E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komedia hyjnore si Mein Kampf

GJERGJ META

Lexova në shtypin e huaj që Gherush92, një organizatë kërkuesish dhe profesionistësh, e cila gëzon statusin e konsulentit të veçantë pranë Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara dhe që zhvillon projekte edukimi për zhvillimin, të drejtat e njeriut dhe zgjidhjen e konflikteve, na paska kërkuar që Komedia hyjnore e Dante Aligierit, të hiqet nga programet shkollore, pasi qenka një tekst antisemit, islamofob dhe homofob. Jam i bindur se njerëzit seriozë dhe të dijshëm të këtij globi që e kanë lexuar, janë ndjerë të fyer nga kjo gjë…
Por nuk kemi çi bëjmë, jetojmë në një botë të lirë e secili mund të thotë atë që don, edhe kur thotë marrina. Për fat të keq, marrinat kanë zbrit në aeropag e janë ulur këmbëkryq, kanë marrë kryet e vendit e ligjërojnë. Madje nuk të lënë as radhë të flasësh. Çështja është se marrinat e këtyre zotërinjve, herët a vonë ndikojnë në vendimmarrjet e qeverive, sidomos në ato vende ku servilizmi ndaj të fuqishmëve është i dukshëm.
Komedia hyjnore, një kryevepër e kulturës italiane dhe pasuri botërore, rrezikon të njolloset nga një grup kinse kërkuesish seriozë (që vetëm për këtë fakt tregojnë se çfarë niveli kanë), të cilët në emër të të drejtave të njeriut marrin guximin të ndikojnë realitetin në emër të leximeve ideologjike të artit, kulturës e me radhë, të vetë historisë.
Unë shpresoj vetëm që kjo OJQ të mos ketë ndonjë degë në Shqipëri, që në emër të të drejtave të njeriut ti kërkojë Ministrisë shqiptare të Arsimit të ndalojë Lahutën e Malcisë në shkollat shqipe, sepse na paska folur keq për serbët, të ndalojë Historinë e Skënderbeut të Marin Barletit, sepse na paska folur keq për turqit. Madje kam frikë se në një vend si Shqipëria, kjo OJQ mund të shkojë te Komiteti i Kulteve e ti thotë: ndalojini të krishterët të lexojnë nga letra e romakëve në Bibël në kapitullin 1 vargjet 26 27; e po ashtu do të shkojnë te të krishterët dhe te myslimanët e do tu thonë: mos lexoni nëpër kisha e xhamia, madje hiqeni fare kapitullin që flet për historinë e Lotit, nipit të Abrahamit, sepse është homofobe. Madje mund ti kërkojnë Ministrisë së Kulturës që të kthejë mbrapsht medaljen që i kanë dhënë Pashko Gjecit, i cili ka përkthyer Dante Aligerin në shqip, sepse ai ka përkthyer tekste të tilla. Mund ti thuhet Ministrisë së Arsimit të integrojë në mësimdhënie nga një orë çdo javë ose edhe çdo ditë shikimi të spektaklit Big brother sepse aty nuk ka njerëz homofob, përkundrazi. Kështu të rinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësitë e tyre për tu hapur ndaj realitetit, për të pasur një mendje të hapur, për të qenë më tolerantë me të tjerët, për të thënë atë që mendojnë pa frikë, për të qenë vetvetja, për të qenë të lirë të jenë edhe injorantë, thashethemexhinj, për ti bërë intriga njëritjetrit, ku nuk ekziston intimiteti si vlerë e çmuar, por mund të jesh i lirë ta shesësh atë për një çmim. Dalëngadalë do të mjaftojë vetëm TV për ti edukuar të rinjtë dhe kështu Ministria nuk do ketë më nevojë të mbajë shkolla e mësues.
Na u bë Komedia hyjnore si Mein Kampf-i. Por e vërteta e hidhur është se këto shoqata janë diktatorët e rinj të botës së sotme, sepse me financat dhe lobet që kanë nga pas blejnë gjithçka e madje edhe kartonë parlamentesh.
Nga këto lloj OJQ-sh luftohet për të drejtat e homoseksualëve e harrohet e drejta e një fëmije për tu rritur me një nënë dhe një babë, luftohet për të drejtën e zgjedhjes së një gruaje dhe dhunohet e drejta e një njeriu të pambrojtur për të jetuar, luftohet për të drejtën e myslimanëve e ndërkohë jetohet me puset e naftës që Zoti ua ka dhënë atyre, luftohet kundër SIDA-s në Afrikë e ndërkohë promovohen multinacionalet e prodhimit të kondomëve e kështu me radhë. E pastaj këto janë OJQ që na tregojnë edhe se duhet integrohemi në Europë e me cilat kushte. Ky po që është hall i madh.
Çfarë mbetet atëherë? Asgjë! Vetëm moskuptimi dhe habia përballë situatave të tilla tragjikomike për njeriun modern. I ngjan atij pyllit të errët që të kall frikën në vargjet e fillimit të Komedisë hyjnore, që aq bukur i ka sjellë në shqip Pashko Gjeci:
Në mes të shtegtisë së kësaj jete/ u gjeta në një pyll krejt errësi/se kishe humbë unë rrugën e vërtetë/ Se ish ta them sa kam vështirësi/ ai i egri pyll, i ashpër, pyll hata,/ sa të mejtoj më kall frikë përsëri!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›