E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Këshilli Kombëtar zgjedh në janar strukturat drejtuese

Në votimin e ri të Këshillit Kombëtar pritet të rikonfirmohet lidershipi aktual

TIRANË- Këshilli i ri Kombëtar i dalë nga Kongresi i IX i Partisë Demokratike, pritet të zgjedhë postet e larta drejtuese vetëm në muajin janar të vitit të ardhshëm. Duke iu referuar kompetencave të Këshillit Kombëtar, (që parashikohen në statutin e ndryshuar të Partisë Demokratike), anëtarët e këtij Këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë sekretarin e përgjithshëm të partisë dhe sekretarët funksionalë, nënkryetarët e partisë, kryetarin e Bordit Financiar të partisë, dhe Komisionin Qendror të Apelimit. Nisur nga renditja e Këshillit të ri Kombëtar, ku kontribut kryesor ka dhënë personalisht kryetari i PD-së, Sali Berisha, duket se lidershipi aktual do të vazhdojë të jetë i njëjti edhe për katër vitet e ardhshme. Në renditjen përfundimtare të Këshillit Kombëtar, Berisha renditej
i pari, Topalli e dyta, Patozi i treti dhe Bode i katërti. Për pasojë, mësohet se përballë kandidaturës së Jozefina Topallit për postin e Nënkryetares, do të vendoset një kandidaturë fiktive, për tu bërë të qartë anëtarëve të Këshillit Kombëtar se ajo duhet të votohet sërish për këtë post. E njëjta situatë do të jetë edhe për Astrit Patozin. Në dyshim vihet posti i Sekretarit të Përgjithshëm, që prej vitesh drejtohet nga Ridvan Bode. Edhe për sekretarët funksionale nuk pritet ndonjë ndryshim, ndërkohë që pritet të shtohen edhe dy poste sekretarësh, me qellim që të kënaqen të gjitha klanet në PD. Në bazë të statutit të PD-së, mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret kryetari ose sekretari i përgjithshëm me miratimin e kryetarit të partisë. "Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë", - parashikohet në nenin 37 të statutit të PD-së. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë ¼ e anëtarëve të këtij Këshilli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›