E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikollaj: Sindikata, kontratë me OSSH për largimet apo emërimet e punonjësve

Lidhur me shkrimin e botuar dy ditë më parë, në të cilin ish zëdhënësi i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Luan Shtëpani akuzonte sindikatat për shkelje të Kodit të Punës, presidenti i KSSH, Kol Nikollaj sqaron për gazetën SOT se këto pretendime janë absurditete e të pavërteta, pasi me OSSH, Sindikata e Industrisë ka një kontratë kolektive të nënshkruar dhe është sindikata më e suksesshme në KSSH, kjo dhe në sajë

të punës së drejtuesit të ri të saj, Taf Koleci. Sipas Nikollajt, në bazë të kësaj kontrate, sindikata ka të drejtë legjitime ti propozojë OSSH-së që reforma për largime apo riemërime të punonjësve të bëhet mbi bazë të kritereve që punonjësit zotërojnë për një vend pune të caktuar. Më tej, Nikollaj sqaron se Shtëpani, i cili ka servirur fakte të tilla për botim, prej 6 muajsh është person i larguar nga KSSH për paaftësi, mediokritet dhe abuzim me detyrat e ngarkuara. Ndërsa përsa i përket pretendimeve të Këshillit Sindikal të Tiranës, Nikollaj i hedh poshtë si të pavërteta, pasi sipas tij, personat e mbledhur me datë 31 tetor 2009 nuk kanë patur asnjë lidhje me KSSH e strukturat e saj. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë është një organizatë sindikale demokratike e pavarur nga shteti, partitë politike, grupimet fetare, punëdhënësit publik apo privat dhe nga organizatat apo shoqatat e ndryshme jo qeveritare, pohon Nikollaj, duke shtuar se KSSH zbaton me rigorozitet standardet dhe normat demokratike në ndërtimin dhe funksionimin e saj dhe në zgjedhjen e organeve drejtuese. Në të gjitha forumet drejtuese dhe strukturat e KSSH inkurajohet debati i hapur, respektohet mendimi ndryshe dhe vendimet merren në mënyrë demokratike. Organet zgjidhen në mënyrë demokratike nga poshtë lart, japin llogari para zgjedhësve dhe janë të revokueshme përpara tyre. Në këtë mënyrë është ndërtuar gjithë piramida konfederative dhe vetëm në këtë mënyrë mund të funksionojë, shton Nikollaj, sipas të cilit prej 3 vitesh KSSH është përfshirë në një metamorfozë ndryshimi, i cili është përcaktues për fatet e së ardhmes së KSSH, është vullneti i lirë i anëtarësisë së KSSH i shprehur që nga organizatat territoriale deri në Kongresin e KSSH që kërkojnë domosdoshmërisht këtë ndryshim. Sigurisht që ne e pranojmë se ndryshimi është i vështirë pasi ka të bëjë jo vetëm me ndryshim taktik, strategjie, ndryshim rregulloresh e statutesh por edhe me ndryshim mentaliteti e me interesa te ngushta individësh, të cilët për më shumë se 20 vjet e kanë mbajtur peng në staniacion lëvizjen sindikale, përfundon Nikollaj në sqarimin e tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›