pra, nuk dimë se si firma e cilëson grevën të paligjshme. Ky është një dezinformim që në një moment mund të përfshinte policinë. Ne nuk kemi ndërmarrë asnjë grevë politike. Greva jonë është ekonomike dhe me kërkesa të qarta e të mbështetura në ligj. Do të arrijmë deri në grevë urie, nëse nuk plotësohen kërkesat tona.”

Zbatimin e VKM 139 të vitit 2007

Koleci thotë se punëtorët marrin paga minimale 214 mijë lekë, ku përfshihet edhe pjesa e ushqimit. Ai thotë se sindikata po bën përpjekje maksimale për zbatimin e kontratës aktuale kolektive, e cila nuk zbatohet nga pala turke. Kjo kontratë është e vlefshme të paktën edhe një vit, por sipas tij nuk është zbatuar në disa pika, duke trajtuar në mënyrë të njëanshme punëtorët. Ndërkohë kompania turke i ka quajtur sindikatat në konflikt me njëra-tjetrën, duke e cilësuar këtë një problem që sjell edhe mosmarrëveshje për zgjidhjen e kërkesave të grevistëve.

Pritet që ditën e tretë në ambientet ku zhvillojnë grevën punëtorët të mbërrijnë forcat speciale RENEA. Ata do të mbrojnë ambientet e firmës pas një kërkese që kjo e fundit ka bërë, duke e cilësuar këtë grevë të jashtëligjshme. Punëtorët ndërkohë kërcënojnë me grevë urie deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Kërkesat e punëtorëve janë: largim të menjëhershëm të drejtuesit turk dhe të tre punëtorëve që kanë dhunuar njërin prej punëtorëve shqiptarë; institucionalizim të marrëdhënieve punëdhënës-punëmarrës në përputhje me legjislacionin dhe me vendimet e Federatës Sindikale të Shqipërisë; rritje të pagës në mënyrë progresive deri në 20%, si dhe indeksimin e saj me bazë inflacionin vjetor në bazë të ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›