Sinan Pasha n’Arabi
Ditët janë të mbushura me ligjërata, takime e referime, të cilat po zhvillohen në ambientet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në ditën e katërt të seminarit, gjatë paradites, u mbajt ligjërata e Muhamed Mufakut, profesor në Universitetin Al–Bajt në Jordani. Ligjërata e tij kishte në qendër temën “Monumentet e Sinan Pashës në vendet arabe”.
Mufaku, në hyrje të ligjëratës, na njoftoi me figurën e Sinan Pashës si njëra prej figurave më të njohura të shekullit XVI, në nivelin osman dhe evropian, në saje të pozitave të tij të larta dhe në saje të betejave të mëdha që i udhëhoqi në kuadër të luftërave të ndryshme por gjithashtu edhe në saje të pasurisë së tij. Sipas Mufakut, Sinan Pasha u shqua edhe si themelues i shumë monumenteve, të cilat kanë ruajtur emrin e tij deri më sot.
“Pasi që ‘harta e monumenteve’ të Sinan Pashës është e madhe, përkatësisht shtrihet në tri kontinente (Evropë, Azi e Afrikë), këtu do të përqendrohemi në monumentet që i ndërtoi në vendet arabe, përkatësisht në Sirinë e madhe (Shami), Hixhaz, Jemen, Egjipt e Tunizi”, tha Mufaku.
Mufaku u ndal të ngritja e Sinan Pashës në hierarkinë osmane, duke u nisur nga vendlindja e tij, e cila supozohej të ishte në Shqipëri (Dibra, Delvina etj), ndonëse Mufaku pohoi një gjë tjetër.
“Gjurmimet që u bënë këtu tregojnë se ai u lind në fshatin Topojan në verilindje të Shqipërisë e jo në Prizrenin e afërt që ka një xhami të njohur me emrin e Sinan Pashës, që është një tjetër figurë. Ç’është e vërteta, në hierarkinë osmane kemi disa ‘Sinan Pasha’ në shekullin XVI, ndaj ndonjëherë përzihen në studimet përkatëse”, theksoi Mufaku.
Gjithashtu, ai na njoftoi me ngritjet e Sinan Pashës dhe formën me të cilën arriti ai deri tek fama e tij ushtarake e politike, ngritjet nëpër pozita të ndryshme politike e ushtarake.
Megjithëkëtë, Mufaku është ndalur më shumë tek monumentet e Sinan Pashës në vendet arabe.
Sipas tij, derisa Sinan Pasha ishte më herët sanxhakbej në Tripoli të Libanit dhe në Halep të Sirisë, emërimi i tij në krye të vilajetit te Egjiptit kishte rendësi. Në saje të kësaj ai u ngarkua me detyrë ta udhëheqë ushtrinë osmane për Jemen.
“Gjatë qëndrimit në Jemen Sinan Pasha u kujdes për Xhaminë e madhe në San’a , e cila konsiderohet nder më të vjetrat në rajon (e themeluar në vitin 631), duke ndërtuar një kube të madhe, e cila gjithnjë u përmend me emrin e tij atje”, tha Mufaku, derisa po rendiste fakte rreth monumenteve të Sinan Pashës.
Sipas literaturës, Sinan Pasha ka lënë shumë vepra. “Historiani egjiptian i kohës, Ibn Abdulgani, thotë se “Ditët e sundimit të tij ishin plot lulëzim”. Në përgjithësi Sinan Pasha merret si vali që më së shumti la monumente në kohën osmane, përkatësisht deri me paraqitjen e valiut tjetër shqiptar Mehmet Aliut më 1805”, tha ai.
Përveç tjerash, Mufaku na bëri të ditur që në Egjipt Sinan Pasha ndërtoi shumë objekte ekonomiko-shoqërore gjatë viteve 1571-1579.
Shumë objekte të cilat jetojnë edhe sot, përkujtohen në saje të emrit të Sinan Pashës.