Siri, rreziku i ndërhyrjes dhe mosndërhyrjes
U mbush një vit nga fillimi i trazirave në Siri dhe situata është rënduar tej mase. Lufta civile ka marrë tashmë përpjesëtime të mëdha. Deri tani regjimi i Assadit ka vrarë mbi 8500 veta. Janë 5 herë më shumë të vrarë se sa në rastin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Libi. Ajo që po ndodh në Siri ka shokuar botën dhe është konsideruar nga Gjykata Penale e OKB-së si krime kundër njerëzimit.
Përveç dhunës dhe vrasjeve, ka një valë masive largimesh nga vendi. Vetëm javën e fundit janë shpërngulur për Liban mbi 10 mijë veta. Ndërsa që nga fillimi i dhunës vendin e kanë lënë mbi 250 mijë veta. Turqia është vendi që ka pritur më dhjetëra mijëra sirianë. Ditët e fundit, Kryeministri Erdogan urdhëroi hapjen e menjëhershme të korridoreve për ndihmë humanitarë. Ka pasur edhe dezertime në masë nga forcat e Assadit, të cilët janë bashkuar më Ushtrinë e lirë Sirianë. Megjithatë, regjimi ka nën kontroll ende forcat ushtarake, të cilat komandohen nga njerëz të pakicës Allawite, të Presidentit Asad, ashtu si edhe anëtarët e milicisë-Shabika.
Disa vende perëndimore, por edhe arabe, kanë mbyllur përfaqësitë e tyre diplomatike dhe kanë tërhequr personelin. Në këtë situatë duket se misionet diplomatike, presionet si edhe sanksionet nuk kanë mundur të ndalojnë gjakderdhjen.
Megjithatë, ditët e fundit kanë qenë shumë të ngarkuara me synimin për ti dhënë fund luftës, për të vendosur armëpushimin. Angazhimi i SHBA, BE, por edhe OKB dhe pavarësisht nga kundërshtitë, edhe nga 22 vendet e Lidhjes Arabe, ka qenë me një intensitet të lartë.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së po përpiqet të përpunojë një projekt-rezolutë, të iniciuar nga SHBA, pas dy dështimeve të mëparshme të tij, për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka emëruar si të dërguar të posaçëm në Siri paraardhësin e tij, Kofi Anan. Para se ai të niste misionin e tij, në Damask mbërriti i deleguari special i Kinës, Li Huaging, që më parë ka qenë ambasador i Kinës në Siri. Kina e mbështet në parim misionin e Kofi Anan në Siri, por përjashton çdo nismë të tij që të përfshijë ndërhyrje nga jashtë.
Në Damask, nga ana tjetër, bëri një vizitë edhe koordinatorja e ndihmave e Kombeve të Bashkuara, Valerie Amos. Më parë asaj i ishte ndaluar hyrja në Siri. Në takimin më ministrin sirian të Shëndetësisë, Al Halqi, Amos deklaroi se Kombet e Bashkuara janë të gatshme për të lëvruar një ndihmë me ushqime dhe barna me vlerën e 105 milionë dollarë, për një periudhë tremujore.
Duket së misioni i Annan pak ditë më parë nuk arriti gjë. Ai paraprakisht kishte ndaluar edhe në Kajro dhe ishte takuar më drejtues të Lidhjes Arabe për të koordinuar qëndrimet. Annan kërkoi ndalimin e dhunës, por Presidenti Assad iu përgjigj se do të vazhdojë të shtypë çdo lëvizje që cenon rendin kushtetues. Qëndrimin e kryengritësve e konsideroi të iniciuar nga Perëndimi. Ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së është shprehur për nevojën e një pajtimi kombëtar dhe për dialog, por që është hedhur poshtë nga Assad duke deklaruar se me rebelët nuk ka dialog.
Edhe zv.ministri i Jashtëm rus, Bogdanov, ka mbështetur nevojën e dialogut, por pa asnjë ndërhyrje nga jashtë. Ndërkohë, opozita siriane, e paorganizuar dhe e copëtuar, deri në baza etnike, fetare e krahinore, nuk e ka pritur mirë misionin e Kofi Annan, pasi ka pritur ndonjë premtim për ndërhyrje ushtarake, por ai është shprehur se çdo militarizim i mëtejshëm do të përkeqësonte situatën në vend.
Drafti i rezolutës të përgatitur në Nju Jork nga SHBA, po diskutohet fillimisht nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Por duket skepticizëm në mundësinë e miratimit paraprakisht të saj, për shkak të kundërshtimit të pritshëm të Rusisë. Ambasadori rus në OKB, Churkin, tha se teksti i projektit amerikan që ende nuk na është paraqitur zyrtarisht, gjithsesi është kundër pikëpamjes së Rusisë, por edhe Kinës, për të cilat, në më parë kemi vënë veton.
