E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simbolika që nuk na duhen

Këto javët e fundit opinioni publik u informua mbi një zhvendosje të selisë qendrore të partisë më të madhe të opozitës, PD, te ish-Shtëpia e Ushtrisë. Me këtë shkrim nuk kam ndërmend aspak të fokusohem te akti i zhvendosjes së selisë së PD (edhe pse mendoj se partia më e madhe e opozitës, ashtu si edhe disa parti të tjera të rëndësishme, kanë nevojë për ndërtesa më serioze e të mjaftueshme për funksionet e tyre shumë të rëndësishme), por te akti simbolik i vendit të zgjedhur, me siguri jo fare rastësisht.
1. Dihet se gjatë kohës që kryebashkiak ishte E.Rama, ai i dha një lejë ndërtimi Katedrales Qendrore të Kishës Ortodokse shqiptare, në një vend shumë qendror, por aspak të përshtatshëm për sa i përket pozicionit të studiuar nga ata që e krijuan para mbi gjysmë shekulli atë qendër, pranë godinave qendrore të 2-3 dikastereve dhe me përmasat e saj relativisht të mëdha, duket sikur Katedralja ja u merr frymën këtyre tre godinave të rëndësishme të qeverisë shqiptare, të projektuara dhe ndërtuara në periudhën e mbretit Zog dhe të kohës së pushtimit italian. Por qëllimi i këtij pozicioni, simbolikisht, ka lidhje me afërsinë ndaj selisë së PS. Një mesazh religjiozo-politik që ka lidhje me lidershipin e PS. Dihet se gjithë bulevardi kryesor “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu i Parë” janë ndërtuar utilitarisht e simbolikisht në vitet 30 dhe përfundojnë në anën jugore me godinën e Universitetit të Tiranës dhe Stadiumin “Qemal Stafa”, duke pasur një formë bishti sëpate, simboli i sëpatave të flamurit të fashizmit të Duçes. Fashizmi mendonte se në vendin tonë do të kishte jetë shumë shekullore të gjatë, ashtu si Roma e parë, në ‘Ilirikumin e ri’. Edhe dy rrugët e gjera të Durrësit e Kavajës të çonin nga qendra në drejtim të Italisë, si për të treguar simbolikisht destininë e orientimit të këtij kryeqyteti.
 Ka shumë qytete në botë që kanë një arkitekturë simbolike në shumicën e ndërtimeve të tyre kryesore publike. Mjafton të bindeni për këtë nëse shikoni Uashingtonin, kryeqyteti masonik i SHBA, për të cilën sigurisht që kanë ndikuar me idetë e tyre fillestare frimasonë të tillë të mëdhenj, që nga etërit themelues të SHBA, si B.Franklin, Th.Paine, Xh.Washingtoni, etj.
Kur selia e vjetër e PD u zgjodh pranë Xhamisë qendrore aktuale të Et’hem beut, rrallëkujt mund t’i ketë shkuar ndër mend se një mendje diabolike ka synuar të japë një mesazh se kjo parti është një parti kryesisht e lidershipit mysliman dhe me tendenca orientale, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Ky mesazh djallëzor haxhiqamilist dhe sipas logjikës së andartëve, do të thotë gjithashtu se, meqenëse bota myslimane është në një pështjellim dhe nën manipulimin e perëndimit, i tillë do të jetë edhe ky lidership i çorientuar, përsa i përket orientimit.
