Vendimet e 2009-ës në gjyqësor për bandat dhe korrupsionin
Viti 2009, tashmë në përfundim, ka qenë mjaft dinamik në gjyqësorin shqiptar, kryesisht në Gjykatën e Tiranës dhe atë të Krimeve të Rënda, të cilat gjykojnë krime të rënda, përkatësisht banda kriminale, organizata kriminale apo dhe grupe të mëdha të akuzuara për akte korruptive në institucione të rëndësishme shtetërore. Paralelisht me gjykimin e disa çështjeve mjaft të bujshme nga këto gjykata, në këtë vit janë dënuar disa banda kriminale, të njohura në vendet e tyre të origjinës, apo dhe eksponentë të krimit, pjesë bandash apo të akuzuar për vepra të rënda penale. Në këtë vit, gjyqtarët e dy gjykatave më të rëndësishme në vend kanë marrë vendime për bandat e Gaxhait dhe Zan Caushit, duke i dënuar me dënime maksimale krerët e këtyre grupeve, vendime të cilat u shtohen atyre të mëparshmeve. Gjithashtu, dy gjykatat kanë dhënë vendime maksimale edhe për anëtarë të grupeve të shkatërruara tashmë, siç është dënimi i “ushtarit” të bandës së Altin Dardhës, Gëzim Kasemi; dënimi i Jaho Mulosmanit. Gjithashtu, me burgime janë dënuar këtë vit edhe anëtarët e organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”, të cilët janë akuzuar për vepra të ndryshme penale të kryera përgjatë viteve ’92 e në vazhdim. Pak më të favorizuar kanë qenë në dënime zyrtarët e dënuar për afera korruptive, abuzime me tenderat apo tjetërsimet e pronave nga ana e kryekomunarëve, të cilët kanë fituar pafajësinë apo janë dënuar me dënime minimale.
Banda e Gaxhait, 1 burgim i përjetshëm dhe 100 vite burg
Pas 5 vitesh gjyqe, herë të zhvilluara dhe herë jo, si dhe pas disa muaj seancash të shtyra deri në shpalljen e vendimit, në nëntor të këtij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda dha verdiktin përfundimtar duke dënuar me 1 burgim përjetë dhe 100 vite burg pesë të pandehurit e ngelur gjallë të “Bandës së Gaxhait”, e njohur në Vlorë si banda rivale e Zan Caushit dhe e akuzuar për kryerjen e një sërë veprash kriminale. Në vendimin e tij përfundimtar, trupi gjykues dënoi me burgim përjetë vetëm Gazmend Brakën, kapon e bandës, ndërkohë që anëtarët e saj i shpëtuan burgimit të përjetshëm duke u dënuar me nga 25 vite burg secili. Përgjatë arsyetimit të vendimit, kryesuesi i trupës gjyqësore foli mbi nisjen, funksionimin dhe krimet e kryera nga “Banda e Gaxhait”, provat e marra parasysh në dënimin e pesë të pandehurve, dëshmitë e rëndësishme të cilat fajësonin anëtarët e bandës. Gjykata renditi dëshmitë që provojnë faktet, copëza nga këto dëshmi që provojnë krimet e kryera, si dhe përplasjet e rënda dhe me shumë viktima të dy bandave, asaj të Gaxhait të drejtuar nga Gazmir Brakaj dhe asaj të Zan Caushit. Sipas gjykatës, nga gjykimi ka rezultuar se krijuesi dhe personi që organizonte gjithçka në këtë bandë ishte i pandehuri Gazmir Brakaj. Në të njëjtin rol rezulton të këtë qenë pozicionuar dhe shtetasi Alfred Nebiu (Kakami). Ndërsa të pandehurit Edmond Leskaj, Armando Sulejmani, Sokol Sinomati dhe Gazmend Nebiu kanë qenë pjesëmarrës në këtë organizatë kriminale.