Rusia, në diskutimet paraprake kundërshton formulimin dhe kërkon ti lihet më pak vend dhunës së regjimit të Assadit, si edhe kundërshton përfshirjen në projektrezolutë të disa propozimeve të Lidhjes Arabe. Për këtë qëllim, edhe ministri i Jashtëm rus, Lavrov, ishte ditët e fundit në Kajro, në përpjekje për të influencuar jo vetëm propozimet e saj për në Këshillin e Sigurimit, por edhe qëndrimet në përgjithësi të vendeve të Lidhjes Arabe për Sirinë. Rusia, nga ana tjetër, kërkon të dënohet si e njëjtë edhe dhuna e elementëve të armatosur të opozitës siriane. Si Rusia, ashtu dhe Kina, janë kundër formulimit në projektrezolutën amerikane se Këshilli do të ndërmarrë masa të reja nëse nuk përmbushen brenda 14 ditëve kërkesat e rezolutës.
Ambasadori rus, Churkin, ka akuzuar edhe Libinë se është kthyer në një kamp stërvitjeje për opozitën siriane, dhe se Al Kaeda nxit lëvizjen e protestës siriane duke shtruar më tej se Libia nuk eksporton vetëm revolucion, por edhe terrorizëm.
Ambasadorja amerikane në OKB i ka hedhur poshtë këto dhe ka deklaruar së Moska është një prej dy furnizuesve më të rëndësishëm me armë të Sirisë.
Ndërsa SHBA, gjatë gjithë kësaj periudhe, por veçanërisht kohët e fundit, kanë pasur një angazhim maksimal për të gjithë situatën. Presidenti Obama u është referuar vazhdimisht zhvillimeve në Siri dhe kohët e fundit nuk ka përjashtuar asnjë opsion.
Pak ditë më parë, ministri i Mbrojtës, Leon Panetta dhe shefi i Shtabeve të Ushtrisë Amerikane, gjenerali Martin Dempsey, u thirrën në Komitetin e Forcave të Armatosura të Senatit për të diskutuar jo vetëm situatën në Siri, por edhe të gjitha opsionet e ndryshme për ti dhënë fund dhunës dhe vrasjes në masë të civilëve. Gjenerali Demsey deklaroi në Komitet se nëse Presidenti i SHBA do të urdhëronte një sulm ushtarak në Siri, forcat ushtarake amerikane do të ishin të gatshme. Në Komitet është folur për disa opsione të mundshme, sidomos ato humanitare, kontrollin e rrugëve detare dhe të zonave të ndaluara ajrore, si dhe sulme ajrore të kufizuara kundër forcave siriane të aviacionit. Por ka pasur edhe kërkesë për ndërhyrje ushtarake të gjithanshme. Senatori republikan, John Mccain, ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të sulmeve ajrore: Edhe sa civilë duhet të vdesin? Edhe 10 mijë, edhe 20 mijë?, i është drejtuar ai sekretarit të Mbrojtjes Panetta dhe i ka kujtuar atij vitin 1994, kur ishte shef i Shtabit të Ushtrive dhe u urdhërua nga Presidenti Klinton për sulm ushtarak të NATO-s në Bosnje-Hercegovinë, në mbrojtje të popullit kroat dhe boshnjak.
Gjithsesi, administrata amerikanë po e ndjek në vijimësi situatën në Siri dhe krahas intensifikimit të veprimtarive diplomatike, nuk ka përjashtuar asnjëherë edhe opsionin e ndërhyrjes, që tash për tash, për shumë arsye, nuk është në plan të parë.
Krahasimet që bëhen shpesh me Libinë nuk janë të sakta. Dhe situata nuk është e njëjtë. Së pari, kapaciteti i forcave ajrore të Sirisë është 5 herë më i madh se ai që dispononte Libia e Gedafit. Nga ana tjetër, edhe për shkak të përqendrimit të popullsisë, sulmet ajrore do të vrisnin më mijëra njerëz.
Administrata e Presidentit Obama ka bërë të qartë se dëshiron, ashtu siç ka bërë deri tani, të ndihmojë e të mbrojë popullin sirian. Por ka deklaruar gjithashtu se duhet të kuptohet se ndërhyrja ushtarake nuk është rruga për të ndihmuar civilët apo për të ndihmuar një tranzicion politik në Siri. Të armatosësh opozitën ashtu siç ajo kërkon, ose të shfrytëzosh forcat ajrore perëndimore kundër territorit sirian, tani është si të luash në duart e Assadit.
Ata që mbështetën muaj më parë aksionet ushtarake në Libi, shpresuan se kjo do të krijonte një precedent, që në një rast tjetër, SHBA dhe Europa menjëherë do të ndërhynin për të mbrojtur popullsinë civile të vend