Në vitet ’90, bashkë me liritë e shprehjes dhe liritë politike, u harbua edhe liria fetare. Njerëzit vinin nga një shoqëri totalitariste me edukim të thellë ateist. Më pas shoqëria filloi të diversifikohej duke u ndarë në disa tipe shoqërorë në lidhje me besimin: Një shumicë e madhe ngeli besimtare tolerante jo praktikante e ndonjë feje të caktuar që lidhej me origjinën familjare; një pjesë shumë e vogël dora dorës u rritën duke u kthyer në praktikantë; dhe një pjesë goxha e konsiderueshme ngeli në thelb ateiste ose agnostike duke shkuar shumë rrallë në objektet e kultit. Natyrisht që ka patur edhe konvertime të pakta në disa lloj besimesh të reja jo zyrtare. Vetëkuptohet se fundamentalizmat religjioze vinë nga ekstremistët e praktikantëve të të gjitha feve. Duket se jo rastësisht, sipas kësaj logjike, edhe dy kryetarët e parë të dy partive kryesore, z.Nano dhe z.Berisha, kanë qenë të zgjedhur nga komunisti i fundit zyrtar më me ndikim në politikën shqiptare, R.Alia, me origjinë nga dy fe të ndryshme (ortodoks e mysliman suni) dhe dy krahina ekstreme të vendit (Tropoja dhe Zagoria). Dhe kjo përkatësi religjioze e krahinariste duket se u vazhdua edhe me linjën e dytë të suksesorëve të tyre Rama dhe Basha, pavarësisht se Rama është pak më larush nga këto dy pikëpamje.
Jo vetëm trashëgimia komuniste e PS me peshë më të madhe në jug, por edhe zgjedhja fillestare e R.Alisë për dy liderët kryesorë pasues, duket se ka sjellë edhe fenomenin aq negativ të ndarjes gjeografike edhe të votuesve në numër gati absolut në shkallë vendi: Gegët kanë votuar kryesisht për PD, ndërsa toskët për PS (zgjedhjet e fundit ndryshuan paksa nga tradita mbi 20 vjeçare në këtë drejtim).
2. Të mos i vësh re këto fenomene që duhen korrigjuar, do të thotë të mos jesh realist. Përndryshe do të thotë tu shërbesh atyre që u interesojnë këto simbolika religjioze dhe krahinariste, ndërkohë që kështu, për interesa politike, minohet dalëngadalë toleranca e madhe fetare e gjeografike e shqiptarëve ku simbolet,  interesat afatgjata të përbashkëta dhe instrumentat në dobi të tyre, si etnia, gjuha dhe historia e përbashkët, martesat e përziera nga pikëpamja religjioze dhe krahina, laiciteti i shtetit, duhet të jenë të paprekshme nga ndikimet e fundamentalizmave dhe rasteve të pakta të përplasjeve historike ku ndasia fetare ka dominuar mbi vlerat e përbashkëta. Nuk përmirësohemi nëse nuk përmendim edhe raste të rralla të hidhura të intolerancës fetare, si periudhën e Revolucionit grek në vitet 1920 kur luftonin, veç turqve, ushtarët dhe popullatat e shqiptarëve muslimanë të Turqisë në Greqi, kundër grekëve dhe shqiptarëve ortodoksë të Greqisë, periudhën gjatë Luftërave Ballkanike kur një grup katolikësh u rreshtua ushtarakisht në përkrahje të Malit të Zi, para dhe gjatë rrethimit të myslimanëve të Shkodrës si edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kur nën ndikimin e emisarëve sllavë në PKSH, shumë drejtues ortodoksë nga zonat juglindore të vendit, nën maskën e luftës për çlirim (nënkupto luftës për zhdukjen e Shqipërisë dhe kalimin e saj si Republikë e 7 e Jugosllavisë komuniste), dhe luftës ideologjike, u luftuan e u shfarosën gjithë nacionalistët dhe myslimanët, sidomos bërthama e nacionalistëve të saj, bektashinjtë e këtyre zonave, si edhe katolikët antikomunistë të veriut. Me largimin e ndikimit jugosllav dhe pas Kongresit të Parë të PKSH, kjo goditje religjioze ndaj bektashinjve u topit me eliminimin e kriminelëve të tillë si K.Xoxe, P.Kristo, K.Themelko, etj, por ajo nuk u eliminua pasi diktatori suni e dinte se rreziku prej ndryshimit të drejtimit të kursit nga Moska nuk i vinte nga shumica e ortodoksëve të cilët komunizmin dhe ideologjinë e tij e lidhnin edhe me ortodoksizmin e BRSS, por nga nacionalistët me shumicë myslimane dhe katolikët, që nuk e donin skllavërinë e vendit nga Beogradi, Moska dhe Pekini. Kjo shpjegon edhe arsyen se përse organin e akuzës dhe gjykatat fiktive, për 50 vjet i dominuan njerëzit besnikë të diktatorit së bashku me një shumicë ortodokse.
