Blerja e 5 helikopterëve, kontrata me procedurë të shpejtuar në Kuvend
Kontrata e qeverisë shqiptare për blerjen e pesë helikopterëve ushtarakë të konsorciumit franko-gjerman “Eurocopter”, me një vlerë prej 78.633.288 eurosh do të ratifikohet nga Parlamenti shqiptar. Kontratën me një faturë të konsiderueshme financiare për arkën e shtetit, Qeveria ia ka lënë në dorë Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar blerjen e 5 helikopterëve ushtarakë. Mësohet se sot komisioni parlamentar i Sigurisë pritet ta shqyrtojë atë. Qeveria i ka kërkuar Kuvendit, që një kontratë të tillë në formën e projektligjit ta miratojë me procedurë të përshpejtuar. Sipas relacionit, Ministria e Mbrojtjes disponon fondin financiar të nevojshëm për të planifikuar, si paradhënie për fillimin e punës nga “Eurocopter”. çmimi i pesë helikopterëve shkon në 69.742,814 euro ndërsa pjesa tjetër e shumës që mbetet nga totali, 8.890.474 do të përdoret për blerjen e kompletit të pajimeve, pjesëve të këmbimit, si dhe për trajnimet e pilotëve dhe teknikëve. Sipas kontratës, pagesa e shtetit shqiptar kundrejt firmës do të realizohet me këste brenda një periudhe kohore që zgjat deri në 2013. Kësti i parë dhe i dytë do të përjashtohen nga letrat e kreditit (dokumenti i Kreditit). Një dokument krediti do të hapet me urdhër të blerësit, jo më vonë se 1 tetori 2010, për shumën e 7.600.000 euro për të mbuluar shumën e kërkuar të pagesës së parë. Ky dokument krediti do të jetë i vlefshëm deri më 31 dhjetor 2010. Një dokument i dytë krediti do të hapet me urdhër të blerësit jo më vonë se 10 marsi 2011, për shumën e 20.000.000 eurove për të mbuluar shumën e kërkuar të pagesës së dytë të ecurisë së punës dhe pagesën e helikopterit të parë. Ky dokument krediti do të jetë i vlefshëm deri më 30 shtator 2012. Dokumenti i kreditit të tretë do të hapet me urdhër të blerësit jo më vonë se 10 marsi 2012, për shumën e 20 milionë eurove për të mbuluar shumën e mbetur të blerjes së helikopterëve të dytë dhe të katërt. Një dokument krediti i katërt do të hapet me urdhër të blerësit, jo më vonë se 20 shkurt 2013, për shumën e 17.170.698 euro për të mbuluar shumën e pagesës së mbetur të helikopterit të katërt dhe të pestë. Ky dokument do të jetë i vlefshëm deri më 30 qershor 2013. Shitësi i helikopterëve do të lëshojë një garanci bankare prej 5 milionë eurosh në favor të blerësit. Sipas kontratës helikopterët shumë rolesh, të tipit Cougar AS532 AL, të versionit ushtarak të familjes së Super Puma, do të sillen të paketuar në Shqipëri.