E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikatat: Në janar dalim në protesta masive

Letra me kërkesat i dorëzohet sot Kryeministrit Berisha, duke i vënë afat 15 Janarin për plotësimin e tyre

Sindikalistët kanë kërkuar nga qeveria përcaktimin e moshës së daljes në pension sipas punës së kryer

TIRANË- Rritja e çmimit të energjisë elektrike por edhe situata ekonomike që po kalon vendi ka shkaktuar reagimin e shoqërisë civile. Sindikatat i janë drejtuar qeverisë me disa kërkesa, plotësimi i të cilave, sipas tyre, do të rriste mirëqenien e familjeve shqiptare.
Në fund të mbledhjes, krerët e sindikatave kanë kërkuar nga qeveria shfuqizimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike si dhe marrjen e masave nga kompania për eliminimin e humbjeve. Po ashtu, sindikatat kanë kërkuar miratimin e një ligji të veçantë ku të parashikohet dhënia e pensionit të 13-të për pensionistët si dhe shfuqizimin e dispozitave ligjore ku parashikohet rritja në bllok e moshës së pensionit. Për sa i përket kësaj, sindikatat kanë sugjeruar përshkallëzimin e moshës së daljes në pension sipas punës së kryer nga individi si dhe plotësimin e kërkesave të minatorëve.
Gjithashtu, një pjesë e kërkesave ka të bëjë me përmirësimin e kodit të punës, si dhe krijimin e gjykatave për gjykimin e shkeljeve ndaj punonjësve.
Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, deklaroi se letra me kerkesat në fjalë do të përcillet sot në qeveri duke vënë kusht plotësimin e tyre brenda datës 15 Janar.
Duket se mosplotësimi i kërkesave do të nisë një valë të re protestash të sindikatave, paralel me ato të opozitës të cilët gjithashtu kanë paralajmëruar përshkallëzimin e tyre gjatë ditëve në vazhdim.
"Diskutuam mbi gjendjen social-ekonomike në vend dhe kërkojmë nga qeveria shfuqizimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, miratimin e një ligji ku parashikohet pensioni i 13-të, ndryshime në kodin e punës, plotësim të kërkesave të minatorëve, heqje të praktikës së rritjes së moshës së pensionit në bllok, etj. Këto kërkesa do t'i dërgohen nesër (sot) qeverisë dhe kërkojmë plotësimin e tyre brenda datës 15 janar. Gjatë diskutimeve dolëm me një konkluzion të përbashkët, që qëndrimi ynë i përbashkët do të mbështetet me protesta", - tha Xibri.
Sindikatat e minatorëve ndërmorën një maratonë të gjatë protestash duke kërkuar nga qeveria plotësimin e një serë kushtesh të cilat do të përmirësonin gjëndjen ekonomike si dhe infrastruktura e galerive. Një ndër kërkesat kryesore ka të bëjë me uljen e moshës së pensionit deri në 55 vjeç, përmirësimin e kushteve të punës në galeri, etj.
Në mes të muajit nëntor, pasi kishin dy vite që protestonin, minatorët moren një premtim nga ministri i Shtetit, Genc Pollo, për plotësimin e kërkesave. Duke parë zvarritjen e këtij procesi ata kanë parë të udhës dhënien e një afati qeverisë duke kërcënuar edhe me protesta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›