E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindroma e vipomanisë dhe efektet negative të saj

Agron Duka është legjitime që çdo njeri të kërkojë nga jeta të marrë maksimumin e saj, siç është normale po ashtu që gjithkush kërkon të jetë në vëmendjen e të tjerëve, të jetë prezent në evenimentet e rëndësishme të jetës shoqërore e private, të jetë i përfolur pozitivisht nga opinioni publik. Nuk ka asgjë të keqe të jesh njeri i rëndësishëm, apo thënë ndryshe VIP (person i rëndësishëm). Kjo dukuri jo e re për shoqërinë njerëzore vërehet kudo, në popujt e zhvilluar, në ata më pak të zhvilluar si edhe ato të prapambetur por në Shqipëri, nuk e teproj po të them, kjo dukuri normale po kthehet në një fenomen, në një qëllim në vetvete, në një sindromë shoqërore me efekte negative. Shumica në Shqipëri, njeri të rëndësishëm quan atë që është në krye të instancave shtetërore, që udhëheq, pra që merret me politikë. Në një kohë që i rëndësishëm mund të jesh kudo në të gjitha sferat e jetës, i rëndësishëm mund të jetë edhe një sportist, një profesor, shkrimtar apo artist. Në shumë raste persona që kanë bërë një jetë të rëndomtë, nuk janë dalluar as në aktivitetin e përditshëm për ndonjë rezultat të spikatur, nuk e fshehin dëshirën për të qenë të tillë, madje në disa raste e kërkojnë atë me çdo kusht. Dhe kur ndodh kështu, këta persona bëhen të rrezikshëm, këta me etjen e vipomanisë nuk pyesin për mënyrën se si duhet të arrijnë të bëhen të tillë. Ata mund të gënjejnë, mashtrojnë, kërcënojnë, mjaft të dalin në ambiente publike të veshur mirë, ndoshta të këshilluar edhe me ndonjë stilist, me një buzëqeshje të shtirur sikur janë të dashuruar me ata që i shikojnë e dëgjojnë, në fakt janë të dashuruar vetëm me veten e tyre. Po ashtu si këta, pretendojnë të jenë pothuaj të gjithë në Shqipëri, të gjithë synojnë e nuk iu duket aspak e çuditshme ta shohin veten në krye. Të gjithëve iu duket padrejtësi që nuk janë në vend të atyre duke arsyetuar: "në fund të fundit, çfarë ka ai më shumë se unë"? Të bie në sy reagimi i ashpër i ministrave, ca më shumë i këshilltarëve specialë, që zëvendësohen herë pas here. Ndodh që ata dalin kundër partisë së vet e fillojnë të kafshojnë si për të kujtuar që nëse nuk i riafrojnë, ata janë të aftë të bëjnë dëme, ndonjëherë jo për t'u nënvlerësuar.  Kështu krijohet një vorbull ku nuk e merr vesh i pari të dytin e puna më e vështirë është të përcaktosh kush do të jetë i dyti.  Ky fenomen bashkëudhëtar e prezent në jetën e shqiptarëve është aq dominant saqë shpesh pushtuesit e huaj përdornin si justifikim tezën se shqiptarët nuk dinë të krijojnë shtet, e kanë të vështirë ta njohin shtetin e dalë nga ata vetë dhe ndjehen më mirë kur qeverisen nga të huajt. Kjo analizë më vjen në mendje kur shikoj konfliktualitetin e tejskajshëm e gati-gati të pashpresë të politikës shqiptare. Të krijohet përshtypja se nuk është më çështje individësh e emrash të veçantë, por çështje mentaliteti, i cili duhet ndryshuar domosdoshmërisht.Rreken të huajt të na bindin se në pluralizëm kështu ndodh, njëherë fiton njëri e njëherë tjetri, se duhet të bashkëqeverisni, se duhet të njihni fitoren e humbjen e njëri-tjetrit, se në fund të fundit jeni po ju shqiptarët që duhet të përfitoni nga qeverisja juaj dhe jo vetëm që nuk i dëgjon njeri, por përkundrazi antagonizmi sa vjen e shtohet. Ata vazhdojnë të asistojnë qeverisjen tonë aq shumë, sa që nganjëherë të krijohet përshtypja se qeverisemi prej tyre, ndërsa ne vazhdojmë të sulmojmë njëri-tjetrin pa asnjë hezitim se mos ofendojmë, se mos ndoshta ato që themi nuk janë të vërteta, e rëndësishme është të jemi në krye, pa harruar ndonjëherë frazën e shtirur: "na vjen keq për socialistët apo demokratët e vërtetë", ne iu duam të mirën, por në këtë rrugë që po i çon Rama apo Berisha nuk mund të vazhdohet.  