Gjithashtu, nuk mendoj se disa simbole në qytetin e Tiranës janë vendosur në mënyrë të rastësishme. Po të shohim Ushtarin e Panjohur, rivendosja e tij duket se fsheh një simbol sa ideologjik, aq edhe fetar me pozicionin e tij luftarak me pushkë në dorë e kapele me yll të kuq, ndaj ish selisë së PD, sikur duket se kërkon t’i kërcënojë “kolaboracionistët’ e Ballit, Legalitetit e Muharrem Bajraktarit që ndodhen “të strehuar” brenda selisë së partisë kryesore ‘të djathtë’ të këtyre 23 vjetëve, PD. Por kulmi u vendos kur ish- kryebashkiaku E.Rama, u tregua ‘tolerant’ me shtimin e një monumenti të ri, në të njëjtin shesh, Sulejman Pashë Bargjinit, i cili nuk është ndonjë figurë popullore shumë e njohur dhe gjithëpërfshirëse. Por po të shikohet vendosja dhe rivendosja e tij, ajo është 100% me fytyrë nga ana e selisë së vjetër të PD-së, kur ka pasur mundësi për gjetje të tjera në atë shesh të ngarkuar. Duket se “toleranca” e z.Rama për të lejuar vendosjen e këtij monumenti me veshje karakteristike të dallueshme orientale dhe sidomos pozicionimi i  tij shumë domethënës me vështrim nga PD, synon të tregojë për ata që dinë ta lexojnë, se mbështetja e kësaj force politike do të thotë orient, do të thotë Turqi, ndërsa, siç e përmendëm shkarazi, nuk fshihet me anë të afërsisë me Katedralen Ortodokse të tregohet se me PS, vendi ynë orientohet drejt vlerave themelore ortodokse bizantine, ose drejt Patrikanës së Fanarit. Madje me këto duket sikur janë në garë për të treguar se cila forcë udhëheqëse që bazohet mbi këto “vlera” specifike e ka bilancin më pozitiv. Natyrisht që vendi ynë s’ka nevojë për të tilla simbolika e për të tilla orientime e përkrahje të qëllimshme pasuesish në politikë dhe në qeveri. Këto fakte vlejnë të besohen, nëse shohim se qoftë edhe brenda rrethit familjar e politik të z.Berisha, znj.Topalli dhe z.Basha, ka një klan njerëzish besimtarë ritualistë myslimanë e katolikë, të cilët duan të dobësojnë në underground vlerat e meritokracisë, të tolerancës dhe laicitetit të detyrueshëm nga ligji, e të rreshtohen rreth vlerave fundamentaliste të fesë. Por duke i dhënë ‘Çezarit atë që i takon’, pavarësisht kësaj, z.Berisha në aparencë, nisur edhe prej edukimit të tij komunist e ateist, është përpjekur që ta ruajë me kujdes ekuilibrin e ndikimin e tij në drejtim të tolerancës formale dhe është përpjekur ti frenojë ekzagjerimet e rrezikshme. E njëjta gjë duket se vlen deri diku edhe për z.Rama. Do të ishte e pafalshme për dy liderët e rinj, të cilët kanë jetuar një kohë të gjatë në perëndim, që të mos kenë mësuar nga vlerat e mëdha të tolerancës, laicitetit dhe shekullarizimit të shteteve të tilla si Franca dhe Holanda, të cilat e kanë kaluar një fazë të tillë në rrethana shumë tragjike, kur në shekullin e 16-17 Evropa u kthye në fushatë, që nga viti 1524 me Luftën Fshatare në Gjermani e deri me fundin e luftërave 9- vjeçare të Tre Mbretërive në Britani më 1651 me fuqizimin e O.Kromuellit në pushtet dhe pasi ju pre koka mbretit, Karlit të Parë më 1648. Ata e dinë se kardinali katolik nacionalist Rishelje u pozicionua së pari politikisht si francez në luftën 30-vjeçare, duke i dalë kundër Vatikanit, deri në paqen e Augsburgut, duke shpëtuar Francën. Në fakt Evropën e shpëtuan idetë e liberalit të madh, J.Locke që me frymëzimin e tij te “Letra mbi tolerancën” (1689-1692), të cilat kanë si bërthamë laicitetin dhe shekullarizimin, dha parime mbi të cilat u zhvillua Rilindja Evropiane, qysh atëherë e deri më sot.