Banda e Zan Caushit, 50 vjet burg dhe 1 pafajësi
Pas rigjykimit të ngjarjeve të ’97-s të organizatës kriminale të drejtuar nga Myrteza Caushi në Vlorë, më në fund përfundoi shqyrtimi gjyqësor në shkurt të këtij viti dhe gjykata dënoi me 50 vjet burg katër të pandehur, ndërkohë që njëri prej tyre u shpall i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohej. Gjykata dënoi në përfundim të shqyrtimit gjyqësor me 18 vjet burg të pandehurin Zan Caushi, me 22 vjet burg të pandehurin Dorian Saliu, me nga 5 vjet burg për të pandehurit Skerdian Bajrami e Hair Hiraj, ndërkohë që shpalli të pafajshëm të pandehurin tjetër, Renato Çerçizin, ky i akuzuar për veprën penale të vjedhjes dhe për të cilin një seancë më parë u kërkua dënimi me 22 vjet burg. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Tiranës, ndërkohë që Zan Caushi gjykohej për herë të dytë, për krimet e kryera gjatë vitit 1997. Gjykata dënoi me vite të rënda burgu vetëm Zan Caushin dhe Dorian Saliun, për veprat penale të bandës së armatosur dhe krime të kryera prej saj. Ndërsa të pandehurit Bajrami e Hiraj u dënuan vetëm për nga një vepër penale. Vetë kapobanda i Vlorës, Myrteza Caushi, vuan dënimin me “burgim të përjetshëm” për krimin e vrasjes së dy personave në vitin 1999, pak kohë pasi u la i lirë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Gjyqi në ngarkim të ish-kapos së Vlorës, i vetmi në qeli, i akuzuar për ngjarjet e vitit 1997 në qytetin e tij, nisi në vitin 2000, kur Prokuroria e kryeqytetit kishte marrë kompetencën e kësaj dosje për arsye sigurie, ngriti ndaj Zanit dhe pesë shokëve të tij Hair Hiraj, Pëllumb Bajrami, Renato Çerçizi, Skerdian Bajrami dhe Dorian Saliu, akuzat për vrasjen e Bernard Duçkës, Niko Borakut dhe vëllezërve Neritan e Edmond Dedenika, si dhe rrëmbimin e Artur Gjoshit, Pëllumb Petritit, Foto Kolës dhe Sokol Kamberit. Të gjitha këto akuza, Myrteza Caushi, që tashmë ndodhet në qelitë e Burrelit, akuzohet t’i ketë kryer në kuadër të organizatës kriminale. Kjo bandë, që pushoi së ekzistuari kur u godit nga shteti në fund të 1997-s, njihej si banda e “Çoles” dhe në krye të saj qëndronte Myrteza Caushi dhe që ishte rivale me bandën tjetër që funksiononte në atë kohë, atë të drejtuar nga Gazmend Brraka (Gaxhai).
Gjykata dënoi me 25 vite burg Jaho Mulosmanin, për vrasje të dyfishtë
Gjykata e Tiranës ka dhënë një tjetër vendim në nëntor të këtij viti për Jaho Mulosmanin. Gjyqtari Petrit Çomo e dënoi atë me 25 vjet burg për akuzën e vrasjes së dyfishtë, vendim i cili i shtohet atij me “burgim të përjetshëm”. Jaho Mulosmani po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë për ngjarjen që njihet si vrasja e shekullit, ajo e deputetit Azem Hajdari. Gjyqi që i shton atij 25 vjet burg ka ndodhur në Tropojë, në vitin 1999. Mulosmani akuzohet për vrasjen e shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti. Vendimi për rigjykimin e çështjes ndaj Mulosmanit u mor pak kohë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi parregullsi në shqyrtimin e saj në shkallët më të ulëta të gjyqësorit. Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit e kishin shpallur fajtor dhe dënuar me burg përjetë Jaho Mulosmanin për vrasjen me armë zjarri të shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti në vitin 1999 në qendër të Bajram Currit. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja e rëndë kishte për motive hakmarrjen.
