E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, opozita e ndarë lidhur me metodat për përmbysjen e regjimit

Opozita siriane ka ndërmarrë një formë të re mosbindjeje civile me një grevë të përgjithshme, ndërsa qëndresa e armatosur përshkallëzohet. Taktikat që bien ndesh me njëra-tjetrat vënë në dukje një përcarje së cilës i është bërë jehonë edhe në sinjalet e paqarta të komunitetit ndërkombëtar.

Pronarët e dyqaneve që janë kundër qeverisë siriane vazhdojnë t`i mbajnë të mbyllura bizneset e tyre, pavarësisht nga njoftimet se forcat e sigurisë janë hakmarrë ndaj disa prej tyre, duke u djegur dyqanet.

Greva e përgjithshme që filloi të dielën, e zgjeron fushatën e qëndresës paqësore ndaj qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad, e cila për pjesën më të madhe të nëntë muajve të fundit është kufizuar në dëmonstrata dhe marshime proteste.

Por greva përkon me një intensifikim të betejës së armatosur kundër regjimit të Assadit. Të dyja palët janë në një mendje për atë që ata mendojnë se është rënia e pashmangshme e qeverisë.

Por përcarja krijohet kur është fjala për mjetet që duhen përdorur për të arritur këtë synim. Videot amatore kanë treguar beteja në rajonin e Daras, përgjatë kufirit me Irakun ndërsa forcat e opozitës njoftojnë për përleshje përgjatë kufirit me Jordaninë. Dëshmitarët thonë se janë ndër luftimët më të ashpra mes dezertorëvë të ushtrisë dhe trupave qeveritare.

Fqinjët e Sirisë, Libani dhe Iraku kanë treguar mbështetje për qeverinë e Assadit dhe aftësinë për të qarkulluar mallra në kufi e bën presionin ekonomik, si nga brenda me greva, ashtu edhe nga jashtë me sanksione, më të dobët.

Por kufijtë jo shumë të kontrolluar mund të jenë të favorshëm për opozitën e armatosur. Luftimet e intensifikuara ditët e fundit dhe më parë pranë bazës së dezertorëve në Turqi dhe në rrethinat e Damaskut, të bën të mendosh se në vend po futen disa armë më të rënda.

Mospërputhja mes retorikës dhe veprimeve mund të shihet në reagimin e Lidhjes Arabe e cila muajin e kaluar I dënoi me forcë veprimet e qeverisë siriane dhe bëri thirrje që vrasjet të ndaleshin menjëherë. Tani një muaj më pas, po përpiqet me negociata diplomatike me Sirinë që të lejojë vëzhgues në vend.

 Megjithë përcarjet e shumta në lëvizjen kundër Assadit, shumë analistë politikë besojnë se pika kulmore në këtë betejë është arritur dhe se me kalimin e kohës opozita do të fitojë.

Ata argumentojnë se qeveria e zotit Assad nuk mund t`i rezistojë revoltës së vazhdueshme civile dhe të armatosur përgjithmonë. Ndërkohë, zyrtarët sirianë vazhduan të veprojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke mbajtur zgjedhje lokale të hënën, ndërsa forcat e sigurisë vazhdonintë shtypnin protestat.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›