E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sina: Flamurtari nuk është si vjet, në Tiranë e bëjmë ne ligjin

Nga ERJON SALIU

Kapiteni i bardhebluve flet për shiritin dhe ndeshjen me kuqezinjtë, pas superkupës kërkon që të ngrejë edhe titullin dhe kupën

Elvis Sina, një nga lojtarët e paktë autoktonë bardheblu që i kanë mbetur skuadrës së Tiranës, duke qenë se i është besuar edhe shiriti i kapitenit nga drejtuesit më të lartë të skuadrës, në prag të ndeshjes me Flamurtarin është i bindur se skuadra e tij do ti mposhtë të dielën në Qemal Stafa nënkampionët e Shqipërisë.

Vetë Sina i vlerëson vlonjatët dhe lojën e tyre, por ai e sheh fitoren të anojë nga Tirana. Këtë nuk e thotë si lojtar i saj, por duke u bazuar te forca reale që kanë aktualisht të dy ekipet, Tirana duket më e fortë. Në prag të kryendeshjes së javës së katërt të superligës, kapiteni i Tiranës, Elvis Sina, pohoi: Nuk mund të them që tani fillon kampionati për Tiranën, por është momenti kur mund të tregojmë forcën e vërtetë të ekipit.

Tani fillojnë ndeshjet e vërteta kur mund të matim hapin tonë në krahasim me ekipet e tjera që konsiderohen edhe rivalët tona në luftën për titullin kampion këtë edicion. Gabuam në javën e parë, megjithatë në dy ndeshjet e fundit ne kemi bindur në të gjitha drejtimet me lojë dhe rezultate pozitive. Këtë e panë të gjithë edhe ndaj Pogradecit, – u shpreh pistoni i djathë i bardhebluve, Elvis Sina.

Flamurtari: Lidhur me përballjen e fundjavës, që do të luhet të dielën në Qemal Stafa në orën 17:00, Elvis Sina është i bindur se Tirana do ta bëjë mirë detyrën, do të marrë tri pikët sepse është më lart se Flamurtari aktualisht. Flamurtari nuk është një ekip i keq mundohet të luajë futboll, madje ka edhe një trajner që vjen nga Suedia dhe ka futur një mentalitet tjetër në atë skuadër.

Lutaj është një trajner i mirë, megjithatë unë mendoj se skuadra vlonjate nuk e ka forcën e vjetshme dhe nuk duhet të harrojmë që po luan në Tiranë. Këtë herë nuk është një ndeshje miqësore por zyrtare, ndaj dhe unë mendoj që fitorja anon nga ne.

Skuadra Kapiteni Sina analizon edhe gjendjen në skuadër në këto javë të para dhe ka theksuar: Ne nuk jemi ndikuar prej ekipeve të tjera, por mendoj që vjet më tepër na i kanë marrë pikët se sa i kemi lënë, ndoshta edhe nga nënvlerësimi. Këtë vit kemi një grup më të fortë. Jemi për titull kampion, plus do të synojmë që të fitojmë edhe kupën që është një tjetër objektiv yni.

Tashmë nuk duhet që të mendojmë për të kaluarën, madje do ta prishim edhe traditën që në Tiranë fitojmë ne dhe në Vlorë skuadra e Flamurtarit. Ne nuk mendojmë për ato që kanë ikur, detyra jonë është që të fitojmë këtu të dielën dhe të bëjmë më të mirën në javët e ardhshme, sepse kampionati sa vjen e bëhet më i fortë për ne.

Vërtet e kemi nisur sezonin me një humbje ndaj Teutës në shtëpi, por unë e quaj një aksident. Ekipi tashmë po stërvitet në mënyrë profesionale, të gjithë lojtarët janë të kënaqur nga ambienti dhe nga stërvitja, por edhe nga trajtimi që bëhet nga drejtuesit. Mendoj se kjo është e nevojshme për psikologjinë e lojtarëve.

Shiriti Në mbyllje të fjalës së tij, Elvis Sina, foli për ndjesinë dhe njëkohësisht përgjegjësinë e shiritit që mban në krah. Është ndjesi e bukur sidomos që për herë të parë ngrija një trofe si kapiten dhe aq më tepër në Korçë.

Por është edhe një përgjegjësi e madhe, pasi Tirana ka prodhuar kapitenë të cilët kanë qenë liderë të ekipit dhe mendoj që me shiritin në krah të bëj gjithmonë më të mirën time, për të justifikuar besimin që më kanë dhënë presidenti, trajneri dhe shokët e skuadrës, – tha në mbyllje të prononcimit të tij kapiteni i bardhebluve, Elvis Sina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›