Rama: Me njohjen e rezultatit, dhamë kompromis për zgjidhje
Në kulmin e negociatave për zgjidhjen e krizës politike, kryetari i opozitës, Edi Rama, qartëson se ai nuk ka se çfarë të lëshojë më për të shkuar te marrëveshja. Sipas Ramës, PS e ka bërë kompromisin e saj, duke njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ne e kemi bërë kompromisin tonë, duke njohur rezultatin dhe duke përcaktuar se kjo është një betejë jo për interesin e Partisë Socialiste, as për të marrë pushtetin në tavolinë, por për interesin e të gjithë vendit dhe të gjithë popullit shqiptar, sepse çdo qytetar i këtij vendi që nuk jeton në oborrin e Sali Berishës dhe nuk ushqehet përmes uzurpimit të pushtetit të sotëm, është i interesuar që këtu të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme për këdo, kudo dhe kurdoherë”, deklaroi dje Rama në emisionin “Faktor Plus”.
Pasdite, kreu socialist u ndal në qytetin e Elbasanit për të zhvilluar takimin e radhës në turin “Shqipëria në krizë, arsyet e protestës”. Në vijim të arsyetimit të tij lidhur me kërkesën e PS për hetim, Rama tha se “ne jemi tërësisht brenda kuadrit kushtetues dhe ky hetim duhet të ndodhë jo për të përmbysur pushtetin, por për të përmbysur sistemin elektoral që është kthyer në një betejë mes opozitës dhe shtetit, që është bërë një me pushtetin, ku nëpërmjet të gjitha mekanizmave legjitimë të shtetit dhe nëpërmjet qarkullimit të një sasie parash vota nuk ka vlerën që duhet të ketë”. Rama shprehu vendosmërinë e PS që, nëpërmjet transparencës së hetimit, të dalin të gjithë ata që kanë futur duart në kuti dhe ata që janë mësuar që ta përdorin ditën e votimit si ditën e pazarit të madh. “Ne duam që kjo të marrë fund. Dhe ne duam që ata të cilëve ju besojmë që nga komisioneri më i thjeshtë e deri në qeveri, të mos guxojnë ta përdorin përfaqësimin si avantazh personal. Ne duam që në bazë të këtij hetimi, të nxjerrim të gjitha konkluzionet e nevojshme për të bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore, që të mos ketë më zgjedhje kur qytetarët votojnë e pushteti numëron, por zgjedhje të paktën si në vendet e rajonit, ku zgjedhjet mbyllen normalisht dhe fituesi i qeverisë dhe opozita të vazhdojë detyrën e saj”, nënvizoi kreu socialist.
Rama kundërshtoi idenë e qeverisë, se opozita kërkon atë që gjykata e ndalon. Ai sqaroi se ajo që është e rëndësishme për opozitën është që të mos përjashtohen kutitë. “Nuk mund të ketë hetim zgjedhjesh kur nuk ka hetim kutish. Hetimi do të shtrihet më gjerë, sepse ne duam të hetojmë të gjithë ata zyrtarë të lartë që kanë kërcënuar njerëz, që kanë rekrutuar, bërë presion për heqje nga puna, të gjithë ata që kanë dalë nga burgjet me leje të paligjshme të firmosura nga ministri i Drejtësisë, të gjithë ata kryetarë komunash që kanë bërë presion me ndihmën ekonomike që i kanë kushtëzuar votat e më të varfërve, të gjithë ata që si RTSH kanë shkelur ligjin për kohën e kështu me radhë”, nënvizoi ai.
Më tej, Rama u ndal në faktin që kundërshtari i tij e mohoi për një kohë të gjatë ekzistencën e krizës në Shqipëri. “Në vend që t’i harxhonin paratë për të bërë reklama elektorale mund t’i kishin harxhuar fare mirë për të sensibilizuar të gjithë opinionin publik për kontributin individual për të dalë nga kriza. Integrimi europian i Shqipërisë është ndërtimi i standardeve europiane këtu në vendin tonë, duke filluar nga liria për të zgjedhur dhe e drejta për të numëruar ndershmërisht votat e për të vazhduar pastaj me të gjitha të drejtat që po shkojnë duke tkurrur dhe deformuar nën trysninë e një pushteti që ka dalë nga deformimi i votës”, tha ai. Sipas Ramës, Berisha e mohonte krizën me të madhe kur opozita i binte kambanave të alarmit. “Jemi për një zgjidhje me kosto më të ulët, por nuk jemi të gatshëm dhe është e palejueshme që ne të pranojmë që të ketë gjithmonë zgjedhje të parregullta. Ne nuk mund të pranojmë dhe as mund ta tolerojmë, sepse është një e drejtë që na e garanton Kushtetuta dhe nuk ka asnjë vend për të bërë interpretime, sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë interpretimin, duke e sqaruar në mënyrë të hollësishme se çdo të thotë një hetim parlamentar dhe çfarë përfshin ai”, vlerësoi Rama.
#