3.Dikush mund të mendojë se përse po hapen këto tema. Po ja, shohim dita ditës se rritja e numrit të besimtarëve ritualistë ka sjellë edhe një rritje të fundamentalizmit prej ekstremistëve të tyre të pakët në të gjitha nivelet e fushat, sidomos në disa pjesë të caktuara të shoqërisë shqiptare, në të gjithë Ballkanin. Këto devijime ekstreme e me defekte që solli liria e nevojshme fetare dhe pluralizmi, ne kemi nevojë të ngutshme që ti korrigjojmë dora dorës edhe nga lart, edhe nga poshtë. Ndryshe plaga do të mahiset më keq. Si në Tiranë, në Prishtinë dhe Maqedoni shoqëria jonë, shteti dhe politika kanë nevojë urgjente t’i përforcojnë parimet e tolerancës dhe të meritokracisë si dhe të forcojnë shekullarizimin e gjithë shoqërisë. P.sh kemi parë që shumë pak intelektualë me origjinë ortodokse janë prononcuar kundër ndërhyrjes së shtetit grek për rastin e konfliktit antiligjor të KOASH me pushtetin lokal në Përmet, ngjarje kjo e stisur në mënyrë simbolike me synim për ta paraqitur Athinën e jo Tiranën si një çadër për komunitetin ortodoks, për të rritur koston e palës shqiptare në bisedimet e ardhshme për kufirin detar, për ta paraqitur Greqinë ndërkombëtarisht si protektore të ortodoksëve shqiptarë, të cilët i paraqet si grekë. Greqia kërcënon me BE ku ajo ka hapsat e kashtës dhe nga po përpiqet vetë të dalë, por nuk e lenë se ka lakun në fyt. BE është projektuar nga Elita dhe s’ka forcë ta ndalë. Futja në të nuk bëhet me interes të njëanshëm dhe Greqia s’luan dot as edhe një rol dhe është qesharake pozicionimi i saj si një gjel. Po kështu kemi parë që nën frymëzimin islamik dalin vullnetarë, të cilët e konsiderojnë luftën në Siri si një xhihad islamik, në një kohë kur aty nga të dyja anët derdhet gjak myslimanësh dhe për një kauzë politike që nuk ju përket shqiptarëve, por popullit sirian për ta zgjidhur (këta ka premisa të jenë shumë të rrezikshëm më pas për gjithë shoqërinë tonë). Gjithashtu, mjafton të shohim se çfarë flitet hera-herës nëpër tavolina, ku janë rritur në numër njerëzit jo objektivë që gjykojnë mbi vlerat dhe dobësitë e njerëzve të tjerë, thjesht duke u nisur nga një paragjykim fetar, madje kjo ndodh edhe me miqtë tanë. Para pak kohësh u ligështova kur një polic kufitar, që nga emri dukej si ortodoks, më ndihmoi të kaloja shpejt e pasi më shkeli syrin, më tha se ‘ti je dora jonë’.
4. Unë nuk do e kisha shkruar pa një shkak të dukshëm këtë shkrim që synon rritjen e tolerancës fetare dhe të detyrimit të forcimit të laicitetit dhe shkëputjes nga këto modele dhe opinione të përgjithshme negative historike dhe religjioze në sjelljet tona, duke pasur si busull të vetme atë të përfitimit të të gjithë shoqërisë shqiptare në Ballkan dhe të rritjes së unitetit të saj shpirtëror rreth vlerave të etnisë, flamurit kombëtar dhe tolerancës fetare. Është e pafalshme te ne që disa fundamentalistë katolikë, të cilët i barazojnë gabimisht dhe i mbivendosin te vlerat e arritjet e shoqërisë perëndimore plotësisht vlerat fetare të katolicizmit, me fodullëk i paragjykojnë shumë njerëz me origjinë myslimane duke i quajtur me epitete fyese fetare, në një kohë që këta të fundit mund të jenë në shumë raste me pikëpamje më perëndimore se disa prej tyre.
