E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Berisha: Jemi gati për kontrollin e Brukselit

 ADI SHKEMBIPak ditë para mbërritjes të ekspertëve të Komisionit Evropian, të cilët do të vlerësojnë përfundimisht përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, kryeministri Sali Berisha garanton se Tirana zyrtare i ka plotësuar të gjitha detyrat. Në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror të liberalizimit të vizave, kreu i qeverisë theksoi se “ne presim një grup të ri ekspertësh, të cilët vijnë për të inspektuar, për t’u njohur me progresin e bërë dhe për ta prekur në vend progresin e bërë. është jashtëzakonisht e rëndësishme që Agjencitë që do të vizitohen, pasi ekspertët i zgjedhin vetë edhe kohë, edhe vendin dhe agjencinë, të jenë të përgatitura për përgjigjet më të sakta dhe për demonstrimin më të qartë të atyre që janë zbatuar dhe që janë në zbatim e sipër, në përputhje me udhërrëfyesin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave”. Ai kërkoi mobilizimin e të gjitha resurseve njerëzore, materiale dhe financiare gjatë periudhës kur ekspertët e Komisionit Evropian do të shohin progresin në bllokun e dytë dhe të tretë të Udhërrëfyesit që ka të bëjë pikërisht me “Migracionin e Paligjshëm duke përfshirë Ripranimin” dhe “Rendi publik dhe sigurua”. Teksa përmendi nismat e ndërmarra për të plotësuar kushtet e këtyre dy blloqeve, Berisha renditi ngritjen e Komitetit Ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, hyrjen në fuqi të ligjit të ri kundër krimit të organizuar, miratimin e projektligjit për asistencën sociale të viktimave të trafikimit, si dhe ligjin për moratoriumin e skafeve. Një tjetër çështje e prekur nga kreu i ekzekutivit, por që ka marrë tashmë aprovimin e ekspertëve të KE-së, është ajo e pasaportave biometrike. Berisha tha se pasaportat aktuale do të jenë të vlefshme deri në fund të vitit 2011, për t’u zëvendësuar më pas me pasaportat e reja. “Ka progres shumë të madh dhe është zgjidhur problemi i kontrollit të bazës së të dhënave kriminale për aplikuesit për pasaportat biometrike. Kjo çështje ka marrë zgjidhje. Për sa i përket afatit të vlefshmërisë së pasaportave të vjetra, viti 2011 është përcaktuar si viti i fundit për përdorimin e këtyre pasaportave. Ndërkohë, për të gjithë ata që aplikojnë për pasaporta biometrike, krahas pajisjes me pasaportën e re, iu zhvlerësohet pasaporta ekzistuese”, u shpreh më tej Berisha. Kryeministri kërkoi në të njëjtën kohë transparencë edhe për sa i përket shifrave të Ministrisë së Brendshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Dhënia e informacionit me statistika për rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, drogës dhe luftës kundër korrupsionit, shpresoj dhe kërkoj që të gjitha këto, me transparencë dhe vërtetësi të plotë, të jenë në ëebsit-in e ministrisë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa transparenca e të dhënave”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›