E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinjalistikë orientuese për monumentet natyrore të Sarandës

Nisma

Saranda është e bukur jo vetëm për bregdetin, pasuritë arkeologjike, por edhe për monumentet natyrore. E këtu nuk flasim vetëm për të famshmin Syrin e Kaltër, por edhe për shumë të tjera, po kaq interesante sa ai. Saranda numëron 19 monumente të tilla, me të njëjtin status të dhënë me vendim qeverie qysh në vitin 2002. Më të rëndësishmet prej tyre janë: Gjiri i Kakomesë, Rrapi i Nivicës, Guri i Bardhë në Borsh, Ixuari gjithashtu në Borsh, ku gjenden edhe shkëputjet tektonike për të shkuar më tej, në ujërat karstike të Fterrës. Në këtë bashkësi bëjnë pjesë edhe Pllakat e Plazhit të Sarandës, të cilat janë duke u tkurrur në shtrirjen dhe sipërfaqen e tyre, si edhe pylli i Butrintit, Rrapi i Dhivrit, Koinoni i Leshnicës etj. Duke qenë se janë më pak të njohura, e të lëna pas dore, drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimit Pyjor, Vangjel Anagnosti, ka vendosur që për të mos i lënë në harresë, ashtu sikundër ka ndodhur për vite me radhë, të vendosë sinjalistikat përkatëse dhe t’i bëjë ato të njohura përmes një ekspozite fotografike. Ajo do të nisë fillimisht nga qyteti i Sarandës për të shëtitur më pas në të gjitha komunat ku gjenden këto monumente natyrore. Monumentet nisin nga Gjiri i njohur i Kakomesë, për t’u ndalur në Rrapin e Nivicës. Prej këtej një ndalesë po kaq interesante përfaqëson Guri i Bardhë në Borsh, Ixuari gjithashtu në Borsh, ku gjenden edhe shkëputjet tektonike e deri në ujërat karstike të Fterrës. Pylli i Butrintit, Kanalki i Vivarit në afërsi të tij, Rrapi i Shënvasilit e ai i Dhivrit dhe ishujt e Ksamilit, Shpella e Konispolit e Koinoni i Leshnicës, përbëjnë një grupim tjetër monumentesh të natyrës së bukur. Për të krijuar njohje publike dhe promocion turistik për këto monumente të natyrës, e rëndësishme është që të përdoret edhe sinjalisitikë publikuese, njohëse dhe orientuese dhe për të mundësuar shkuarjen në to. E për këtë kërkohet një bashkëpunim edhe më i mirë me pushtetin vendor, me projekte të vogla, por të dobishme.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›