Përmbytja që nuk shpëtoi pa kurbanë
Prof. Asc. Sazan GURI Ndoshta, ky do të jetë rasti, kur shqiptarët do të mblidhen e do t‘i thërrasin mendjes për të mos provuar mynxyra të tjera si kjo përmbytje, sepse siç thonë studiuesit e kohës së Mevlat Celebiut, mendja e parë e shqiptarit është mendje kali – o burra trim në luftë, mendjen e dytë ma bjerr këtu, se më lipset. Ndoshta, ky do të jetë rasti që do të kthej në kohezion politikën e hapërdarë deri më tash shqiptare, që sikundër rri si një bashkësi të vetme komunitare, madje në kohezion, dreri me ujkun apo luani me zebrën apo macja me miun pa u ngacmuar, në një fatkeqësi si zjarri i pyjeve, ashtu duhet të t‘i gjendeshin njëri-tjetrit dy kundërshtarët e lodhur, por më saktë copë e çikë politik. Ndoshta, ky do të jetë rasti, që do të nxjerrë nga foleza e ngrohtë një mori profesorësh që mezi shkruajnë e tinëz flasin. Ndoshta, ky do të jetë rasti që do të nxjerrë nga strehëza të vobekta qytetarë që gojë kanë e s‘flasin, jo më për mitingje politike por për standarde të jetës, sidomos të fëmijëve e qenieve të ulta frymore, që gojë s‘kanë e flasin. Kjo, për shkak se murmuritja nuk shkon kurrë në kërkesa civile, sepse me të marrë grushtin e parë, ata kthehen gjene në fatin e tyre, por edhe sepse liria është një atribut që iu takon njerëzve të përgjegjshëm. Gjithsesi ka të ngjarë që fundi të jetë zënë. Hajde të fillojmë të ngrihemi, duke e kthyer këtë të keqe të madhe në një të mirë të madhe. Hajt për mbarësi të mblidhen njerëzit e duhur për të bërë, për herë të parë në historinë 20-vjeçare tranzmizore të këtij vendi, gjënë e duhur dhe kurrsesi të mos vazhdojmë e të mos nxjerrim mësime nga pësimet. Fakti, që fatkeqësitë me përmasa kombëtare na kapin në befasi çdo vit, po pse të mos themi çdo muaj, çdo javë, dëften se ky popull, si i vogël ndoshta që është, mund të ketë edhe memorie të vogël. Por, ndoshta edhe sepse sa vjen e bëhet më i vogël, duke qenë dy herë fatkeq. Njëherë, se realisht është i vogël dhe njëherë se nuk pyet njerëzit e vet të mëdhenj, në një kohë që kombet e mëdha zmadhohen dy herë, njëherë se janë me të vërtetë të mëdha dhe se e dyta pyesin njerëzit e tyre të mëdhenj, të cilët gatitin kombet e tyre më atë që nuk e njohin, që i mësojnë për atë ç‘mund të ndodh, që i nxënë se si mund ta rregullojnë atë që ndodh, dhe që i japin atë që është më e shtrenjtë për të gjithë ne, mbrojtjen e mijëra milionave jetë njerëzish. Ndaj dhe kësi kombesh kanë mësuar më shumë nga fatkeqësitë sesa nga Universitetet.A nuk janë fatkeqësi kombëtare bam-bumet e fishekzjarrëve për gjatë një muaji rresht prag kapërcyelli të çdo viti? A nuk ka tisin e fatkeqësisë përplasja për ujërat detare? A nuk janë të tilla mbytja e duzinë njerëzve në liqenin e Farkës, në rrugëtimet përtej detit, por mbi të gjitha në udhëtimet brenda tokës së dheut amë, që po t‘i mbledhësh ia kalojnë për nga përmasat një lufte kamikaze në Iran. Dhe e dini psenë? Sepse ne shqiptarët si askund tjetër, kemi vendosur që hakmarrjen ndaj keq qeverisjeve ta shprehim duke marrë hak ndaj qenieve më të ulta në hierarkinë biologjike. Pse si shpjegohet lidhja që ekziston midis shtypjes së përditshme të po aq qenve, rrugëve nacionale me ngritjen e patkonjve nga dielli të po aq qenieve me gjoja ndërgjegje të lartë (njerëz)? Kësisoj, ka shumë të ngjarë që nga ky mos gjynah, nga kjo mungesë hakikati ndaj të gjorave kafshë, njeriu i sotëm shqiptar të mos ketë bekimin e duhur për jetën, të mos ketë qeverisjet e duhura, të mos ketë qytetarinë e duhur. Por, unë e bare, le ta tregojmë veten kësaj