Banda e Altin Dardhës, dënohet me 25 vite burg “ushtari”, Gëzim Kasemi
Gjykata e Rrethit të Tiranës ka dënuar në korrik të këtij viti me 25 vjet burg “ushtarin” e Altin Dardhës. Sipas vendimit të dhënë nga gjykata, Kasemi është fajtor për veprat penale të “vrasjes me paramendim”, “armëmbajtje pa leje” dhe “vrasjes së mbetur në tentativë”. Ngjarja për të cilën akuzohet Kasemi ka ndodhur më 25 shkurt të vitit 1998, kur së bashku me Altin Dardhën dhe me Agron Bilalin kanë tentuar të vrasin Burhan Tomorrit, i cili i kishte vrarë të atin Altin Dardhës. Dardha, së bashku me shokun e tij Altin Isufi, dhe Agron Bilali e Gëzim Kasemi, e kanë gjetur Burhanin në një lokal pranë stadiumit “Tomori”, jo më shumë se 100 metra nga Komisariati i Beratit. Dardha ka qëlluar mbi 150 herë me një mitraloz të lehtë mbi viktimën, duke vrarë aty edhe 3 persona të tjerë. Pas kësaj ngjarjeje, Altin Dardha largohet për në drejtim të Greqisë, ku ekzekutohet nga kuçovari Arjan Paja. Gëzim Kasemi u ekstradua 2 vjet më parë nga Milano e Italisë. Pas ekstradimit ai kërkoi edhe rigjykimin e tij, pasi vendimi ishte dhënë në mungesë. Gjatë procesit gjyqësor dëshmitarë të shumtë kanë treguar se i pandehuri ishte parë nën shoqërinë e Altin Dardhës.
“Hakmarrja për drejtësi”, 367 vite burg për 10 të akuzuar
Plot 367 vite burg ka lënë në fuqi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda për 10 të dyshuarit si anëtarë të organizatës “Hakmarrje për drejtësi” në korrik të këtij viti. Dy prej të pandehurve, mbi të cilët rëndojnë rreth 20 akuza nga ajo e akteve terroriste deri në vrasje e grabitje, kanë fituar azil politik në Belgjikë e Zvicër. Ndërkohë që asnjë prej të dënuarve nuk ndodhet pas hekurave, Orik Shyti dhe Altin Arapi janë cilësuar si drejtues të organizatës kriminale të njohur me emrin “Hakmarrja për drejtësi”. Në vendimin e djeshëm, gjykata uli dënimin për 2 të pandehur dhe la në fuqi dy burgime përjetë. Trupi gjykues i Apelit të Krimeve të Rënda la në fuqi vendimin me 25 vjet burg për Gentian Cakën dhe Roland Shytin. Leart Shyti, Nikolin Novruzaj dhe Kreshnik Spahiu janë të dënuar me 24 vjet burg, Dritan Hate i dënuar me 23 vjet burg. Për Pasho Norvuzaj dhe Gëzim Gjonin, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda ndryshoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Konkretisht, për Pasho Novruzaj, Gjykata e Apelit dha dënimin me 17 vjet burg, nga 22 vjet që kishte dënuar gjykata e një shkalle më poshtë, ndërsa për Gëzim Gjonin dha 5 vjet nga 10 vjet që kishte dhënë Gjykata e Krimeve të Rënda.
