Sindroma kineze e Putinit

Në të vërtetë, në fillim të këtij muaji, gjatë kongresit të saj të mbajtur në Pekin, Partia Komuniste e Kinës zgjodhi një garniturë të re njerëzish në krye të saj. Hu Jintao hoqi dorë nga pushteti në dobi të Xi Jinping, pas të cilës gjë shumëkush në Rusi filloi të shtronte pyetjen nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur edhe në vendin e tyre.
"Kinezët arritën të bënin të diçka që rusëve kurrë nuk do t’iu shkojë për dore: hoqën dorë nga mbështetja në individë të mëdhenj dhe të pandërrueshëm, dhe në vend të kësaj krijuan një sistem të zëvendësimit të rregullt të prijësve të tyre”, shkroi Mihail Rostovsky në gazetën ‘Moskovski Komsomolc’.
Që nga viti 1992, kur Deng Xiaoping ia dorëzoi pushtetin Jiang Zemin’it, në Kinë vlen rregulli: dy mandate dhe pastaj dorëzimi i postit.
Kontrasti me Rusinë, ku i gjithë sistemi politik sillet përreth të pazëvendësueshmit Vladimir Putin është i pranishëm çdo kund, duke filluar që nga tabloidi opozitar ‘Novaya Gazeta’, dhe gazeta ditore afariste ‘RBK’, e deri tek gazeta shtetërore ‘Ruskaya Gazeta’, e cila – sado që tingëllon interesant – modelin kinez e ka cilësuar si “një mësim edhe për shtet e tjera”.
Në gazetën ditore ‘Kommersant’, komentuesi Aleksandar Gabujev shkroi se udhëheqësi kinez ishte “vetëm i pari mes të barabartëve në organin drejtues, që po synon të shmangë situatën që vendi të udhëhiqet tepër gjatë nga një lider i vjetër dhe i sëmurë”.
natyrisht, Putin ka pasur rastin vitin e kaluar për të realizuar diçka ngjashëm me modelin kinez. E tëra që duhej të bonte atëherë ishte që “dhënia e dirës së gjelbër” mundësisë që Dmitrij Medvedev të kandidonte për mandatin e dytë presidencial, të cilën gjë ia sugjeronte edhe krahu teknokrat i elitës politike të vendit, dhe që ndikimin e vet ta mbante jashtë skenës politike, njësoj sikurse që dikur vepronte Deng Xiaoping. Por, kjo gjë natyrisht se nuk ndodhi. Putin vendosi që t’i kalojë edhe gjashtë vite të tjera në pushtet, e mbase edhe dy herë kaq, kështu që ai në këtë kontekst më parë do të mund të krahasohet me Leonid Brezhnyev se sa me Deng.
"Në fillim të ardhjes së tyre në pushtet që të dy dukeshin të ri dhe tërheqës, e më vonë, të sëmurë dhe qesharak. Të dy këta politikanë e lëshuan rastin e duhur historik për tërheqje dhe vendosën që të mbeteshin në politikë”, shkruan analisti politik, Stanislav Belkovsky.
Krahasimi i Putinit me Brezhnyev, i cili para një viti ka filluar të përmendet goxha seriozisht dhe vetëm sa është forcuar pas thashethemeve për shëndetin e Putin, megjithatë duket paksa i ekzagjeruar. Mirëpo, një aspekt
i këtij krahasimi duket se është relevant për ardhmërinë e Rusisë. Kjo, ngase nuk ishte vetëm Brezhnyev ai që në fund të sundimit të tij dukej i vjetër dhe i sëmurë, por njësoj dukej edhe e gjithë klasa politike ruse pas spastrimeve të Stalinit (në vitin 1937), e cila mbeti në pushtet deri tek zhdukja e tyre fizike – për shkak të vdekjeve natyrore.
Shumë analistë tani shtrojnë pyetjen nëse diçka e ngjashme do të ndodhë edhe me ekipin e Putinit. Për gjeneratat e reja, të cilat janë rritur pas rënies së Bashkimit Sovjetik, kjo do të ishte diçka frustuese.
"Putin është i gatshëm që drejtimin e vendit ta lë në duar të njerëzve të tij të besueshëm, të cilët së shpejti do ta arrijnë moshën e pensionimit”, pohon analisti, Viktor Averkov, në gazetën ‘RBK’.
"Për të shmangur konfliktin e gjeneratave, ai do të duhej t’i analizonte mekanizmat e sukcesionit dhe të bartjes së pushtetit”, shton Averkov.
Por, ka fare pak aludime se ai po e bënë këtë gjë.
Në tekstin e tij, të botuar në Gazeta.ru, komunisti Sergey Shelin thekson se, për shkak të skandaleve korruptive, Putin ka bërë disa ndërrime, edhe pse kjo është bërë më tepër sa për sy e faqe, sepse disa nga emrat e vjetër janë rikthyer në poste të reja.
Shelin shton edhe atë se “Kremlini gjithmonë përzien të njëjtën tubë të letrave”, respektivisht, se njerëzit e tij besnikë vetëm i bartë nga një vend në tjetrin.
Analistë e shumtë, përfshirë këtu edhe mua (Brian Whitmore), konsideronin se synimi afatgjatë i Putinit është ndërtimi i një sistemi stabil, dhe natyrisht autoritar, i cili do të mbijetojë edhe pas zbritjes së tij nga pushtetit. Por, tani është e qartë se ai nuk ka asnjë cak strategjik. Në fakt, ekzistojnë vetëm disa manovra taktike për ruajtjen e pushtetit, andaj - paradokalisht - është pikërisht kjo që sistemin e sundimit të Vladimir Putin e bënë aq jostabil. (RFE)