Siri, 13 të vrarë në protestat e dhunshme
Raportohet se gjatë dhunës së fundit në Siri, janë vrarë të paktën katër protestues dhe nëntë anëtarë të forcave të sigurisë.
Raportet citojnë veprimtarët dhe dëshmitarët, që kanë thënë se persona të armatosur proqeverisë, dje kanë vrarë katër protestues në qytetin-port Banias, ku u mbajtën demonstrata kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad.
Nga ana tjetër, televizioni shtetëtor i Sirisë, ka deklaruar se nëntë anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë, pasi ishin sulmuar në periferi të qytetit Banias.
Në raport, për këtë dhunë fajësohen bandat e armatosura.
Raportet nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur, meqë qeveria e Sirisë ka vendosur kufizime të mëdha në informacione, kështu që shumë gazetarë të jashtëm janë urdhëruar që të largohen nga Siria.