Sigurimi shëndetësor, kusht
Futbolli kosovar vazhdon të jetë i rrethuar nga anomali të shumta.
Derisa në vende tjera futbollistët gëzojnë privilegje të mëdha, në Kosovë lojtarët hasin në rrezik serioz për t’ia parë sherrin kësaj loje.
Në vendin tonë, përveç që paguhen shumë ligshtë dhe shpesh nuk marrin paga me muaj të tërë nga klubet e tyre, futbollistët nuk e kanë idenë se si t’ia bëjnë kur e pësojnë ndonjë lëndim serioz, i cili mund të shërohet vetëm nëpërmjet intervenimit kirurgjik, gjë që kushton financiarisht.
Në vende tjera, lojtari i lënduar nuk e çan kokën fare në kësi raste, pasi klubi përkatës e mundëson shërimin e plotë dhe të shpejtë të tij. Por, në Kosovë kjo nuk ndodh. Rasti i fundit ishte ai i Behar Maliqit, i cili me gjasë do të jetë i detyruar ta paguajë vetë operimin, pasi që është kushtëzuar me vazhdimin e kontratës në rast se dëshiron që klubi t’ia kryejë shpenzimet e operimit.
Duke e parë këtë gjendje, Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur të intervenojë. Nga sezoni tjetër, klubet e Superligës do të jenë të obliguara ta bëjnë sigurimin shëndetësor të secilit lojtar.
“Ne si Federatë planifikojmë që ta bëjmë të obligueshëm sigurimin shëndetësor të lojtarëve. Ky është një obligim moral, por edhe ligjor, të cilin duhet ta bëjnë klubet. Kjo na ka shtyrë të kërkojmë nga klubet që çdo lojtar ta ketë sigurimin shëndetësor”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
“Është absurde që lojtari ta paguajë vetë operimin. Në këtë rast lojtari lëndohet në punë, nëse kjo i ndodh në stërvitje ose në lojë. Nuk është shumë e madhe sa mendojnë klubet. Sa e di unë, sigurimi për një lojtar është 15 euro, ndërsa për tërë ekipin mund të kushtojë rreth 300 euro në muaj. Çka është kjo shumë, kur kihet parasysh shëndeti i lojtarëve”, vazhdoi ai.
Salihu, dikur lojtar i njohur kosovar, një pjesë të mirë të karrierës e ka kaluar jashtë vendit. Ai tregon se gjithmonë, në klubet ku ka luajtur, ka qenë e cekur në kontratë që klubi duhet ta bëjë sigurimin shëndetësor dhe t’i kryejë shpenzimet e çfarëdo lëndimi të lojtarëve. Edhe ai vetë, kur ishte operuar, nuk e kishte brengën e aspektit financiar.
Për të mos bërë lëshime ndaj klubeve, FFK po e mendon një strategji strikte. “Në rregulloret që do t’i aprovojmë pas përfundimit të sezonit do të jemi mjaft të qartë. Nëse një klub nuk e paguan sigurimin shëndetësor, atëherë lojtari në fjalë do të ketë të drejtë që ta kërkojë shkëputjen e kontratës”, shpjegoi Salihu.
Në futbollin e pasluftës, shumë lojtarë kanë qenë ‘viktima’ të lëndimeve të rënda, të cilat i kishin detyruar t’u nënshtroheshin intervenimeve kirurgjike. Fatkeqësisht, ata ishin të detyruar t’i nxirrnin paratë e tyre nga xhepi për t’u operuar, ngase klubet e tyre nuk ishin në gjendje t’ua hiqnin shpenzimet. Fatmirësisht, ky avaz i vjetër nuk pritet të zgjasë edhe shumë. Ngase FFK po mendon ta bëjë një hap të duhur në mbrojtje të lojtarëve.