Dalja nga neutraliteti

Aeroplanët luftarakë suedezë janë përfshirë në aksion mbi qiellin e Libisë nën komandën e NATO-s. Irlanda është ofruar si qendër transit për transportimin e pajisjeve dhe ushtarëve amerikanë në Afganistan dhe Irak. Madje edhe Zvicra e pavarur ka paqeruajtës në Kosovë.
Për shtetet dikur neutrale të Evropës, shumë gjëra kanë ndryshuar në dy dekadat që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Pa një konflikt Lindje-Perëndim si pikë të referencës, koncepti i neutralitetit është ri-definuar deri në atë pikë, sa që dikush mund të thotë se ai e ka humbur kuptimin.
“Ekziston një konfuzion total. Njerëzit e kanë harruar konceptin e neutralitetit, e që nënkupton që mos të marrësh anën gjatë një konflikti ushtarak”, thotë hulumtuesi zviceran i paqes, Daniele Ganser.
Zvicra konsiderohet si shteti i vetëm i vërtetë neutral, që ka mbetur në Evropë. Por, edhe ky vend ka komprometuar qëndrimin e vet, që mos të përzihet në telashet e shteteve tjera.
Zvicra përfundimisht iu bashkua OKB-së në vitin 2002 dhe që nga viti 1999 ka të stacionuar 200 paqeruajtës në Kosovë. Së fundi ka lejuar forcat e Aleancës që të fluturojnë mbi Zvicër dhe të shfrytëzojnë rrugët tokësore, gjatë rrugëtimit të tyre për misionin në Libi. Qeveria e Zvicrës thotë se neutraliteti i vet ka mbetur i paprekur, pasi që operacioni në Libi është autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
“Sipas mendimit tim, kjo nuk është në përputhje me neutralitet të plotë”, tha Ganser.
Suedia dhe Zvicra u bënë neutrale pas përfundimit të luftërave të Napoleonit. Irlanda nuk u përfshi në Luftën e Dytë Botërore dhe mbylli portet e veta për konvojet e aleancës.
Austria dhe Finlanda u bënë neutrale, pasi që gjatë luftës u rreshtuan përkrah Gjermanisë.
Që nga rënia e perdes së hekurt, që të pesë këto shtete i janë afruar asaj, që ka enë një nga blloqet rivale të Luftës së Ftohtë: NATO-s. Që të pesë këto shtete i janë bashkuar programit të Partneritetit për Paqe për shtetet jo-anëtare dhe kanë dërguar forca, për të shërbyer në misionet e kryesuara nga NATO-ja në Ballkan dhe Afganistan.
Suedia forcoi lidhjet e veta me aleancën, duke dërguar tetë aeroplanë luftarakë në Libi, përndryshe vendi i vetëm neutral që e ka bërë këtë deri me tani.
Megjithatë, aeroplanëve suedeze ju lejohet të hapin zjarr, vetëm nëse sulmohen dhe nuk kanë të drejtë të sulmojnë forcat tokësore të kolonel Muammar Gaddafit.
Por ky neutralitet nuk ka qenë gjithmonë absolut.
Suedia ka lejuar forcat gjermane që të kalojnë nëpër territorin e saj, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, Suedia dhe Finlanda në heshtje braktisën politikën e tyre të neutralitetit.
Austria edhe më tutje thekson se është neutrale, edhe përkundër faktit se është anëtare e BE-së dhe bashkëpunon ngushtë me NATO-n. Për dallim nga Finlanda dhe Suedia, neutraliteti i Austrisë është përcaktuar me ligj.
Edhe Irlanda e përshkruan vetën si neutrale, përkundër faktit se i ka lejuar SHBA-së që të shfrytëzojë aeroportin Shannon, për të transportuar pajisjet dhe ushtarët në Afganistan dhe Irak. Që nga viti 2001, nëpër aeroportin Shannon për çdo vit kanë kaluar nga 100 mijë ushtarë amerikanë.
I pyetur rreth kësaj çështje, tashmë ish-kryeministri i Irlandës, Bertie Ahern, pat deklaruar se neutraliteti i Irlandës nënkupton se çdo vend në nevojë mund të aterojë aeroplanët e vet në Shannon dhe eventualisht mund të transportojë municion dhe armatim, nëse i jepet leje e posaçme.
Ai shtoi se nëse edhe aeroplanët e Irakut do të kishin kërkuar të ateronin aty, ai nuk do të kishte pasur problem me këtë.
“Çdo kush, nga secili shtet, mund të aterojë në Shannon. Ne krenohemi për faktin se jemi ekonomi e hapur për të gjithë”, pat deklaruar Ahern në vitin 2003.
Opinionet publike në të pesë shtetet neutrale e kundërshtojnë anëtarësimin në NATO dhe gjasat janë të vogla që ndonjë prej këtyre shteteve të anëtarësohet së shpejti në aleancë.
Por të gjitha, përveç Zvicrës, janë të lidhur ngushtë me aleancën dhe analistët theksojnë se shumë pak gjëra i ndajnë ata nga një anëtar i vërtetë i NATO-s.
“Asgjë në substancë. Në thelb, marrim përsipër të gjitha obligimet, të cilat i kanë edhe shtetet anëtare, përveç se nuk paguajmë kontributin për anëtarësim”, theksoi Gerhard Karner, analist për siguri në Austri. (AP)