Apeli i dhuroi pafajësinë ish-zv.ministrit Jaka, dënoi vetëm disa zyrtarë
Ish-zv.ministri i Transporteve, Nikolin Jaka, i cili qëndroi nëntë muaj në qeli pasi u akuzua për abuzime me tenderat e rrugëve, fitoi betejën me drejtësinë në korrik të këtij viti duke fituar pafajësi. Gjykata e Apelit vendosi të prishë vendimin e Shkallës së Parë dhe të pushojë çështjen ndaj ish-zv.ministrit të Transporteve, Nikolin Jaka dhe ish-vartësit të tij në këtë dikaster, Bashkim Kamberi. Nikolin Jaka u dënua nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 20 ditë burg, 800 mijë lekë gjobë, si dhe për tre vite iu hoq e drejta për të ushtruar ndonjë funksion publik. Kamberi u dënua me 1 vit e 20 ditë burg. Shkalla e dytë e gjyqësorit e prishi këtë vendim, duke çliruar nga akuzat Jakën e Kamberin, të cilët qëndruan në qeli për nëntë muaj me radhë. Ndërkaq, për të pandehurit e tjerë u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë. Kështu, për Ilirian Berzanin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, mbetet në fuqi dënimi prej tre vitesh burg, 1.6 milion lekë gjobë dhe për 5 vite i hiqet e drejta për të ushtruar ndonjë funksion publik. Për Arjan Shetin, ish-drejtor juridik i Ministrisë së Transporteve, mbetet në fuqi dënimi me 1 vit e katër muaj burg dhe 600 mijë lekë gjobë. Për Xhevahir Muçogllavën, ish-kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në DPRR, 1 vit burg. Për Isuf Ukperajn, ortak i shoqërisë "Vllazëria" sh.p.k. dhe Skënder Bokçiun, ortak i shoqërisë "Arifaj" sh.p.k., Apeli la në fuqi vendimin për dënimin e tyre me 1 vit e 20 ditë burg dhe 600 mijë lekë gjobë. Nikolin Jaka dhe të pandehurit e tjerë përfunduan në qeli më 17 shtator 2007, në kuadër të operacionit të koduar "Duart e pastra". Ish-zyrtarët akuzoheshin për abuzime me pesë tendera rrugësh e konkretisht, rruga paralele me autostradën Tiranë-Vorë, rruga Himarë e Vjetër-Kthesa e Pilurit, rruga Has-Qafë Prush, rruga Dragobi-Valbonë dhe rruga Dhërmi-Himarë-Qeparo.
Dosja “Kashari”, 28.8 vjet burg e 24 milionë lekë gjobë për 7 të pandehurit
Të akuzuar për tjetërsim pronash, mbivendosje, mashtrime, apo dhe falsifikime të ndryshme dokumentesh, më në fund në shkurt të këtij viti është dhënë verdikti përfundimtar i gjykatës për 7 të pandehurit e dosjes “Kashari”, seancë e cila zgjati për më tepër se 3 orë. Gjatë arsyetimit të vendimit, gjyqtari kryesues i seancës, Sokol Tona, renditi rastet konkrete të marra si provë gjatë këtij gjykimi dhe shpalli fajtorë shtatë të pandehurit, duke i dënuar në total me 28.8 vjet burg dhe 24 milionë lekë gjobë. Të pandehurit janë gjykuar përmes aplikimit të gjykimit të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e 1/3 së dënimit. Prokurori i çështjes, Armand Gurakuqi, kërkoi dënimin me 55 vjet burg dhe 49 milionë lekë gjobë për këta të pandehur. Ata akuzohen për skandalin e abuzimit me tokat, i cili është shtrirë në 178 mijë metra katrorë në zonën e Kasharit. Prokuroria ka dërguar në bankën e të pandehurve 10 shtetas, tre prej të cilëve kanë kërkuar t’u veçohet dosja dhe të gjykohen me gjykim të zakonshëm. Të pandehurit, kryekomunarë, kryepleq, punonjës të Komunës së Kasharit dhe të afërm të këtyre zyrtarëve, akuzohen se kanë përfituar rreth 18 hektarë tokë në mënyrë abuzive. Këto prona u janë grabitur fshatarëve të kësaj komune, duke i shitur në disa duar e mbi të cilat janë ngritur dhjetëra biznese, ndërtime të larta dhe shtëpi private. Nga hetimet gjashtëmujore të organit të akuzës ka rezultuar se 10 të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme, por në mënyrë të njëjtë, kanë tjetërsuar e përvetësuar rreth 178 mijë metra katrorë truall, të “grabitura” këto në 34 raste të ndryshme. Këto prona, në bazë të ligjit 7051 për kthimin dhe kompensimin e tyre, u takonin fshatarëve të Kasharit. Një ndër denoncuesit e parë të këtyre abuzimeve ka qenë ndërtuesi Vladimir Kosta, të cilit i pandehuri Hyka i ka marrë me anë të mashtrimit, duke i shitur pronën e dikujt tjetër, 230 milionë lekë.