E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sipërmarrësit shqiptarë drejt bursës së Milanos

08/03/2011  Kusht është përcaktimi i xhiros vjetore nga 20 milionë deri 30 milionë euro

Sipërmarrësit shqiptarë kanë shprehur interes për tu bërë pjesë e bursës së Milanos. Listimi i kompanive shqiptare në bursën italiane, AIM Italia do të jetë vetëm një prej fazave për gjallërimin e bursës së Tiranës. Kompanitë që do të listohen në AIM Italia duhet të kenë një xhiro vjetore 20 milionë deri 30 milionë euro, sipas një projekti të përbashkët të iniciuar nga ambasada italiane. Bizneset shqiptare, të cilat morën pjesë në prezantimin e këtij projekti në Itali pak kohë më parë kanë shprehur interes me pjesëmarrjen e tyre në projekt e do të vijojnë më tej me konkretizimin e hapave që duhen ndërmarrë deri në finalizimin e listimit të tyre në bursën e Italisë.

“Binjakëzimi”

Bursa e Tiranës do të funksionojë sipas modelit italian. Në përpjekje për aktivizimin e bursës së Tiranës dhe krijimin e një sistemi tregtimi të letrave me vlerë, kryesisht të aksioneve, në mënyrë të ngjashme me strukturat e tregtimit të shumë vendeve të Evropës, ambasada italiane, në bashkëpunim me bursën italiane, iniciuan projektin “Bursa shqiptare e letrave me vlerë”. Në bashkinë e Milanos u zhvillua aktiviteti “Dita për Shqipërinë” ku u prezantua projekti “Bursa shqiptare e letrave me vlerë”. Projekti mbi Bursën Shqiptare të letrave me vlerë zhvillohet në dy faza. Faza e parë përfshin listimin e kompanive shqiptare në tregun AIM të bursës së Italisë. Faza e dytë nënkupton aktivizimin e bursës së Tiranës. Lektorët e prezantimit paraqitën disa nga avantazhet që paraqet një treg alternativ kundrejt tregut të organizuar, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme.

Si të listohesh

Kërkesat dhe etapat që kërkohen të plotësohen për tu listuar në segmentin AIM Italia janë disa. Minimumi i tregtueshëm është 10% e kapitalit të kompanisë që listohet. Kompanitë duhet të japin informacion për investitorët, në mënyrë që ata të gjykojnë mbi vendimin e tyre. Për këtë arsye duhet të publikojnë raporte vjetore dhe 6-mujore, transaksionet, transaksionet me palë të lidhura, si dhe informacion mbi kompaninë në web-site. AIM Italia është segmenti i bursës së Italisë që u dedikohet ndërmarrjeve italiane të vogla dhe të mesme me potencial rritjeje. AIM Italia u ofron mundësinë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të bëhen të njohura nga investitorët ndërkombëtarë. Gjithashtu AIM Italia është fleksibël, për sa u takon kërkesave të listimit. Këshilltarët apo brokerat vlerësojnë kompaninë me synimin drejt një listimi të suksesshëm. Investitorë institucionalë dhe individualë mund të aksesojnë tregun.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›