I riu me probleme mendore kërcënon familjen
Një i ri me probleme mendore ka mbajtur peng për rreth një orë familjen e tij, duke i kërcënuar me thikë se do i vriste. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën “Fortuzi” në Tiranë, ndërkohë që familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë. Ata kanë deklaruar se i afërmi i tyre 22-vjeçar, kishte dalë nga spitali psikiatrik, kishte mbërritur në shtëpi, ku mori një thikë dhe kërcënoi se do i vriste të gjithë. Me t’u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar patrullat e Komisariatit Nr. 3, të cilat kanë konstatuar 22-vjeçarin e dhunshëm dhe kanë kërkuar një ambulancë, që ta shoqërojnë atë në spital. Sipas të dhënave policore, i riu Granit G., kurohej në spitalin nr. 5, por paraditen e djeshme, kishte marrë leje nga mjekët për dy orë. Sapo është lënë i lirë, ai ka vrapuar në shtëpi dhe familja e tij është habitur kur e ka parë, pasi ishte person i rrezikshëm po të lihej i lirë. Ata e kanë pyetur sesi kishte mundësi që kishte ardhur në shtëpi dhe i nevrikosur u ka deklaruar se nuk do të shkonte më në spital. Në këto kushte, ai ka marrë një thikë në kuzhinë dhe ka vënë përpara gjithë familjen, duke e mbajtur peng, e duke u thënë se do i vriste se ata donin ta çmendnin. Në këto kushte, familja e tij, nga frika se mund të shkaktonte ndonjë ngjarje më të rëndë, ka njoftuar policinë, duke kërkuar ndihmën e tyre. Shërbimet e patrullës së Komisariatit Nr. 3, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë neutralizimin e personit me probleme mendore, duke e izoluar atë, në pritje që të qetësohet. Nga ana tjetër, policia ka thirrur një ambulancë të spitalit dhe e ka çuar në psikiatri. Sipas të dhënave nga policia, pas dërgimit të tij në spital, personi me probleme mendore është qetësuar, duke kërkuar që të rikthehet sërish në banesë, por nga frika, familja nuk e ka marrë duke e lënë të kurohet në spital.
#