Shqipërinë e bënë rilindësit e të gjitha feve rreth idesë së Pashko Vasës se ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’. Duke bërë hapa mbrapa nga kjo ide, a mund të jetë rastësi, sipas kësaj logjike të padobishme e simbolike, që edhe tani herën e dytë selia e re e PD po afrohet pranë sheshit ku z.Basha, kryebashkiaku dhe suksesori i partisë së z.Berisha - njëlloj si z.Rama para tij me lejen e tij jo të rastësishme të Katedrales pranë selisë së PS- dha po sipas të njëjtës simbolikë një lejë për tu ndërtuar një xhami e madhe për praktikantët sunitë shqiptarë?
5. Por ne nuk duhet të harrojmë se të dyja tendencat simbolike të çojnë gati njëlloj, në lindje. Megjithëse nga lindja e botës i kanë ardhur shumë të mira dhe askurrë lindja dhe vlerat e saj nuk duhen parë me përbuzje, pasi edhe origjina e të parëve tanë të lashtë ka ardhur fillimisht nga lindja, kushtet tona specifike të shoqërisë si edhe orientimi zyrtar, për mbijetesën e kombit, lipset të mbivendosen me bindje, natyrshëm nga perëndimi dhe SHBA, të cilat e ringjallën etninë shqiptare në Ballkan në këtë fillim shekulli kur ajo ndodhej para rreziqeve të zhdukjes e asimilimit. Nëse ateizmi kriminal komunist prodhoi diçka të mirë, në periudhën e gjysmës së dytë të sundimit të tij, ky ka qenë laicizimi i fortë i shtetit dhe respektimi i pakicave etnike e religjioze në mënyrë skrupuloze në administratë. Ndoshta në gjysmën e parë të periudhës komuniste ka pasur një mungesë përkrahjeje për intelektualët e veriut, por pas vitit 1974 kur shëndeti fizik dhe kontrolli i jetës së vendit prej E.Hoxhës filloi të binte, ky vakum me fuqinë e influencës së gegëve u rit me ndikimin e klanit dibran të N.Hoxhës, e cila në këtë mënyrë i bëri vendit një shërbim, duke sjellë një balancim aq të nevojshëm për gjithë vendin tonë i cili në këtë drejtim i dha frytet për një drejtpeshim pozitiv, sidomos kohët e fundit, si rezultat i kësaj tendence prej gruas dhe më pas së vesë së diktatorit, duke filluar me eliminimin e një tosku shumë të fuqishëm rival për zëvendësimin e diktatorit (M.Shehut), dhe më pas me hapjen e rrugës së një gegu si R.Alia, anim ky që duket se ngjau  edhe në shumë vende të tjera të rëndësishme politiko-administrative të shtetit komunist shqiptar.
6. Njëherë kritiku dhe analisti i madh nacionalist Stavro Skendi pati shkruar se nëse në Shqipëri nuk do të ketë një tolerancë fetare, sidomos me pakicat (ku hyjnë edhe ateistët), atëherë Shqipëria nuk do të ekzistonte. Për këtë shikoni Sirinë dhe Libanin që u ndanë më 1925 për shkaqe fetare, shikoni ç’ngjau në Bosnjën e para dy dekadave. Kjo tolerancë dhe parimi laicist i P.Vasës duket se janë dy shtyllat e vetme kryesore të binasë së një shteti e shoqërie të integruar mbarëshqiptare. Ata që nga dritëshkurtësia, paragjykimi dhe llogaritë politike përpiqen ti minojnë këto 2 shtylla jetike me simbolika fetare mesjetare, i kanë bërë vendit shërbimin më të keq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›