Shaqiri, lojtari i dytë më i shtrenjtë i Gallatës
_141999.jpg)
Xherdan Shaqiri, sipas të gjitha gjasave, në vazhdim të sezonit do ta veshë fanellën e Galatasarayt. Sipas mediave turke, gjiganti nga Stambolli ka arritur marrëveshje me lojtarin, kurse kanë mbetur vetëm akordimi në mes të të dyja klubeve.
Gjithnjë sipas mediave turke, gjatë kësaj jave, pritet që futbollisti shqiptar të nënshkruajë kontratë me klubin turk. Uebfaqja turke takvim.com.tr shkruan se transferimi i Shaqirit në Galatasaray do të realizohet për shumën prej 14 milionë eurosh, (12 plus 2 nga bonuset).
Me këtë rast, përfaqësuesi zviceran do të hynte në histori të klubit turk, duke u bërë lojtari i dytë më i shtrenjtë, pas sulmuesit brazilian, Mario Jardel, i cili ishte transferuar në Stamboll për shifrën 16 milionë euro, 2 më shumë se futbollisti gjilanas.
Sa i përket Shaqirit, turqit njoftojnë se ai do të nënshkruajë kontratë për 4 vjet e gjysmë, deri në verën e vitit 2016. 20 vjeçari do të paguhet 2,5 milionë euro në vit, rreth katërfish karshi atyre sa merrte në Zvicër deri tash, 650 mijë sosh.
Presidenti i gjigantit turk, Unal Aysal ia ka konfirmuar trajnerit Fatih Terim lajmin se shumë shpejt do ta sjell në Stamboll talentin kosovar. “Zotëri, e kam mbajtur fjalën. Transferi ka përfunduar”, ka thënë kreu i klubit verdh e kuq.
Galatasaray fillimisht kishte ofruar rreth 9 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit kosovar, por ky propozim ishte refuzuar nga kampioni zviceran. Oferta e dytë duket se do ta bind klubin nga AXPO Super League, i cili do ta lë lojtarin të largohet, edhe pse palët kanë kontratë deri në verën e vitit 2014.
Ditë më parë, edhe vetë Shaqiri kishte thënë se e admiron gjigantin turk. Përveç turqve, gjilanasi pëlqehet edhe nga Bayern Munichu e Hamburgu në Gjermani, Manchester United e Liverpool në Angli, Juventusi, Milani, Napoli e Roma në Itali, si dhe Dinamo Kievi në Ukrainë.