radhe.Hajde të fillojmë të ngrihemi, duke mos lënë gjë të gjallë të bëhet kurban, megjithëse jo pak u bënë, mundësisht as miun e arave që na duhet për mihës të tokave, që struktura e ajrosjes iu shprish, as atë buburrecin e rrënjëve që mijëra kilogramë metale të rënda iu futën, as atë dhenë, lopë e dhi, që për secilin nga ata katundar fatkeq është industri, që njëherësh do të thotë për njeriun po se po. Jo rrallë kemi dëgjuar nga politikanë çehreprishur, drejt e direkt nga zonat e përmbytura, mesazhe se si të shpëtojmë vetëm e thjesht koka njerëzish, por që jeta e të cilëve nuk ka kuptim pa atë bashkëjetesë ekologjike. Edhe nëse nuk e zbërthen dot, si nëpër leksionet tona, ai katundari në dukje i ngratë, e ndjen, dhe është i rrokur me këtë lidhje gjenetike të brendshme. Shembulli është mbreti i bisedës. Mund të keni parë në transmetimet nga TV-të greke, skena nga zjarret e vitit të kaluar, se si nëna u gjet e zjarrosur me fëmijë të përqafuar rreth vetes, se si më tej bariu u gjet po i shkrumbosur me delet e zëna prej qafe. Por, ajo që e bën më të qenësishme këtë memorie është skena po aq e ngjashme e një prindi ujk, që kish rrokur po prej gushe këlyshët e vet. Më thoni ju lutem ndryshimin. Këtë rrokje të pashpjegueshme ka në nëndijen e vet edhe katundari ynë i përmbytur, tashmë hallembytur. Pra, po aq shpirt, po aq të drejtë, po aq frymë e po aq dinjitet sa njeriu kanë edhe këto kafshë apo qenie të gjalla, ku ndryshimi me të është jo më tepër se 1% në fiziologji dhe 1% tjetër në tru, aq sa ato thërriten sot si qenie me ndërgjegje të ulta, por që në zinxhirin ushqimor, ato janë shumë më të dobishme, shumë më miqësore, shumë më punëtore se njeriu, sepse këtë të fundit nuk e lë hunda të shikoj përtej çapit të vet, ndërsa ai ka nuhatjen, instinktin që nuk e lë të gaboj as edhe përtej horizontit tej e tutje të të zotit të vet, që me pak vëmendje ndaj tij mund të kuptosh dhe të ardhmen tënde. Gjithsesi, e gjora kafshë vetvetiu nuk lëviz, sepse i ka dhënë fjalën në heshtje njeriut, sepse ajo nuk flet që të merret vesh, ndërsa njeriu ka gjithë atë çorape gojë me gjithë grykë, për të folur në mënyrë që të mos merret vesh. Jo më kot thonë, që zoti iu dha fjalën njerëzve për të fshehur mendimin e tyre dhe për t‘u mos u marrë vesh me njeri-tjetrin, ndërsa kafshëve nuhatjen e tingujt, jo vetëm për të ndijuar siç dihet, por më tepër për të kuptuar. Nejse, kjo do një nge tjetër dimri dhe me gështenja pranë. Le të kthehemi sërish te situata aktuale e përmbytjes që njëherësh është mbytje si për banorin fatkeq, por më tepër për të mjerat kafshë, që jo pak kurban u banë, që gjene është mbytje për të gjorat kafshë, që ushqim nevojë kanë. Do pare e do sende për këta banorë, me shumicën e familjes në ekzil, një ditë do ta kenë, por do kashtë e togje bari për kafshët e mjera kurrë nuk ta gjejnë, nëse dikush nuk do të vërë ujin në zjarr, kur dihet dinjiteti i një Qeverie, i një Shteti apo i një Kombi nuk matet vetëm se sa koka njerëzish shpëton, sepse ajo vetëkuptohet, por se sa jetë qeniesh me ndërgjegje të ulët nxjerr nga kjo mynxyrë të kurdisur me dashje apo pa dashje njerëzore, sepse në ka njerëz të pafajshëm në këtë mesele janë kafshët dhe fëmijët dhe ca sokratë të mërzitur në ekzil dhe nëse ka të fajshëm në këtë haxhele janë ca si njerëz derra të kënaqur në këtë vend. I kujtoni disa dokumentarë që flasin se si grupe me njerëz në Amerikë e gjetkë mobilizohen për të shpëtuar kafshë si mace e qenë të kurthuar nëpër puseta rrugësh. Ky është modeli që dikur e kemi pasur, por që sot na duhet prap.