E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimi i jetës së policëve, ende premtim elektoral

Një tjetër efektiv vdiq dje, ndërsa qeveria nuk ka rishikuar statusin e të rënëve

Të rënët në krye të detyrës nga radhët e policisë shtohen çdo ditë, ndërkohë që qeveria ende nuk ka nxjerrë një vendim e nuk ka marrë nismën për krijimin e një ligji për sigurimin e jetës së punonjësve të policisë. Rasti i fundit u shënua dje, kur një efektiv policie u nda nga jeta, për shkak të një aksidenti, teksa ishte duke kryer detyrën. Megjithatë, duket se politika shqiptare kujtohet për punonjësit e policisë, për ata të cilët çdo ditë përballen me krimin dhe ruajtjen e rendit, vetëm kur tragjedi ndodhin në radhët e tyre. Rasti i fundit që qeveria shqiptare tha fjalë të ngrohta ishte kur katër oficerë policie u vranë në një operacion për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Por ende nuk ka marrë ndonjë vendim dhe nuk ka nxjerrë ndonjë ligj për jetën e tyre, duke e lënë policinë shqiptare, të vetmen pa figuracion jete.

Pikërisht në vitin 1999 është miratuar një vendim qeverie, në të cilin deklarohet se, nëse një punonjës policie vritet në krye të detyrës, ai dëmshpërblehet me tre paga mujore. Kaq ka parashikuar qeveria shqiptare, e çfarëdo kohe qoftë, për njerëzit tek të cilët mbështeten jo vetëm ata, por i gjithë populli për ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike. Drejtues organizatash për punonjësit e policisë, qoftë ata në lirim, apo ata në punë, shpeshherë kanë kërkuar vëmendje në këtë çështje, por asnjëherë nuk kanë gjetur mirëkuptim, asnjëherë nuk ka shkuar kjo çështje më tepër se një diskutim. Qeveria është detyruar disa herë, kur është përballur me situata të këtij lloji, ku punonjës policie janë vrarë në detyrë, të vendosë ndonjë shumë simbolike në nderim të tij dhe në ndihmë të jetimëve të lënë pas, por asnjëherë nuk është marrë nisma që kjo të shkojë deri te ligjvënësit shqiptarë e të vendoset njëherë e mirë fati i atyre jetimëve, pasi këta dëshmorë kanë dhënë jetën për këtë shtet.

E ky problem nuk është vetëm për një repart, një komisariat, apo një drejtori policie, por për të gjithë policinë. Nuk është vetëm për policinë, por edhe për ushtrinë. Specialistët deklarojnë se kjo është një shkelje flagrante, krahasuar me policitë e gjithë vendeve të tjera perëndimore, por edhe krahasuar me profesione të vështira brenda Shqipërisë. Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se sigurim jete në Shqipëri përfitojnë një sërë kategorish profesionesh, por jo policia. Burimet nga policia tregojnë se ky problem është ngritur disa herë, të paktën duke kërkuar sigurim jete për forcat speciale, të cilët përballen me elementët më të rrezikshëm të krimit të organizuar.

Madje, në fund të muajit tetor, ministri Basha informoi se po përgatitet një projektvendim që do të shkojë për miratim në Këshillin e Ministrave për trajtimin financiar të familjeve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, ku përfshihet periudha që nga 31 marsi 1991 dhe shumë shpejt do të nisë puna për rishikimin e statusit të punonjësve të Policisë. Megjithatë, ky vendim nuk është marrë ende. Në ditën përkujtimore të të rënëve të policisë në krye të detyrës, pikërisht më 26 tetor, Basha deklaroi se borxhi që shoqëria ka ndaj policisë nuk mund të lahet kurrë. “Jo vetëm në shenjë mirënjohjeje, por si thelb i ekzistencës së çdo shoqërie, ne duhet të tregojmë se duke nderuar kujtimin e të rënëve nderojmë sakrificën për të ardhmen e gjithë shoqërisë”, deklaroi ministri Basha, duke garantuar në emër të qeverisë për përkujdesje të vazhdueshme ndaj familjeve të punonjësve të policisë rënë në krye të detyrës. Megjithatë, këto fjalë nuk janë vënë ende në zbatim, pavarësisht se numri i të rënëve të policisë në krye të detyrës rritet nga dita në ditë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›