E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis stërvitja e përbashkët shqiptaro-britanike, “Albanian Lion-13”, 3 mijë forca britanike zbarkojnë në Shqipëri

24-08-2013 / Gazeta 55

Sfida të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Britanisë së madhe

Në ambientet e Komandës së Forcës Ajrore, në Rinas pasditen e djeshme u zhvillua  ceremonia e hapjes së stërvitjes së përbashkët midis  Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe dhe Forcave të Armatosura Shqiptare të koduar “Albanian Lion-13”. Kjo ceremoni, zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit dypalësh midis FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar. Trupat ushtarake të Forcave Ajrore britanike u pritën në aeroportin Rinasit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, z. Nicholas Cannon, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralbrigade Frederik Beltoja, zv. ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Stephen Hickling, konsulli, z. Kabir Rahman, zv. Komandanti i brigadës së 3-të, Komando të Royal Marines, kolonel Kevin Oliver, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Më pas për të pranishmit në këtë aktivitet u zhvillua një demonstrimi i përbashkët i Forcave Ajrore britanike  dhe  Forcave Ajrore të Shqipërisë. Pas përfundimit të demonstrimit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se: “Kam privilegjin, nderin  dhe kënaqësinë e veçantë si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të jem sot këtu dhe të mbaj fjalën e mirëseardhjes në ceremoninë e hapjes së stërvitjes së përbashkët midis  Forcave të Armatosura të Britanise së Madhe dhe vendit tonë, të koduar “Albanian Lion-13”. Sot, ka vijuar më tej gjeneralmajor Gjunkshi, pas kaq shumë vitesh, fati e do që stërvitja "Albanian Lion-13" të bëhet  një traditë stërvitje e përvitshme midis dy vendeve tona. Për të menaxhuar dhe koordinuar këtë aktivitet stërvitor janë ngritur struktura e grupe koordinuese - mbështetëse në të gjitha nivelet dhe rajonet ku do të zhvillohen aktivitetet stërvitore, duke nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i FA, për të  vijuar me të gjitha hallkat e zinxhirit të komandimit.  Më tej gjatë fjalës së tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka garantuar se me nderim, besim dhe devotshmëri Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë dhe do të jenë gjithmonë të gatshme për të kontribuar në rritjen e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit dypalësh me Mbretërinë e Bashkuar si dhe me Forcat e vendeve të tjera anëtare të NATO-s, në përputhje me misionin e saj kushtetues. Në fund të fjalës së tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Gjunkshi, pasi ka falënderuar për prezencën trupat pjemarrëse në këtë demonstrim u ka uruar atyre stërvitje të suksesshme, i ftoi ato për të punuar së bashku për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ndërmjet Forcave tona të Armatosura, për të përballuar  sfida të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”. Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Nicholas Cannon në fjalën e tij u shpreh se “ Është një kënaqësi e veçantë të jem sot këtu me shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe me ushtarakë të lartë shqiptarë dhe britanikë për tju paraqitur ju fillimin e stërvitjes “Albanian Lion-13”. Përgjatë tre viteve të fundit FA shqiptare së bashku me ambasadën që unë drejtoj dhe me autoritetet ushtarake në Londër kemi punuar për krijimin e mundësive për stërvitje të përbashkëta në Shqipëri. Më tej ambasadori Cannon ka theksuar se këtë vit stërvitja do të drejtohet nga gjenerali Davis, komandant i Forcave Anfibe Britanike. Kjo stërvitje i mundëson gjithashtu oficerëve dhe personelit ushtarak të dy vendeve të familjarizohen me punën së bashku, në kuadër të Aleancës Euro-Atlantike. Të dy palët kanë shumë për të mësuar nga njëra tjetra. Këtë vit, është shprehur më tej ambasadori Cannon kemi pasur për herë të parë në stërvitje edhe një kontingjent të trupave Holandeze. Në përfundim të fjalës së tij ambasadori britanik, Nicholas Cannon u shpreh: “Dua të falënderoj ushtarakët shqiptarë dhe autoritetet civile të cilat i dhanë jetë këtyre mundësive stërvitore për ne. Dua të theksoj se ne i jemi shumë mirënjohës publikut shqiptar për mikpritjen e tyre, durimin dhe bashkëpunimin gjatë kësaj stërvitjeje. Stërvitja e përbashkët “Albanian Lion-13”, është një stërvitje shumë skenarësh, ku do të marrin pjesë rreth 3000 trupa britanike, kryesisht komando dhe forca detare, si dhe një efektiv prej 35 ushtarakësh nga Forcat e Armatosura Holandeze, të cilat operojnë së bashku me trupat britanike.  Teatri i stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike “Albanian Lion-13” ka një shtrirje të gjerë gjeografike, duke filluar prej rajonit stërvitor të Bizës, në Pashaliman, Kuçovë, Karaburun dhe Sazan. Forcat e Armatosura do të angazhohen në stërvitje me trupa dhe mjete të Forcës Detare, si dhe trupa të Forcës Tokësore, në realizimin e skenarëve të përbashkët. Stërvitja e përbashkët “Albanian Lion-13” do të përfshijë në vetvete tre stërvitje, secila me një skenar të caktuar. Gjatë periudhës një mujore të qëndrimit në vendin tonë, trupat britanike do të realizojnë dhe kryerjen e veprime ushtarake në det dhe në tokë në operacione të evakuimit, zbarkimit detar, qitje, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›