Meto: Pozitivja,Apolonia sështë nën presion
Mesfushori fierak Agim Meto pohon se ka ardhur momenti që ekipi të marrë pikë edhe jashtë fushës së tij
Të luash kundër Kamzës në fushën e kësaj të fundit, nuk është aspak e lehtë, pasi ekipi nga periferia e Tiranës është prezantuar si një ndër skuadrat me ambicie në superligë, pavarësisht se është debutuese. Apolonia do të luajë të dytën ndeshje në transfertë, ndërkohë që në të parën ka dështuar kundër peqinasve, teksa kanë humbur 02, duke bërë një paraqitje anonime, krejt për tu harruar.
Një ballafaqim ineteresant, një ndeshje që favorizon në letër skuadrën vendëse, por bardhejeshilët kanë vendosur që të mos i binden shumë një parashikimi të tillë, duke u përpjekur që të jenë të vëmendshëm në fushë për të realizuar një lojë të kujdesshme.
Për mesfushorin Agim Meto, ndeshja me Kamzën përllogaritet si një nga transfertat më të vështira, pasi ekipi kundërshtar ka në gjirin e vet një sërë futbollistësh me përvojë, që e njohin mirë edhe superligën, pasi kanë luajtur për skuadra të tjera në përfaqësimin elitar.
Meto Do të jetë një tjetër transfertë, pa dyshim me vështirësitë e njohura që kanë ndeshjet jashtë fushe. Nuk e shohim si një ndeshje të lehtë, madje e dimë që kundërshtari do të përpiqet të na vërë nën presion të vazhdueshëm, normale për një ekip që luan në fushën e vet. Megjithatë, Apolonia ka një ekip që po shkon drejt konsolidimit të plotë dhe grupi është ambientuar shumë mirë me njëritjetrin.
Kjo na bën që ne të kemi besim te forcat tona dhe të synojmë që të mos dalim humbës nga fusha e Kamzës. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe unë besoj se do të jetë dhe korrekte në interpretim nga të gjitha palët dhe, nëse ndodhin të gjitha këto, atëherë rezultati do të jetë logjikë e asaj që skuadrat do të japin në fushë. Ne kemi bërë përgatitjet tona serioze për këtë takim, ndaj dhe pretendojmë që të mos humbasim, – është shprehur mesfushori i Apolonisë, Agim Meto.