Viti që lamë pas mund të mbahet si një nga rekordet e fyerjeve, jo vetëm personale, por edhe të grupeve të tëra. Dy persona, protagonistë të politikës aktuale, njëri kryeministër e tjetri që shpreson të bëhet. Nuk kanë lënë gjë pa thënë për njëri-tjetrin e për grupet që i mbështesin ata. Nëse flasim për fyerjet e sharjet që bëjnë grupe të tëra që rrethojnë liderët e dy partive, atëherë të shkon mendja në analizën se shqiptarët e kanë të vështirë të njohin një qeveri të dalë nga gjiri i tyre dhe pluralizmi që po përpiqemi të ndërtojmë na shfaqet më tepër në një formë moderne të luftës së klasave. Thuhet për funksionarë të lartë të Partisë Demokratike se rrjedhin nga familje komunistësh a thua se kjo përbën një krim, nga ana tjetër për ata të Partisë Socialiste se janë çuna blloku, punisto-mafiozë etj. Pra shihet një tendencë përjashtuese për njëri-tjetrin deri në ekstrem, sa që të kaplon frika se këta liderë partish nëse do t'iu jepej mundësia do të donin të qeverisnin të vetëm e kjo mos e dhëntë Zoti do të na kthente në diktaturë. Në këtë mënyrë krijohet edhe një psikologji terrori e stresi për pasuesit e simpatizantët e të dy grupimeve të mëdha, të cilët luftojnë me mish e me shpirt ndaj njëri-tjetrit sepse iu duket sikur luftojnë për mbijetesën e tyre, në çdo rast humbjeje pasojat do t'i vuajnë kryesisht ata e si rezultat kemi këto vërshime masive në rrugë nga të dy krahët sa herë të lindë nevoja pa arsyetuar në bëjnë mirë apo keq. Në këto tubime dëgjojmë lektorë sikur të jenë të mpirë nga ndonjë ilaç amnezie, lektorët që shpesh kanë pamje të turbullt sepse ndërrojnë krahët sa herë u cënohet vipomania e tyre nga liderët e partive e kur u premtohet prapë nuk e kanë për gjë të kthehen në "shtëpi". Them vipomania sepse po t'i vëmë re pothuaj të gjithë janë divorcuar sepse iu është cënuar rëndësia për nga radha.  Ndodh pak a shumë, ajo që ndodhte në kohën e diktaturës, ku masat e gjera të punonjësve dhe fshatarësia kooperativiste mbushte sheshet e thurte lavde për Partinë e Punës sepse ajo i mbante frymën gjallë. Ndërsa sot i fut apo i mban në punë, iu jep apo iu heq privilegje. Përse kjo rendje në sheshe sa herë kanë nevojë ata, në një kohë që kemi pasur pothuaj gjithmonë e në mënyrë të vazhdueshme mungesa të elementëve kryesorë të jetës si ujë, drita e nuk jemi ngritur kurrë, në një kohë që për faj të politikës jemi të fundit në Ballkan që presim radhën të lëvizim lirshëm në Evropë e nuk themi asgjë, në një kohë që kemi një Parlament gjysmak në dëm të të gjithëve, e nuk themi asgjë. Kur do të vijë koha që ne të pranojmë që me politikë duhet të merret ai që di ta bëjë, që njeriu mund të jetë i rëndësishëm edhe pa të, që gjithsecili të përpiqet të jetë i rëndësishëm në zanatin e tij, si në punën e përditshme, sport, art etj. Dhe të mblidhen në tubime kur vëren që ata, politikanët, nuk po bëjnë mirë punën e tyre, që po i lënë të fundit kudo e jo të mblidhen për interesa të atyre. Kjo sjellje e popullit ndaj politikës në vendet e zhvilluara ka kohë që ka ardhur. Atje populli nuk është jeniçer, nuk ka frikë se ngelet pa punë sa herë që pushteti ndërron krah, nuk vuan nga sindroma e vipomanisë, por secili ndjehet mirë në punën e tij, ndjehet mirë nëse jeton rehat e nuk i mungon as uji, as drita, as kushtet e mira ekonomike, pavarësisht se qeveritë nuk janë votuar nga të gjithë. Ne duhet të mësohemi të pranojmë të qeverisemi edhe nga ata që nuk i kemi votuar, por kanë marrë të drejtën për të qeverisur, sepse dihet se kudo diferencat nuk janë shumë të mëdha, por nga ana tjetër ata që qeverisin duhet të dinë se nuk u takojnë vetëm atyre që i kanë votuar, por i takojnë gjithë popullit, duhet të dinë që nuk kanë ardhur të heqin nga puna disa e të vënë në punë disa të tjerë, por kanë ardhur të punësojnë sa më shumë shqiptarë, të rrisin nivelin ekonomik e të integrojnë Shqipërinë sa më shpejt në Evropë. Rëndësia herë-herë e panevojshme që i japim ne si popull, mediat si pjellë e të njëjtit mentalitet, i bën keq politikës në përgjithësi e personave në veçanti, si dhe nxit masat e zakonshme të popullatës të merren me të, duke i bërë shqiptarët një popull që merret në tërësi me politikë, por jo shumë të suksesshëm në ketë lloj zanati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›