Grabitet arka e CEZ-it në Tiranë
Ka qenë ora rreth 17:00, kur një person i pamaskuar e i paarmatosur ka grabitur me dhunë një arkë të CEZ-it në kryeqytet. Një person i paidentifikuar akoma nga forcat e policisë ka vjedhur pasditen e djeshme, arkën ku bëhet pagesa e faturave të energjisë elektrike. Ngjarja ka ndodhur në njërën nga arkat që ndodhen në afërsi të stadiumit “Dinamo”. Sipas policisë, shuma e grabitur në arkë nuk është më shumë se 65000 lekë të vjetra, ndërsa shprehen se po punohet për të bërë edhe identifikimin e autorit. Blutë e kryeqytetit, pasi kanë mbërritur në vendngjarje, kanë filluar edhe hetimet për grabitjen e arkës ku bëhet pagesa e energjisë elektrike. Grabitësi ka kërcënuar arkëtaren me dhunë, duke marrë edhe shumën e lartpërmendur. Sipas dëshmisë së saj, ai ishte i pamaskuar, ndërsa është larguar në drejtim të paditur, menjëherë pas grabitjes. Nuk dihet nëse është ndihmuar nga persona të tjerë. Sipas policisë, dyshohet se grabitësi mund të jetë edhe ndonjë përdorues droge, i cili duke shfrytëzuar momentin që arkëtarja ka qenë vetëm, ka kryer edhe vjedhjen e 6500 lekëve. Ky është rasti i tretë i grabitjes së arkave brenda periudhës 6-mujore, ku bëhen edhe pagesat e faturave. Por ndryshe nga dy të parat, të cilat kanë qenë vetëm tentativa për grabitje, por ku kanë ngelur të plagosura me armë zjarri dy arkëtare, ditën e djeshme arka është vjedhur.