Sindikata e RTK-së reagon ashpër

Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës, ka reaguar për një mori shkeljesh që, sipas saj, e kanë pushtuar RTK-në. Kjo sindikatë ngreh shqetësime të thella ndaj menaxhmentit të RTK-së, formës së financimit, departamentit të marketingut dhe largimeve të punëtorëve nga Mufail Limani.
Më poshtë mund t’a lexoni të gjithë reagimin e kësaj sindikate, reagim ky që i është drerguar medieve dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Reagimi
Sindikata e RTK-së është e shqetësuar për shkak të degradimit qe po e pëson Radio Televizioni i Kosovës.
Përveç një rrënimi financiar, ku në janar të këtij viti, nga vet drejtori gjeneral z.Shala ishte pranuar deficiti prej mbi 3 milionë eurove, RTK-ja kohëve të fundit, po përballet me degradimin më të egër profesional. Duke shkelur çdo rregullore dhe procedurë, Menaxhmenti i RTK-së, brenda nate, po bënë largimin e të punësuarve më të dëshmuar për profesionalizem si brenda RTK-se ashtu edhe jashtë saj, duke instaluar kështu një sistem klientelist.
Rasti me i freskët është shkarkimi nga pozita, pa kurrfarë arsyetimi, i udheheqësit të produksionit dhe udhehëqesit të teknikes, i dy kolegëve me një beground të pasur akademik e profesional. Madje drejtorit të RTK-TV-së Mufail Limanit, nuk iu prit e nesermja, sa qe njoftimin për shkarkim nga pozita, kolegëve në fjalë, ua kumtoi të premten në ora 23:21minuta. Kjo na kujton kohen e okupimit të TVP-së gjatë viteve të 90-ta.
Veprimet si ky i fundit te menaxhmentit të RTK-së, po bëjnë që punëtorët e RTK-së, çdo ditë e më shumë të ndihen të shantazhuar e të frikësuar e sidomos kur kemi parasysh faktin që mbi 90% e tyre janë pa kontratë pune.
Forma tjetër e degradimit, qe po tentohet t’i bëhët RTK-së nga po ky menaxhment, është konkursi i shpallur për shitjen e komplet hapësirës reklamuese të RTK-së.
Kështu 10% e programit të RTK-se do të privatizohej, që do të thotë se brenda një mediumi publik do të kemi aksionare jopublik. Kjo do t’a dëmtonte misionin e transmetuesit publik, për të qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Gjithashtu, perveç që do të rrezikohej e ardhmja e punëtorëve në departamentin e marketingut, do të shkonin dem edhe investimet në resurset njerëzore e teknike, të bëra nga RTK-ja për këtë departament.
Po ashtu, shqetësuese për Sindikatën janë edhe anekset që janë duke u ndërtuar në RTK, pa iu nënshtruar procedurave te tenderimit dhe pa u pajisur me leje ndërtimi. Me gjithë vërejtjet e inspektoriatit komunal për ndërprerjen e punimeve, ato janë duke vazhduar.
Vlen të theksohet se ky degradim i RTK-së po përcillet edhe me një presion të pashembullt ndaj punëtorëve për organizime kundër njeri tjetrit, me qëllimin final shuarjen e zërit Sindikal.
Duke pasur parasysh të gjitha këto fakte, Sindikata e RTK-së kërkon serish nga Kuvendi i Republikës së Kosovës qe përmes një komisioni hetues t’a konstatojë gjendjen reale financiare të RTK-së. Gjithashtu përmes këtij hetimi të konstatohet demi i shkaktuar në materialet arkivore si pasojë e zjarrit që kishte përfshirë RTK-në.
Situata është alarmante dhe nëse nuk veprohet shpejtë e ardhmja e RTK-së do të bëhët gjithnjë e më rëndë dhe me pasoja të paparashikueshme. Me këtë veprim do të pengohej edhe misioni qëllimkeq i dikujt për t’a sjellë RTK-në në situatën e Televizionit publik grek.
Me respekt,
Fadil B. Hoxha,
Kryetar i Sindikatës së RTK-së