E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikatat e Shëndetësisë: Dashi ka punësuar infermiere me teser partie dhe diploma false

Konfederata e Sindikatave të Shëndetësisë akuzon Vasilin dhe drejtues të tjerë të shëndetësisë për korrupsion

Shërbimi shëndetësor në vendin tonë është një katrahurë e vërtetë. Gjendje e mjerueshme pa asnjë shpresë në një kaos të paparë, një model unikal në gjithë botën, edhe pse në spitalet tona shërbimet për pacientët nuk ngjasojnë me asnjë prej vendeve të tjera në botë. Mund të themi që jemi shumë mbrapa me hapat e ndërrmara në shëndetësi

por jemi përpara shteteve të tjera për nga përmasat e fjalimet pompoze mashtruese për luftën kundër korrupsionit, ryshfetit duke i përqasur ato me hiperbola për arritje të mëdha. As më shumë e as më pak kjo është një prej fragmenteve të denoncimit të mbërritur në gazetën SOT nga Konfederata e Sindikatave të QSUT-së e cila dënon hapur korrupsionin e pazaret që kryhen nga mjekët e shefat e shërbimit mu në mes të Qendrës Spitalore Universitare Spitalore, e cila në mënyrë paradoksale mban emrin e të madhes Nënë Tereza, por që drejtuesit e këtij institucioni nuk kanë asgjë të ngjashme me figurën tepër humane të saj. Në materialin e dërguar gazetës, konfederata e sindikatave denoncon faktin se ka raste të panumërta të denoncimeve të familjarëve haptazi kundër mjekëve dhe infermiereve me akuza të rënda faktike për neglizhencë në punë që kanë shkaktuar pasoja me vdekje. Gjithashtu në material shkruhet se ti marrësh grave shtatzëna para në lindje dhe ti operosh ato pa arsye dhe logjikën klinike është një krim që nuk e bën as krimineli më i madh. Duke ju drejtuar vetë ministrit Vasili, konfederata e sindikatave sqaron ndër të tjera se krimin më të madh me pacientët e në këtë rast me gratë shtatzëna e bën vetë Ministria e Shëndetësisë me drejtorin Halim Kosova dhe drejtoreshën Rubena Mojsiu e cila në rastin kur u zbuluan infermieret që merrnin ryshfet kjo e fundit doli në media duke deklaruar se infermieret nuk kishin faj. Ndër të tjera konfederata denoncon edhe plagosjen apo vrasjen e mjekëve duke e vërtetuar këtë me faktin se kjo gjë vjen si pasojë e mitmarrjes në shëndetësi.


Denoncimi
Në lidhje me këtë konfederata e QSUT-së i drejtohet vetë ministrit Vasili duke sqaruar se vetë ai me kompetencat e paqena e papërgjegjshmërinë për korrupsionin e orvatjet e pafundme në shëndetësinë në vend i ka kthyer spitalet në fushë beteje. Ndër të tjera konfederata në materialin dërguar gazetës thekson se janë hapur kohët e fundit shumë kurse e shkolla për infermieret të cilat zakonisht janë piramida sepse çudia e madhe se aty ku janë drejtorë nga LSI i rekomandojnë tek shkolla e lartë Medikon, por nga ana tjetër këto diploma të marra, janë të pavlefshme dhe aspirantët për tu përgatitur si infermiere të ardhshëm paguajnë nga 2000 mijë euro për të marrë një diplomë false. Gjithashtu konfederata e sindikatave në QSUT, denoncon se shumica e këtyre shkollave që ofrojnë kurse dy apo tre vjeçare për infermieri nuk janë të akredituara, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë në lidhje me këtë ka bërë publike se për infermieret me kurse tre vjeçare duhet të japin provime shtesë në shkollën e mesme. Ndër të tjera konfederata e sindikatave i bën thirrje vetë ministrit Vasili e punonjësve të tjerë të ministrisë se ata mashtrojnë e vjedhin direkt popullin, madje bashkë me ta edhe drejtorët në rrethe sipas konfederatës marrin ryshfet edhe për një emër të vendosur në regjistër.


Precedenti
Konfederata bën gjithashtu pubik faktin se në QSUT, vetë krerët e kësaj drejtorie kanë punësuar infermiere e punonjës me një teser të partisë e cila ka zaptuar ambientet e spitalit më të madh në vend, infermiere e punonjës që në shumicën e rasteve janë pa arsimin përkatës dhe me shkolla false duke u futur në këto punë me dhënin e ryshfeteve drejtorëve të QSUT-së. Sipas konfederatës një e vërtetë si drita e diellit është se ministrat e shëndetësisë që kanë ikur e janë në pushtet drejtora të shëndetësisë në rrethe apo në qendrat shëndetësore këto vjet kanë vënë pasuri brenda dhe jashtë shtetit duke siguruar 4-5 breza me anë të tenderave, emërtimeve dhe fakti është se as ka patur e as do të ketë ndonjë herë ndryshime për shërbim të mirë ndaj popullit.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›