Spitalet rajonale, reformë fondesh dhe infrastrukture
Një studim i hollësishëm i specialistëve të kujdesit shëndetësor rendit një listë të gjatë problematikash tepër shqetësuese në spitalet rajonale. Në disa prej tyre, shfrytëzimi i shtetarëve është i një niveli tepër të ulët, ndërkohë që spitale si Tepelena apo Gjirokastra ndodhen në vështirësi serioze për sa u takon sallave të kirurgjisë, me amortizimin e infrastrukturës dhe mungesën e mjekëve, të cilët vazhdojnë të grumbullohen e të synojnë për punë vetëm kryeqytetin. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” organizuan dje konferencën me temë “Ekonomia sociale e tregut, sfidat për përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri”.
“Ndërsa reforma në sistemin parësor ka nisur të japë frytet e veta në drejtim të rritjes së eficencës së përdorimit të fondeve dhe nivelit të shërbimit, situata në spitale paraqitet ende kaotike, sidomos për sa i përket organizimit dhe ka një nevojë urgjente për riorganizim të plotë në drejtim të përputhjes së kapaciteteve të tyre me fondet që ato thithin dhe me shërbimet që ato ofrojnë brenda skemës së sigurimeve shëndetësore”, tha drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana. Nga hulumtimi i hollësishëm nga ana e specialistëve të ISKSH-së pranë të gjithë spitaleve në vend, janë vënë re një sërë mangësi në dhënien e shërbimit jo vetëm në spitalet bashkiake, por edhe ato rajonale. Disa spitale në nivel bashkie nuk justifikojnë funksionet publike për të cilat janë krijuar dhe financohen. Aktiviteti i këtyre spitaleve është në nivelin e shërbimeve ditore, si urgjenca, vizita ambulatore nga disa mjekë specialistë apo të përgjithshëm. Kjo është një medalje që ka dy anë, si mungesën e shërbimit shëndetësor për komunitetin dhe alokim joracional të fondeve për mbajtjen e këtyre spitaleve.
Sa u takon spitaleve rajonale, ato kanë mangësi në disa specialitete të domosdoshme dhe në mënyrë të veçantë e lidhur kjo me mungesën e investimeve në salla kirurgjie, shërbime të reanimacionit, mungesë të mjekëve kirurgë. Vihet re mosvënia në eficencë e investimeve të kryera, siç është rasti i spitalit të Tepelenës, ku salla e kirurgjisë nuk funksion për mungesë të personelit, ndërkohë që në Gjirokastër sallat janë të amortizuara dhe mungojnë investimet, gjë që mund të racionalizohej më mirë nisur nga fakti që këto dy qytete janë shumë pranë njëri-tjetrit.
Numri i ulët i pacientëve të trajtuar dhe treguesi i ulët i shfrytëzimit të shtratit në disa spitale, flet qartë për eficencën e ulët të tyre dhe përsëri për një përdorim joracional të fondeve të alokuara në to. Indikatori i shfrytëzimit të shtratit në shkallë vendi është 33%, në nivel spitali rajonal është 47% dhe nivel spitalesh bashkiake 29%, tregues ky mjaft i ulët dhe larg mesatares së vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, ku është rreth 73%.