E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi Liri a Vdekje, me tinguj nga Orkestra Simfonike e RTSH

Stina Koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH vijon të mbushë me tinguj klasikë skenën e Akademisë së Arteve. Edhe në vijim të këtij sezoni artistik nga drejtuesit e kësaj stine koncertore bëhet e ditur se për publikun do të vijnë artistë të njohur nga vendi dhe bota, të cilët do të performojnë të shoqëruara nga Orkestra Simfonike e RTSH.

Për veprat që do të interpretohen në koncertin e datës 28 qershor ato i takojnë autorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë.  Vepra nga Kujtim Laro, Uverturë e filmit Liri a Vdekje, pjesë nga Avni Mula, koncert për trombon dhe orkestër simfonike, solist Ismet Keta, por do të jenë dhe vepra nga Ludëig van Beethoven Symphony No.1. I gjithë ky koncert këtë herë vjen nën drejtimin e dirigjentit të njohur. Alqi Lepuri (Artist i Merituar) ka një veprimtari të gjerë artistike. Dirigjent i shquar shqiptar, që në moshë të vogël studion për violinë në rrethet amatore të Shtëpisë së Pionierit në qytetin e lindjes dhe merr pjesë në jetën artistike. Në vitet 1969-1973 kryen Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë, ku fillon të drejtojë koncerte me korin e orkestrës, me orkestrën frymore dhe korin e shkollave të mesme, nën kujdesin e Vangjo Novës. Në vitet 1973-1977 kryen studimet e larta për dirizhim në Institutin e Lartë të Arteve në klasën e Prof.Rifat Teqes. Edhe në këtë periudhë aktivizohet në jetën muzikore, duke drejtuar formacione të ndryshme dhe të rëndësishme orkestrale. Diplomën e mbron me një koncert me Orkestrën Simfonike të RTSH. Në vitet 1977-1992 punon si dirigjent në Ansamblin Artistik të Ushtrisë. Në këtë institucion realizon një numër shumë të madh koncertesh (numërohen me mijëra ) në të gjitha anët e Shqipërisë. Në vitin 1992 fillon punë si pedagog i dirizhimit në Akademinë e Arteve. Repertori i tij përfshin një numër të madh veprash të të gjitha gjinive dhe kohërave, si nga autorë shqiptarë ashtu dhe nga literatura botërore, e materializuar kjo në koncerte të shumtë e të larmishme, me një numër të madh formacionesh vokale dhe orkestrale. Në periudhën mes viteve 1975-2005, Alqi Lepuri ka drejtuar për herë të parë vepra të kompozitorëve shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci etj. Solisti Ismet Keta pas diplomimit fillon punë me 1985 si trombonist i parë në Orkestrën Simfonike të RTSH dhe është tromboisti i parë që ka luajtur si solist me Orkestrën e Radios nën drejtimin e dirigjentit të njohur Ferdinand Deda me Arie Concert W. Smita, etj. Që nga viti 1995 është pedagog i trombonit pranë Akademisë së Arteve, ku vlerësohet puna e tij pedagogjike.

Edicioni i parë i Festivalit Ballkanik Teatror, mbush skenën në Prishtinë
Vijon të prezantohet me sukses në teatrin Dodona në Prishtinë, edicioni i parë i Festivalit Ballkanik Teatror, i cili do të mbahet nga datat 21-26 qershor. Nata e parë nisi me shfaqjen nga Shqipëria, Për trupin nga koka, e regjisores Inida Gjata, ndërkohë që janë gjashtë shfaqje nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor në garën e teatrit të të rinjve dhe kukullave Dodona. Përveç saj, në ditët e tjera të festivalit prezantohen edhe dy shfaqje nga Kosova, Nata e zotëve, me tekst të Miro Gavranit dhe regji të Fatmir Hysenit, prodhim i Teatrit të qytetit të Ferizajt, si dhe Sonte jam vetëm, me regji të Enver Petrovcit, prodhim i Teatrit të Babës të Prishtinës. Nga Maqedonia, konkurron shfaqja Kufomat e gjalla, e autorit Shkëlzen Halimi me regji të Zijadin Murtezit, ndërsa Mali i Zi do të prezantohet me Vise od terapije (Më shumë se terapi), e autorit Christopher Durang. E ndërkohë që pjesëmarrjen në këtë festival e ka konfirmuar edhe shfaqja nga Serbia, Primadona me tekst të Zhelko Mijanoviqit, nën interpretimin e aktoreve Evgenija Stankoviq dhe Katarina Arsiq.

Kthjellu prezantohet në MTV
I njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë grupi i njohur kosovar Kthjellu debuton në MTV më këngën e tyre më të re Tonight is your night. Kjo është hera e parë që kënga e një grupi mbarëshqiptar prezantohet në kanalin prestigjioz MTV. Kënga i dedikohet luftës kundër trafikimit dhe shfrytëzimit dhe do të pasojë grupet Radiohead dhe The Killers, të cilët kontribuuan në këtë fushatë kundër skllavërisë moderne. Kënga është prezantuar në mbrëmjen e organizuar nga MTV me temën Join the fight to End Trafficking and Exploitation (Bashkohu në luftën kundër trafikimit dhe shfrytëzimit) në Prishtinë. Ndërkaq që në vijim të suksesit të tyre muzikor me shumë këngë të tjera, do të jetë dhe kënga Tonight is your Night, me të cilën Kthjellu do të paraqiten për publikun e MTV-së dhe MTV EXIT në të gjithë botën.

Last Updated on E Merkure, 23 Qershor 2010 19:36

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›