E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, ngushtohet lista e kandidatëve të 3 partive kryesore

08/03/2011  PD në garë 3 kandidatë, PS dhe LSI nga 2. Ja emrat që përfliten

FIER- Është ngushtuar së tepërmi lista me emrat e kandidatëve të forcave të mëdha politike në Fier, për kreun e Bashkisë së saj. Fare pak orë ndajnë nga mbyllja e procesit të regjistrimit të partive pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 8 marsit dhe po shënohen edhe orët e fundit të publikimit të firmave të kandidatëve. Të dy kahet politikë janë duke bërë veprimet e fundit, për të nxjerrë kandidatin më të mundshëm që do të kandidojë për të zgjedhur edhe forcën politike që do ë përfaqësohet.

Kandidatët

Ndryshe nga herët e kaluara mazhoranca qeverisëse e ka ngushtuar listimin nga 28 kandidatë në 3 kandidatë, ndërsa vazhdojnë negociatat mes LSI-së dhe PD-së se kujt force politike do ti përkasë Fieri. Strukturat e PD-së janë duke u dërguar emrat, ndërkohë që të njëjtën gjë ka bërë edhe LSI, e cila ka nxjerrë 2 kandidatura që konsiderohen si potenciale. Surprizë për PD është emri i Ilir Beles drejtorit aktual të ISKSH-së Fier, i cili duket se është më i preferuari për të përfaqësuar PS në Bashkinë e Fierit. Edhe pse në konfidencë përflitet se Bele ka marrë konfirmim zyrtar, lakohen edhe 2 emra të tjerë, Vasil Ndreko dhe Suzana Numani, kandidatura të forta për një fitore të mundshme. Brenda LSI-së përfliten 2 emra të mundshëm kandidatësh, Bujar Hasa prefekti aktual dhe Albert Malaj drejtori i Tatim-Taksave në Fier. Prefekti Hasaj ka pranuar kandidimin e tij, ndërsa ka deklaruar zyrtarisht se nëse LSI merr Fierin më 9 maj është kryetar bashkie. Të njëjtin deklarim ka dhënë edhe kandidati i PD Ilir Bele, i cili ka pohuar se është i vetmi pretendent. Më e zjarrtë paraqitet situata nga opozita e majtë. Pavarësisht se duket gjithçka më e lehtë pasi garon vetëm një parti, brenda saj gara është e fortë pasi kandidojnë kreu i Bashkisë Baftjar Zeqaj dhe kreu i PS-së për qytetin Arjol Mucaj.

Të regjistruar 62 persona

Bashkia e Durrësit pastron

listat nga 100-vjeçarët

DURRES- Bashkia e Durrësit po i kalon në dorën e fundit listat përfundimtare të zgjedhësve, të cilët janë përfshirë në të drejtën e pjesëmarrjes në votimet e 8 majit. Në qendër të vërejtjes së grupeve të verifikimit të listave paraprake kanë qenë çështje, të cilat kanë të bëjnë me personat e gjallë e të vdekur, qytetarë me vendbanim të ri, persona të një familje të ndarë në dy a më shumë qendra votimi, të martuar e të transferuar etj. Drejtori i gjendjes civile në Bashkinë e Durrësit Shpendi Hoxha ka bërë të ditur se Durrësi numëron afro 157 mijë zgjedhës. Listat përfundimtare sipas drejtorit do të jenë gati brenda kësaj jave dhe se një kopje e listave përfundimtare do të dërgohet në KQZ, ndërsa veç afishimit në qendrat e votimit, listat do u afrohen edhe subjekteve politike të interesuara. Bashkia e Durrësit ka më se 3 muaj që ka shpallur listat paraprake dhe tani gjithçka gjendet në fazën përmbyllëse. Vitin e kaluar, sipas drejtorit të gjendjeve civile pranë Bashkisë së Durrësit, kanë qenë në listë më shumë se 60 burra e gra të moshës mbi 100 vjeç. Hoxha ka thënë se pas verifikimit një për një të emrave të kësaj liste vetëm 4 prej tyre rezultojnë të gjallë. Prefekti Genci Alizoti ka thënë se procesi i shpalljes së listave përfundimtare është në çastet e fundit në Bashkinë e Sukthit, Shijakut, Manzës, Fushë-Krujës e Krujës, si dhe në komunat Ishëm, Katundi Ri, Bubq etj. Nga ana tjetër njësitë e qeverisjes vendore kanë përcaktuar të gjitha objektet e godinat që do të shërbejnë për qendra votimi dhe se listat janë miratuar si në bashki e komuna ashtu edhe në prefekturë. Xh. G.

Vendoset kush do të jetë në garë

Kandidatët socialistë, Shpëtim Gjika rikandidon

VLORE- Çdo ditë e më shumë që kalon ka bërë që ethet elektorale të fillojnë të ndihen ndjeshëm, ndërkohë që në radhët e qytetarëve kanë filluar të përfliten emrat e kandidatëve që do të jenë pjesë e fushatës elektorale, e cila edhe pse jo zyrtarisht ka startuar. “Metropol” ka arritur të sigurojë nëpërmjet burimeve brenda Partisë Socialiste se kush janë emrat më të mundshëm si kandidatë të kësaj partie në disa prej komunave më të rëndësishme, si dhe bashki të zonës së Vlorës, të cilët do të përballen kundër kandidatëve të së djathtës apo aleatëve të saj. Për bashkinë e Vlorës pritet të bëhet rikonfirmimi i kryetarit aktual Shpëtim Gjika, i cili që muaj më parë e ka bërë publik vendimin e tij për rikandidim. Në komunën qendër Blerdi Licaj, në Bashkinë Orikum dy emrat, të cilët fliten janë Vasil Bedini, emri më i lakuar për të qenë kandidati i ardhshëm i Partisë Socialiste për këtë bashki, aktualisht kryetar i Shoqatës së Turizmit, si dhe kryetari i PS-së së Orikumit Gëzim Capo. Ndërsa për komunën Novoselë Jorgo Muka, për komunën Armen Albert Hoxha dhe për komunën Vllahinë Gëzim Hoxha. Dh. Spiro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›